Nga Bledi Mane
Rreth një muaj më parë, Prokuroria e Posaçme dhe konkretisht prokurori Ols Dado, kërkoi deklarimin fajtor të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, për tjetërsimin e një sipërfaqe toke në fshatin Gjilekë, e cila i ishte dhënë me statusin investitor strategjik ish deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshortit të ish ministres Olta Xhaçka, për të ndërtuar një resort turistik.
Organi i akuzës kërkoi dënimin me 3 vite burg për ish kryebashkiakun, i cili ndodhet në burg prej marsit të vitit të kaluar. Më datë 19 shkurt 2025, ka qenë Alfred Beleri, i cili ka depozituar një kallëzim penal pranë SPAK ndaj rivalit të tij Jorgo Goro, në zgjedhjet për bashkinë e Himarës. Në kallëzim ishin edhe Artan Gaçi dhe bashkëshortja e tij Olta Xhaçka.
Kujtojmë se Alfred Beleri u dënua me 2 vitë burg, i arrestuar në flagrancë për shitblerje votash në zgjedhjet lokale për bashkinë Himarë, e pas kryerjes së dënimit u shpërblye me një mandat eurodeputeti nga Partia “Demokracia e Re” e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Arrestimi i Belerit, edhe pse në flagrancë, ndezi një debat të ashpër mes Athinës dhe Tiranës, ku Mitsotakis kërcënonte përmes vetos, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, në këmbim të lirimit dhe betimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
“Greqia pranoi dërgimin e letrës së BE-së në Tiranë për hapin e parë të fillimit të negociatave, por me kusht që në fazën tjetër të procesit të ketë një lëvizje të qartë që Beleri të marrë përsipër detyrat dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, si dhe prezumimin e pafajësisë. Përndryshe, Greqia nuk do të pranojë fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit”, shkruanin asokohe mediat greke.
Nga ana tjetër, vetëm 3 ditë para pretencës për kryebashkiakun socialist Jorgo Goro, më datë 10 shkurt 2025, ishte sërisht prokurori Ols Dado që do të kërkonte pranë GJKKO-së dhe përmes gjyqtarit Erjon Bani, ekzekutimin e masës “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Por çfarë e lidh Fredi Belerin me Jorgo Goron dhe Erion Veliaj? Në skenë del financierja Adela Kondakçiu
Me sa duket Athina nuk ia fali kurrë Tiranës burgosjen e “birit” të saj Dhionisis Beleri, edhe pse ky i fundit u arrestua në flagrancë për shitblerje votash dhe gjatë gjithë aktivitetit të tij si kreu i “OMONIA-s”, ka ngritur pretendime për Himarën se i përket pjesës veriore të Greqisë, pra vorioepirit dhe për ta fakt është, se disa banorë aty flasin gjuhën greke. Sipas organizatës minoritare greke, u ngritën pretendime se pas proceseve gjyqësore që rrëzojnë kërkesat e Fredi Belerit për lirim nga burgu, qëndronte Edi Rama.
Ndoshta për të goditur pushtetin e Edi Ramës, qarqet greke që premtuan hakmarrje ndaj kryeministrit, ngritën skema për të shantazhuar pozitat politike të disa zyrtarëve të lartë socialist.
Për ata që nuk e dinë, Adela Kondakçiu, financierja e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, është njëkohësisht dhe financierja e Artan Gaçit dhe bashkëshortes së tij, Olta Xhaçka. Kondakçiu del në të dy dosjet e SPAK, se ajo ka “çelësat” e financave të dy sipërmarrësve Xoxa dhe Gaçi.
Fredi Beleri i cili ka pretendime territoriale greke për Himarën, është personi që ka kallëzuar konkurrentin e tij Jorgo Goro dhe investitorin strategjik në bregdetin e jugut Artan Gaçi.
