Hapja e listave duket se ka rritur konfuzionin brenda Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në 30 korrik mazhoranca dhe opozita parlamentare miratuan me 106 vota në Kuvend ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapin rrugë hapjes së pjesshme të listave për deputetë dhe heqjes së koalicioneve parazgjedhore. Këto ndryshime pritet të diskutohen nga ekspertët dhe do të reflektohen në Kodin Zgjedhor, ndërkohë që gazeta ka mësuar se deputetët socialistë, por edhe ish-deputetët demokratë janë tejet të paqartë, në ankth dhe konfuzë për disa arsye.
Hapja e listave do të thotë se do të kemi një garë mes individëve. Gjatë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor PD do të këmbëngulë që të kemi hapje 100 për qind dhe nëse ndodh kjo atëherë sipas burimeve, do të kemi furtunë në të dyja partitë kryesore. Deri më sot deputetët i zgjidhnin krerët e partive dhe një pjesë e madhe tyre nuk kanë kontribut fare në PS apo dhe në PD. Ndërkohë që me lista të hapura duhen individë që mbështeten nga baza dhe po ashtu që kanë popullaritet në komunitet.
Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e deputetëve aktualë të PS, si dhe një pjesë akoma më e madhe e ish-deputetëve të PD nuk do të jenë fare në lista. Gazeta ka mësuar se kryeministri Rama ja u ka bërë të qarta degëve që duhet të piketojnë njerëz që kanë njohje, kryesisht mjekë, në mënyrë që në garën direkt ata të kenë mbështetjen e elektoratit.
Ndërkohë në të njëjtën situatë ndodhen edhe ish-deputetët e Partisë Demokratike, teksa burime nga selia blu i pohuan gazetës se ankthi dhe konfuzioni në ta është rritur edhe më shumë, pas vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha për t’i futur në skaner dhe për t’ia besuar strukturave edhe anëtarësisë së partisë përzgjedhjen e emrave që dëshirojnë që të garojnë nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PD me heshtjen e ditëve të fundit ka treguar se në një farë mënyrë do ta pranojë hapjen e listave që mbështetet nga mazhoranca dhe opozita parlamentare dhe do të hyjë në garë me këto rregulla loje.
Kështu që duke qenë se ngritja e komisionit brenda selisë blu dhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka për qëllim në vetvete sjelljen e prurjeve të emra të rinj që pritet të garojnë si kandidatë për deputetë nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2021, mësohet se shumë nga emrat aktualë pritet të mos rikandidojnë. Megjithatë mbetët për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Nga ana tjetër edhe ata pak emra që mendojnë se mund të kandidojnë sërish, janë tepër konfuzë se si do të procedohet. Kjo do të thotë se nëse një emër do të përzgjidhet për të garuar për deputet nën siglën e PS, ai duhet t’i bëjë mirë llogaritë, sepse kandidimi përmes hapjes së listës është një formë gare mazhoritare, ku do të fitojë më i forti.
Pra, në kushtet kur në hapja e listave do të jetë në nivel qarku, kandidati për deputet është i detyruar që të bëjë një fushatë të fortë jo vetëm me kundërshtarët e tij, por edhe brenda partisë së vet. Kjo pasi për të marrë sa më shumë vota, një kandidati për deputet i lipset që të sulmojë, kritikojë edhe kandidatët që vijnë nga partia e tij. Po ashtu, arsyeja e dytë se përse është rritur ankthi tek deputetët socialistë është fakti se ata nuk e dinë ende ku do të garojnë.
Logjikisht me lisa të hapura secili emër duhet të garojë në vendlindjen e tij, por problemi është se shumë deputetë të PS, kanë pasur përplasje me bazën. Të gjithë e mbajnë mend se si kryeministri Rama ja u ndryshonte zonat elektorale për arsyen e vetme sepse shumë emra atje ku kishin qenë në zgjedhjet e mëparshme nuk kishin dhënë mjaftueshëm. Pra një rikthim në zonat e tyre elektorale mund t’i penalizojë. Por nga ana tjetër kandidimi i një emri që nuk përfaqëson zonën mund të sjellë kosto akoma më të madhe sepse banorët nuk e njohin. Për këtë arsye në PS janë të gjithë në akth për të mësuar se si do të procedojë shefi i qeverisë.