Pas këshilltarëve të Tiranës, Belshit, Fierit, Gjirokastrës, dje nga Lëvizja Socialiste për Integrim janë larguar dhe katër këshilltarë bashkiakë të qytetit të Vlorës. Të larguarit e Vlorës i janë bashkuar PS.
Këshilltarët e Vlorës, ndryshe nga largimet e tjera, kanë gjetur një arsye “origjinale”, duke e lidhur mosqëndrimin në LSI, pasi kjo forcë politike është aleate me Partinë Demokratike dhe kjo e fundit ka lidhje me oligarkë rusë.
“Duke parë situatën politike në vend dhe zgjedhjen tonë në listën e LSI-së, si një forcë politike që do të ishte krah qytetarëve dhe në mbështetje të tyre, ne konstatojmë me keqardhje se LSI ka humbur integritetin e saj, ka humbur qëllimin e saj. Konstatojmë se LSI ka konsoliduar një aleancë të dyshimtë, duke dalë në mbrojtje të PD-së, e cila së fundmi është duke dalë hapur se mbetet e financuar nga oligarkët rusë”, thekson deklarata e përbashkët e katër këshilltarëve të larguar nga LSI.
DISTANCIMI
Më tej, në qëndrimin e tyre, ish-këshilltarët e LSI-së, që tashmë do të votojnë për Partinë Socialiste, theksuan dje se kjo forcë politike nuk u distancua nga PD, por i doli në krahë kur u publikua skandali i financimeve të dyshimta nga Rusia.
“Përkundrazi, LSI jo vetëm nuk e ka dënuar këtë akt të kësaj force politike, por i ka dalë në krah dhe duke e mbrojtur me forcë.
Konstatojmë me keqardhje se LSI nuk është më një forcë politike në ndihmë të qytetarëve, por një forcë politike në mbrojtje dhe mbështetje të disa drejtuesve të lartë të saj dhe interesave të tyre. Duke parë këtë situatë, kemi vendosur se është e pamundur që, të zgjedhur nga votat e qytetarëve të Vlorës, të vijojmë të mbrojmë interesin e tyre në forcat politike të LSIsë.
Prandaj, prej sot, e kemi të pamundur të vijojmë në këtë forcë politike, por interesat e qytetarëve vlonjatë dhe atyre që na votuan do t’i përfaqësojmë në forcën politike të Partisë Socialiste”, thanë dje këshilltarët e larguar.