Nga Mentor Kikia
Pusetës së plehrave i hapet kapaku. Në fakt vetëm është lëvizur pak për të plasur era. Një vajze 23 vjeçe, Stela Gugallja, në korrik krijon një kompani, me 1 milion Leke të vjetra kapital, dhe në tetor merr një tender 21 milion Euro për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
Një biznes i çuditshëm. Sipërmarrësi i merr paratë qeverisë, kryen investimin, dhe merr fitimin. Pa tender, pa kritere, pa asnjë kusht. Dhe kjo shitet si PPP, që nënkupton se investimin e kryen sipërmarrësi me paratë e veta, dhe qeveria ia jep paratë bashkë me fitimin me këste, meqë nuk i ka gjendje.
Inceneratorët rriten e zgjerohen në mënyrë të rrufeshme. Investime në disa qindra miliona Euro. Te gjitha me parate e qeverise. Kompani misterioze, të themeluara anë e kënd botës, e që kishin vetëm një kokë, Klodian(Mirel) Mertiri, bashkëshorten e tij Stela Gugallja dhe juristin e tij Klodian Zoto.
Biznese që përuroheshin me bujë, por pronarët nuk dalin në skenë asjëherë.
Fshiheshin!
Përse? Kishin frikë, apo nuk ishin ata pronarët?
Ish ministri i mjedisit tani është në pranga. Pronarët e inceneratorëve janë në kërkim dhe kompanitë janë sekuestruar!!!!
Në ceremoninë e përurimit të inceneratorit të Elbasanit, në prill 2017, kryeministri tha:
“I jam mirënjohës ministrit të mjedisit dhe ministrit të financave, që megjithëse gjirokastrit, e zgjidhi qesen deri në fund…”
Mos duhet që të ndahet me dikë edhe fajësia e ministrit të mjedisit, ashtu si lavdia dikur?
Në tetor 2020, unë kam debatuar në studion e Opinion me ish ministrin e financave, Z. Arben Ahmetaj, i cili këmbëngulte se Klodianët nuk kanë asnjë lidhje me inceneratorët, se Stela ishte një sipërmarrëse e suksesshme, se Mërtiri u gjet rastësisht në makinën e tij në Maqedoni, etj etj…