Telashet për pushtetarët e korruptuar nuk kanë të sosur. Teksa SPAK javën që vjen merr jetë dhe do të ketë në fokus zyrtarë të lartë, në ndihmë këtij institucioni i ka ardhur edhe Zvicra. Një ditë më parë u bë e ditur se ky shet ka hequr anonimatin për llogaritë bankare për vendin tonë. Duke filluar nga viti 2011, bankat e Zvicrës janë të detyruara të japin informacione për çdo kërkesë të autoriteteve shqiptare.
Dihet botërisht se Zvicra është ndër vendet më të preferuara të pushtetarëve për të fshehur paratë e paligjshme, pasi deri më tani ka qenë në fuqi një ligj që detyronte bankat të mbanin sekret të dhënat. Por tani që Parlamenti vendosi të bëjë ndryshime, pritet që të fundosen me dhjetra politikanë në vend. Një rol në këtë mes do të ketë padyshim dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Sipas raporteve ndërkombëtare, mbi 1,3 miliardë dollarë janë fshehur në bankat e huaja dhe për SPAK sfida më e madhe do jetë gjetja e tyre. Pak kohë më parë në faqen zyrtare në internet të EURALIUS, është postuar një dokument, në të cilin flitet mbi shembullin kroat që do ndiqet nga Shqipëria. Gjatë periudhave të ndryshme, prokurorë dhe gjyqtarë të zyrës kroate të luftës ndaj korrupsionit, USKOK kanë qenë në Tiranë dhe kanë zhvilluar një sërë trajnimesh.
Në dokument jepen detajet e këtyre trajnimeve dhe deklarata që kanë dhënë ekspertët e USKOK. Interesant është fakti se ata i kanë kushtuar rëndësi shumë të madhe pastrimit të parave dhe fshehjes së tyre jashtë vendit. Për këtë arsye është theksuar dhe se me ngritjen e SPKA, do ketë asistencë kroate në këtë aspekt. Por si do zbulohen paratë e fshehura? SPAK pritet që të ndjekë shembullin e USKOK dhe sipas dokumentit, do jenë rreth 11 agjenci të ndryshme botërore me të cilat do punohet. Në krye qëndrojnë Interpol dhe FBI. Prokurorët e SPAK do këmbejnë informacione me këto dy agjenci. Po ashtu pritet që të ketë marrëveshje bashkëpunimi me disa agjenci të tjera si: Eurojust, Europol, FATF, Rrjeti Gjyqësor Evropian, DEA, si dhe me agjencitë ligjzbatuese si Carin, Aro, Egmont Group. Sapo të ngrihet SPAK, me këto institucione pritet që të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi.
Shtetet aleate
Një tjetër element që do të ndodhë me ngritjen e SPAK, është nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit me një sërë shtetesh të BE. Sipas informacioneve do detajohen të gjitha veprimet që do kryejë secili shtet, ku do lindë detyrimi që të jepet çdo informacion që ka të bëjë me fshehjen e pasurive, duhet që të vihet në dispozicion. Marrëveshje pritet të ketë me vendet e BE, por dhe përtej kontinentit. Po ashtu SPAK pritet që të ndihmohet në gjurmimin e parave të fshehura në baka a kompani off-shore.
Mënyra e zbulimit të parave
Mënyra se si do bëhet zbulimi i parave të korrupsionit është e përcaktuar në ligjin për SPAK. Aty thuhet se do jetë një drejtori e posaçme që do merret me bashkëpunimin ndërkombëtar, ku do japë dhe marrë informacione për çdo zyrtar, prokuror a gjyqtar. Sipas ligjit, sektori për bashkëpunimin ndërkombëtar, bashkëpunon me autoritete kompetente të shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare; cakton anëtarë në strukturat e përbashkëta hetimore, të krijuara në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare ose në bazë të një marrëveshje për një rast konkret, me qëllim hetimin, ndjekjen penale apo përfaqësimin në gjyq të veprave penale të korrupsionit; mbikëqyr hetimet e përbashkëta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, zbatimin e legjislacionit të brendshëm, si dhe respektimin e sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe informon në lidhje me problemet e identifikuara apo çështjet e debatuara, të cilat nuk mund të zgjidhen nëpërmjet konsultimeve me organet kompetente të një shteti tjetër apo përfaqësuesve të tij, informon pa vonesë Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, i cili, nëse është e nevojshme, kërkon mendimin ose ndihmën e ministrisë kompetente. /Kliti Topalli