Prapa hetimeve të SPAK qëndron prokurori Ols Dado, i cili ka kërkuar masa arrest me burg në mungesë për të dy kryebashkiakët socialist, Goro dhe Veliaj, njëkohësisht dhe klientët e Adela Kondakçiut. Sipas disa investigimeve të mediave të tjera, rezulton se Dado në vetedeklarimin e tij, pohon se ka pasur një ndërprerje tre mujore në fillim të vitit 1993 deri në Prill të po atij viti, për të bërë në Greqi një kurs filozofie.
Në ato vite, shqiptarët që kanë emigruar herët kujtojnë si shteti fqinj kishte nisur “operacionin fshesa” për të riatdhesuar emigrantët shqiptarë që jetonin në Greqi, por jo prokurorin, i cili pasi përfundoi me “sukses” kursin, u kthye të vijojë shkollën për jurist. Për këtë kurs, mediat ngren dyshime se prokurori nuk disponon asnjë certifikatë që provon se ka ndjekur specializimin për fushën e filozofisë.
Pretendimet e prokurorit Ols Dado për të dhënë masën “arrest me burg” ndaj Erion Veliajt i ka vulosur gjyqtari Erjon Bani, një çam mysliman i konvertuar në grek ortodoks. Si shumë familje myslimane çame të spastruara etnikisht prej shtetit grek, pas Luftës së Dytë Botërore në 1944, edhe familja “Bani” u dëbua nga Paramithia dhe erdhi në Shqipëri. Ajo u vendos në rrethinat e Sarandës.
Brahim dhe Feruze Bani janë gjyshi dhe gjyshja e gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Bani. Brahimi dhe Feruzeja lindën e rritën në Sarandë tre djem, njëri prej tyre quhet Ramiz, babai i Erjon Banit. Ramizi u martua me Irfanën, nënën e Erjon Banit. Të gjithë të shndërruarit “Bani” nga çamë shqiptarë në ortodoksë grekë, përfituan dokumentet dhe pasaportat e shtetit fqinj.
Të gjithë ata që përmendëm më sipër, drejtpërdrejtë apo tërthortë kanë një lidhje me qarqe të errëta greke, që promovojnë aneksimin e vorioepirit, e me sa duket kjo e ka një çmim…!
Kush është Fredi Beleri
Kujtojmë për lexuesin se Dhionisios Alfred Petro Beleri, rezulton i dënuar me 3 vite burg për nxitje dhe urrejte nacionaliste, vendim i dhënë nga gjykata e Vlorës në vitin 2003. Së fundi u dënua nga GJKKO me 2 vite heqje për korrupsion në zgjedhje.
Beleri është hetuar edhe për “Masakrën e Peshkëpisë”, dosja e cila është rihapur disa herë por pa sukses duke u arshivuar pa autorë. Për herë të fundit ajo u rihap në vitin 2019 nga ish prokuroria për Krime të Rënda për tu pushuar nga SPAK.
Posta Kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër, u sulmua më 10 prill të vitit 1994. Posta u përball me një sulm agresorësh grekë, të cilët, pasi vranë rojën, ushtarin Arsen Gjinin dhe komandantin e repartit, kapiten i parë, Fatmir Shehu, plagosën efektivë të tjerë dhe grabitën gjithë armatimet në tërheqje e sipër.
Beleri tentoi të kandidonte edhe në vitin 2019 për bashkinë e Himarës, si kandidat i pavarur por nuk u lejua nga komisioni qëndror i zgjedhjeve. Shak u bënë shkeljet që iu gjeten në formularin e dekriminalizimit.
Kur Berisha ndodhej në një tubim në Athinë, dy kandidatët e Partisë Demokratike dhe PBDNJ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri dhe Petro Gjikuria, morrën pjesë në tubimin e organizuar për autonominë e jugut të Shqipërisë, siç thonë grekët… vorio epiri. Pas përfundimit të tubimit, ata i janë bashkuar më pas Berishës në takimin e tij në kuadër të turit të diasporës që do të mbahej me shqiptarët që kanë emigruar, jetojnë dhe punojnë prej dekadash në shtetin fqinj.