Hapja e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, ka krijuar një garë të ashpër brenda partive. Shumë deputetë nuk janë fokusuar te kundërshtari, por kanë tentuar të marrin sa më shumë vota të jetë e mundur brenda partive të tyre, nga frika se lëvizjet në bazë të numrit të votave mund t’i linin jashtë Parlamentit.
KQZ vendosi të rinumërojë një pjesë të kutive për të parë problematikat që solli ky proces dhe rezultatet janë shumë interesante. Teksa në nivel partish nuk ka pasur ndonjë diferencë të madhe në kutitë që janë hapur deri tani, duket se surprizat kanë ardhur te votat e kandidatëve. Nga 290 qendra ku janë hapur kutitë, kanë dalë në pah elemente se si shumë kandidatë kanë humbur vota dhe ato i kanë marrë kolegë e tyre. Duket se në lojë kanë hyrë komisionerët, të cilët kanë tjetërsuar votën e qytetarëve.
Deputeti që ka marrë më shumë vota është Zef Hila i Partisë Demokratike në Shkodër. Hila u ka marrë 104 vota kandidatëve të tjerë të PD-së. I dyti renditet deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i cili ka marrë 80 vota në mënyrë të padrejtë në Tiranë. Po ashtu nuk mbetet pas Rrahman Rraja i PS apo Agron Gjekmarkaj i PD.
Bie në sy se kryeministri Edi Rama në Durrës ka humbur 11 vota, të cilat janë “grabitur” nga deputetët e tjerë të PS. Ata që kanë dalë me vota shtesë duke ja marrë kryeministrit dhe emrave të tjerë janë: Rrahman Rraja me 19 vota tepër, Klodiana Spahiu me 3 vota tepër dhe Ilir Ndraxhi me 5 vota tepër. Më poshtë gazeta po jep të dhënat e numërimit deri dje në mbrëmje.
Votat për partitë
Sa u takon votave për partitë, rezulton se Partia Socialdemokrate, ka marrë deri tani 9 vota më shumë sesa rezultati i certifikuar. Partia Bindja Demokratike, ka dalë me 4 vota më pak. Lëvizja Socialiste për Integrim, ka 8 vota më shumë. Partia Nisma Thurje ka dalë me 2 vota minus. Partia Demokratike “Aleanca për Ndryshim”, është partia që ka dalë me vota shtesë më shumë, +80 vota. Ndërsa Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 45 vota shtesë.
Hedhja e shortit
Më 14 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi shortin për përzgjedhjen e 10% të qendrave të votimit, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor në zbatim të kërkesave të nenit 167/2 të Kodit Zgjedhor. “Qëllimi i këtij procesi?është?të verifikojë?rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë administrimit të procesit dhe vlerësimit e numërimit të votave. Referuar udhëzimit nr.15, datë 07.10.2021 “Për përcaktimin e procedurave të këqyrjes paszgjedhore të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore”, subjektet zgjedhore mund të caktojnë vetëm një vëzhgues për të gjithë procesin e këqyrjes”, njoftoi KQZ.
Kontestimi i zgjedhjeve
Duhet theksuar se pas 25 prillit pati një kontestim të madh të zgjedhjeve. PD nuk e njeh rezultatin dhe për këtë arsye ka ngritur dhe një komision hetimor. Nga ana tjetër ndërkombëtarët dhe ODIHR e certifikuan këtë rezultat. Ndërkohë hapja e kutive tregon dhe një herë se skema me lista të hapura nuk ka ecur si duhet. Kjo taktikë ka sjellë “grabitje” brenda partive, ku kandidatët kanë futur në lojë komisionerët tyre për të tjetërsuar votën.