Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë marrë në dorë dosjet e para. Pas zyrtarizmit të 27 emrave, mësohet se prej disa ditësh ka nisur me intensitet puna dhe hetuesve të rinj u janë dhënë në dorë çështje konkrete sipas profilit.
Disa do të merren me krimin e organizuar dhe disa të tjerë, që kanë profil ekonomik, do të merren me korrupsionin. Por interesant është fakti se amerikanët do të jenë personat që do të asistojnë dhe mbikëqyrin gjithçka. Të mërkurën u konfirmua se në Tiranë ka ardhur agjenti Steve Butler.
Por si FBI do të asistojë BKH? Agjentët do të kenë së pari rol këshillues dhe ndihmesa më e madhe e tyre do të jetë me pajisje dhe nivel ekspertize. Sipas burimeve, bashkëpunimi mes SPAK, BKH dhe FBI po bëhet në bazë të një marrëveshje të miratuar në vitin 2016. Sipas marrëveshjes, FBI dhe SHBA do të japin asistencën e tyre duke trajnuar prokurorët dhe gjyqtarët antikorrupsion, si dhe do të sjellin pajisje të teknologjisë më të fundit për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Trajnimi do fokusohet kryesisht te përgjimet dhe gjurmimi i parave të pista. “Programi për zhvillimin e Sektorit të Drejtësisë Penale (SDP) do të sigurojë asistencë për institucionet kryesore të drejtësisë penale të Shqipërisë, zyrtarët e Antikorrupsionit dhe agjencitë mbështetëse për të forcuar kapacitetin e Shqipërisë për të luftuar të gjitha format e krimit, në veçanti duke u fokusuar në përmirësimin e efektivitetit dhe cilësisë së procedimeve penale dhe forcimin institucional në këtë kuadër.
Rezultatet e projektit do të përfshijnë trajnimin, dhurimin e pajisjeve, asistencën teknike dhe këshillimin nga ekspertë të fushave, duke përfshirë ekspertët e Shteteve të Bashkuara pjesëmarrës nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Bisedimet për Zgjerim të Komisionit Europian”, thuhet aty.
Detajet e asistencës
Sipas saj, SHBA do ofrojë asistencë në 5 fusha kryesore. E para është rritja e kapaciteteve në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së dyti do të jepet asistencë në zhvillimin e drejtësisë penale dhe përmirësimin e legjislacionit.
Së treti do jepet ndihmë që gjyqet ndaj zyrtarëve të korruptuar të mbyllen sa më shpejt dhe të mos ketë më zvarritje. Së katërti, do jepet asistencë për të rritur aksesin e qytetarëve në drejtësi. Dhe së pesti do jepet ndihmë në realizimin e vetingut. Në marrëveshje theksohet se gjithçka do bëhet në koordinim dhe me Komisionin Europian. Në marrëveshje theksohet se fondet dhe detajet e saj mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
Po ashtu bëhet e ditur se përfaqësuesit e palëve do takohen dy herë në vit për të rishikuar progresin ndaj arritjes së objektivave të projektit. Gjatë trajnimit të agjentëve erdhi një agjente e FBI, ndërkohë tashmë një koleg i saj për rreth dy vite do jetë në pozicionin e këshilluesit. Sinjalet janë se në vjeshtë do shkohet te pushtetarët e korruptuar në vend.