Një numër i pabesueshëm artikujsh e postimesh janë publikuar për nitratet në ushqime në mass mediat dhe social mediat shqiptare. Me përmbajtje, nga po na helmojnë, çfarë hamë, te aparatet janë të paçertifikuar thotë eksperti. I shtyrë nga këto filloj të kërkoj në internet nëse kjo ndodh vetëm në Shqipëri apo ka ndodhur dhe në vende të tjera. Aparatet shiten kudo, në çdo vend, e ndoshta mund të ketë artikuj ku tregohet se përdoruesit e tyre janë të shqetësuar. Mbretëri e Bashkuar (UK) nuk ka artikuj, Itali po ashtu.
Por, në vitin 2017 në një gazetë të Dubai drejtori i Laboratorit Qëndror thotë se këto aparate që përdoren në shtëpi për nitratet janë të pabesueshëm sepse testet duhet të bëhen nga laboratorë të çertifikuar e specializuar. Më tej ai thotë se ata janë të lidhur me sistemet e lajmërimit të shpejtë për mbi 10 milion ton ushqime të importuara, përveç kontrolleve e analizave të inspektoreve vendas sipas standarteve. Pikërisht të shikojmë të dhënat e RASFF të EU – Sistemi Europian i Sinjalizimit të shpejtë për ushqimet.
Në fjalë më të kuptueshme është sistemi ku doganat, autoritet vendase, e vetë kompanitë prodhuese kur kryejnë kontrollet e gjejnë ushqime jashtë normave të të gjitha llojeve i rregjistrojnë në sistem në menyrë që të informojnë autoritetet, institucionet dhe publikun lidhur me problemin e konstatuar si dhe të njoftojnë masat që do të merren për tërheqjen e asgjësimin e produktit. Sistemi që nga krijimi në vitin 2001 deri në datë 23 gusht 2024 ka gjithësej 20,853 njoftime. Nqs jeni kurioz dy të fundit (kur u aksesua online) janë për aflatoksinë në një parti me kikirikë nga USA, e një parti me kikirikë organikë nga Kina. Nga vendet e EU një parti pulash polake del me salmonelë. Nga të gjitha këto 21 mijë njoftime, për nitratet ka njoftime për vetëm 18 raste të kapura, nga të cilat vetëm një e konsideruar në nivelin serioz, për një parti me ushqim bebesh organik me origjinë nga Franca. Pjesa tjetër më e madhe janë parti me spinaq me origjinë nga Italia, si dhe spinaq nga Franca dhe Hollanda, por të gjitha të rregjistruara me risk si jo serioz. Ka dhe dy raste me nënprodukte peshku dhe një sallam.
Autoriteti i Sigurisë Ushqimore Europiane (EFSA), i cili ka vendosur dhe normat e nitrateve e nitritive në ushqime thotë se duke krahasuar riskun potencial të nitrateve me benefitet a të mirat për shëndetin që marrim nga perimet, efektet pozitive mbizotërojnë mbi ato negative. Për informacion, që shpesh nuk dihet nga publiku sasia ditore e nitrateve e konsideruar e sigurtë është 3,6 mg nitrate për kg të peshës trupore në ditë. Burimet e nitrateve janë ushqimi, në radhë të parë perimet me gjethe si spinaqi, lakra, sallata, radhiqet,etj. si dhe uji i pijshëm e mishi i përpunuar. Mqs uji dhe mishi i përpunuar presupozohen të dihen sa sasi kanë sepse jane të rregulluar e të kontrolluar, sasia e nitrateve që mund të merret me ushqim ndryshon shumë në varësi të dietës- dieta me shumë perime jeshile presupozohen të kenë përmbajtje më te lartë nitratesh. Sasia e nitratit në perime varet nga shumë faktorë si përdorimi i plehrave kimike, sezonaliteti, drita, varieteti, etj. Drita ështe një faktor i rëndësishëm ku perimet jeshile nga vendet a rajonet me më pak dritë ose ato të dimrit kanë më shumë nitrate se ato të rajoneve me më shumë dritë dhe të verës. Edhe koha kur mblidhet apo vilet prodhimi influencon, ato të mëngjesit kanë më shumë nitrate se ato të mbledhura/vjelura në darkë për shkak të ekspozimit ndaj dritës.
Rukola apo rradhiqja konsiderohet si një ushqim i mirë me vlera të larta antioksidante, vitamina, hekur, fibër, etj., por në të njëtën kohë ka përmbajtje të lartë nitratesh deri në 7000 mg/per kg në varësi të kultivimit. Të konsumosh edhe 50 gr në ditë do të thote të tejkalosh normën ditore fare lehtë. Studiuesit thonë se pikërisht vitamina C, fibrat, antioksidantët i neutralizojnë dhe i tejkalojnë potencialet negative të nitratit të perimeve. Konsumi për pak ditë mbi normat e rekomanduara nuk paraqet probleme, sepse nitratet eliminohen shpejt nga organizmi, madje ka shumë studiues që thonë nitratet “e shumta” në perime janë të mira për shkak se ndikojnë në uljen e tensionit të eneve të gjakut,ndikojnë pozitivisht tek zemra, rritin rezistencën, e performancën sportive, etj. Nuk po flasim për viagrat natyrore apo ato “artificiale” me bazë azoti/nitrati.
