Vishet me hije dyshimi konfirmimi në detyrë i Xhezair Zaganjorit. Pas seancës dëgjimore të mbajtur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të gjithë prisnin që kreu i Gjykatës së Lartë të ngelte në veting. Kjo pasi në pasurinë e tij u gjetën shumë mospërputhje dhe po ashtu kishte dyshime se është bërë evazion fiskal. Por vendimi ishte që Zaganjori e kalon procesin dhe do vijojë detyrën.
Ky vendim ka sjellë shumë pikëpyetje: Pse ndryshoi KPK qëndrim në minutat e fundit? A pati ndikim politik në vendim? A do e apelojë ONM vendimin? Ditët e fundit janë dhënë sinjale se ka pasur ndërhyrje shumë të forta politike që Zaganjori të mbetet në detyrë. Ata që e njohin drejtësinë, e dinë shumë mirë se Zaganjori është i besuari i Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Në vitin 2012 Zaganjori u projektua si president nga PD-LSI, ndonëse në minutat e fundit ndryshoi situata. Ditët e fundit janë dhënë sinjale se pikërisht politika ka futur duart në veting. Media dhe njerëz shumë të afërt të Presidentit Ilir Meta, kanë mbrojtur shumë fort Zaganjorin. Para se të merrej vendimi, këto media e paralajmëruan se ai do të rikonfirmohej në detyrë. Madje kishte dhe nga ato që vetëm e lavdëronin Zaganjorin duke kujtuar se ai nuk është akuzuar kurrë për asgjë dhe ishte ai që rrëzoi paktin e detit në 2009, kur ishte në Kushtetuese.
Po ashtu në këto media janë dhënë sqarime për pasurinë e tij duke treguar në fund se ai e meriton rikonfirmimin në detyrë. Në fakt kështu ndodhi. Edhe pse lista e shkeljeve të gjetura nga KPK ishte shumë e gjatë, Zaganjori çuditërisht u rikonfirmua në detyrë. Ai drejton një prej gjykatave që kanë mbyllur dosjet më të mëdha të korrupsionit.
Gjykata e Lartë amnistoi Lulzim Bashën, ajo nxori të pafajshëm vetë Presidentin Meta, ndërkohë që kopsiti Gërdecin dhe 21 Janarin. Anëtarët e saj po rezultojnë të korruptuar dhe rikonfirmimi i Zaganjorit ngre mjaft pikëpyetje. /Kliti Topalli