Nisi që në natën e 25 prillit, kur dolën exit-pollet, e vijoi dje gjithë ditën, kur disa panelistë që njihen si përkrahës të Ilir Metës, vijuan sulmet ndaj mazhorancës, me akuza për blerje votash.
E nisi Andi Bushati, e vijoi Enton Abilekaj, për të vazhduar me Fatos Lubonjën, Arjan Çanin etj.
Mirëpo ka një standard të dyfishtë që këta panelistë ofrojnë në publik; një standart që e përdorin më shumë si sulm, por jo si argument.
Sulmojnë mazhorancën për sulmin politik ndaj LSI-së, por nuk kanë shprehur dënimin e distancimin e prerë, ndaj veprimeve që LSI ka zbatuar deri tani, si një fenomen i shëmtuar.
E kjo është një hipokrizi e pastër, gjë që Fatos Lubonja në fakt nuk e ka, pasi përdor teorinë, më mirë tre banda, sesa një bandë.
Por ky argument nuk shkon politikisht dhe kjo tregon se ata nuk denjojnë të lexojnë votën e qytetarëve.
Leximi më i thjeshtë që mund të bëjnë ata është se gjysma e shqiptarëve që prej dhjetëra vitesh votojnë Partinë Socialiste; pra 50%.
E kjo votë nuk është se ka ndryshuar. Jemi në një grup votuesisht nga 700 deri në 800 mijë veta.
E këtë e kemi bërë të ditur me kohë në TemA, si pjesë e analizës mbi ecurinë dhe tendencën e votës në Shqipëri.
E në këtë rast është emblematike rasti i Fatos Lubonjës, kur Sokol Balla i tha se personi që po shkarravit fletët e votimit në Tepelenë është komisioner i LSI-së.
E mbylli gojën; nuk nxori edhe një dënim direkt për njeriun dhe logjikën e forcës politike që rekruton këto njerëz që i pajis me një kërkesë e urdhëra të tillë politikë.
Nuk mund të kërkohet një politikë normale, pra që t’i jepet fund tribalizmit, kur tribalizmi dhe klientelizmi ofrohet nga ata si alternativë politike.
Ka qenë pikërisht Ilir Meta dhe filozofia e tij që ka sjellë votën pro Edi Ramës më 25 prill dhe jo e kundërta.
Të gjitha të tjerat janë derivate. Tom Doshi nuk mund të quhet shkaku, kur procesin e nxit presidenti i Republikës që ka një vit që darkon e feston me të hurit e të litarit, që kanë një tabelë penale të zezë, të cilën Meta i premton se do t’ja fshijë.
Ky është shkaku, kjo është pikënisja e asaj që ka ndodhur më 25 prill.
Fatos Lubonja e Andi Bushati kanë nxitur opozitën të marrë edhe pushkët kundër Edi Ramës, por kur Meta bënte thirrje për të marrë pushkët i thonin bravo.
E kjo është një logjikë që e kthen analizën politike në një llogore, ku Bushati e Lubonja nuk kanë njerëzit e penës, por pushkët e mbushura të Ilir Metës…/TemA