Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja ka hapur dje zyrtarisht garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. BKH do të jetë arma më e fortë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion në luftën kundër korrupsionit dhe nga dje ka nisur numërimi mbrapsht për pushtetarët.
Të gjithë të përfshirët në afera korrupsioni, tashmë nuk do ta kenë aspak të lehtë t’i shpëtojnë drejtësisë. Ka qenë Kryetari i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja i cili ka njoftuar hapjen e garës për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, proces i cili do të qëndrojë i hapur deri në datën 30 janar. Në një njoftim për mediat, Kraja kërkon që drejtori të jetë një person me integritet të lartë, i aftë profesionalisht dhe i motivuar për të kryer detyrën. “Kam kënaqësinë t’ju lajmëroj për shpalljen e Njoftimit për Pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky njoftim shënon hapin e parë të projektit për krijimin e një skuadre të madhe hetuesish të policisë gjyqësore që do të punojnë ngushtësisht me Prokurorët e Posaçëm.
Në duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për Drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së”, u shpreh Arben Kraja.
Më tej kreu i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se i gjithë procesi do të monitorohet nga ndërkombëtarët, ndërsa kandidati fitues do të trajnohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Të gjithë aplikantët do të ftohen të marrin pjesë në një proces rigoroz dhe sfidues përzgjedhjeje, që përfshin aplikimin elektronik, testimin e aftësive fizike, provimin me shkrim, intervistimin e strukturuar dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe integritetit. Procesi do të jetë tërësisht transparent dhe do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar. Kandidati fitues do t’i nënshtrohet një programi të gjatë trajnimi që do të sigurohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara, me trajnerë të specializuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI)”, tha Arben Kraja.
12 kushtet bazë për kandidatin
Por po ashtu ditën e djeshme në faqen zyrtare të BKH janë publikuar edhe 12 kushtet bazë të cilat duhet të plotësojë kandidati. Arsimimi është një nga kushtet bazë që duhet të plotësojë. Aplikanti duhet të ketë mbaruar master shkencor në fushën e drejtësisë ose shkollën e lartë për polici. Një tjetër kriter që duhet të plotësojë aplikanti për të qenë në krye të BKH është eksperienca e punës në fushën e drejtësisë, si prokuror, polic gjyqësor por edhe punonjës i Policisë së Shtetit. Po ashtu, gjatë eksperiencës së vet kandidati duhet të ketë 5 vjet përvojë pune në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda. Një tjetër kriter që duhet të plotësojë kandidati për kreun e BKH është se nuk duhet të jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, si dhe nuk duhet të jetë marrë asnjë masë disiplinore “shkarkim nga detyra” ose masa të tjera të marra kundër tij. Po ashtu, në njoftim bëhet me dije se kandidati do t’i nënshtrohen një procesi rigoroz trajnimi dhe do të emërohet si Drejtor i BKH-së vetëm pas përfundimit me sukses të të gjitha aspekteve të programit të trajnimit. /Elisjeda Kiko