Nuk kanë fund surprizat nga rinumërimi i votave të 25 prillit. Prej disa ditësh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të rinumërojë 1/10 e votave në disa qarqe të vendit, ku rezultatet kanë qenë surprizë.
Nga kutitë e para rezultonte se kandidatët e PS në Durrës i kishin vjedhur votat kryeministrit Edi Rama, ndërkohë nga të dhënat më të fundit rezulton se nuk kanë mbetur pas ish-kryeministri Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Nga 323 qendra votimi të verifikuara rezulton se në Tiranë, Berishës i janë tjetërsuar 34 vota.
Në këto kuti më 25 prill ai ka rezultuar me 718 vota, ndërsa tani ka shkuar në 752 vota. Po ashtu vota i janë marrë dhe Monika Kryemadhit në Tiranë. Sipas KQZ, Kryemadhi deri tani rezulton me minus 4 vota. Kryeministri Rama në Durrës ka humbur 11 vota, ndërkohë që bie në sy fakti se Kryedemokrati Basha ka më shumë vota se sa i takojnë. Deri tani ai rezulton me 26 vota më tepër.
Emrat që kanë më shumë vota se më 25 prill
Duke marrë të dhënat e KQZ, gazeta ka bërë një listë me emrat që kanë tjetërsuar votat dhe ata që kanë mbetur të grabitur. Ajo që bie në sy është se pasi u mbyll numërimi i votave për partitë, kandidatët kanë futur në lojë komisionerët për të shtuar votat në emrat e tyre, mirëpo KQZ ka zbuluar skandalin.
Nga radhët e PS renditja është kjo: Eduard Shalsi, 80 vota tepër; Ylli Shehu, 46 vota tepër; Saimir Hasalla, 25 vota tepër; Taulant Balla, 25 vota tepër; Rrahman Rraja, 19 vota tepër ; Elisa Spiropali, 18 vota tepër ; Toni Gogu, 9 vota tepër. Nga radhët e PD është kjo renditje: Lefter Gështenja, 116 vota tepër; Zef Hila, 104 vota tepër; Lediana Fratari, 47 vota tepër; Orjela Nebijaj. 30 vota tepër; Lulzim Basha, 26 vota tepër; Isuf Çelaj, 21 vota tepër; Agron Gjekmarkaj, 18 vota tepër; Agron Shehaj, 17 vota tepër; Lindita Metaliaj, 14 vota tepër; Gazment Bardhi, 10 vota tepër.
Emrat që iu vodhën votat
Gazeta ka bërë dhe një renditje të deputetëve apo kandidatëve që u janë vjedhur më shumë vota. Nga PD rezultojnë më të grabiturit: Mark Marku, i janë vjedhur 38 vota; Helidon Bushati, i janë vjedhur 36 vota; Sali Berisha, i janë vjedhur 34 vota; Flamur Hoxha, i janë vjedhur 19 vota; Alfred Rushaj, i janë vjedhur 17 vota; Flamur Noka, i janë vjedhur 15 vota. Ndërsa nga PS rezultojnë: Fatmir Xhafaj, i janë vjedhur 60 vota; Belinda Balluku, i janë vjedhur 36 vota;
Gerta Duraku, i janë vjedhur 26 vota; Benet Beci, i janë vjedhur 20 vota; Xhemal Qefalia, i janë vjedhur 18 vota; Edona Bilali, i janë vjedhur 15 vota; Luljeta Bozo, i janë vjedhur 13 vota; Edi Rama, i janë vjedhur 11 vota. Ndërsa nga LSI: Agron Çela, i janë vjedhur, 23 vota; Monika Kryemadhi, i janë vjedhur 5 vota. Ndërkohë mësohet se KQZ po përgatit një padi penale për të gjithë komisionerët që kanë tjetërsuar votat. Sapo të mbyllet numërimi ata do të shkojnë për ndjekje penale.