EFSA si dietë të shëndetshme rekomandon 400 gr fruta dhe perime në ditë për njeri, të cilat duhet të ndryshojnë vazhdimisht. Këshilla për ata që mund të kenë probleme me nitratet është të njihen me vlerat mesatare që kanë perimet, frutat, uji i pijshëm dhe mishi i përpunuar në mënyrë që të kenë një dietë të planifikuar për të mos e tejkaluar për kohë të gjatë normën e 3.6 mg per kg, shumëzuar me peshën e njeriut
A do te ishte mirë të kishte një aparat që i mat direkt në shtëpi sasinë e nitrateve që mund të ketë pjepri, shalqiu, spinaqi, domatja, etj. ?
ESFA të cilës i referohemi për normat nuk ka çertifikuar ende asnjë aparat të tillë, as FDA në USA. Do të na duhet në shtëpi ende të marrim lapsin, e një copë letër per pak llogari. Nqs keni një smartphone a kompiuter, çdo program i inteligjencës artificiale e bën këtë punë për ju – të bëjë një dietë javore me të cilën mbetesh brenda normave të rekomanduara. Nqs inteligjenca artificiale më e përparuar mund të jetë edhe me pagesë, mgjths nuk nevojitet, nuk kushton më shumë se aparatet e nuk është justifikim pagesa sepse shumë njerëz kërkojnë të dinë ku blehen këto aparate. Fakti që këto aparate shtëpiake shiten lirisht në EU apo USA nuk i bën të çertifikuara kundrejt asaj që thonë se masin. Fusha e shendetit është një nga fushat më të abuzuara lidhur me aparatet elektronike çudibërës, ka dhjetëra paisje si byzylykë, modulatore, çipe, etj., të cilat të shërojnë nga çdo lloj dhimbje e shqetësimi, krijojnë jonizime, eliminojnë valët, kursejnë naftën e makinës, e deri te gjetja e personave të humbur.
Mbani parasysh që dieta mesdhetare e cila bazohet në perime jeshile, fruta, sezonalitet, llojshmëri, etj. është pasuri unike e njerëzimit, e njohur nga UNESCO sepse ka pak sëmundshmëri e shumë jetëgjatësi.
Duke kërkuar në vendet fqinjë, në Maqedoninë e Veriut, Insitituti i Shëndetit Publik atje ka publikuar një mënyrë shkencore që në vitin 2016 si mund të masim në pak kohë nitratet në ushqime. Kjo për metodat rajonale nqs duam. Maqedonia ka më pak njoftime në RASFF se ne. Edhe ata ende nuk mund t’a bëjnë në shtëpi matjen me ngul e shkul aparatin, zgjidh frutin, të del ngjyra, duhet pak punë ose metoda “Reverse Phase Ion Pair Chromatography “ siç thotë studimi i tyre.
RASFF ka një listë eskportesh bujqësore shqiptare me probleme ku për fat të keq një pjesë e madhe janë në nivel “serioz”, kryesisht për pesticidet. Në total janë 37 njoftime me origjinë malli nga Shqipëria. Asnjë për nitratet. E pikërisht ky është problemi, a është aparati nitrat kërkues më i zgjuar, e më i besueshëm se sa institucionet ? Do të shpenzojmë energji, kohë, para për këta aparate me ngjyre floriri apo për problemet e vërteta që kemi ? Përdoruesit e këtyre aparateve besojnë në vlerat “negative”, ato të larta mbi normë, e i konsiderojnë të sigurta ato perime që dalin mirë, brenda normave. Por, aparati nuk ka çertifikim e rrjedhimisht çdo matje është e dyshuar si të dalë brenda normës, si të dalë jashtë saj. Problemi real që kemi është se duhet të punojmë shumë më shumë për pesticidet, helmet e tjera e karencën e tyre që të mos kemi ndotje në ushqim. Të dhënat nuk tregojnë nitratet si problem në ushqime edhe pse ka shumë për të folur, informuar. Nqs duam probleme me nitratet, po kemi, uji i puseve e burimeve mbetet një problem, duhen matur e monitoruar vazhdimisht, punishtet e pakontrolluara të sallameve e peshkut mbeten problem. Ajri me “nitrate” nga makinat diesel (me naftë) mbetet problem.
Institucionet shqiptare janë ato që janë, shpesh edhe ndërkombëtarët, psh FAO në udhëzimet se si duhet të ushqehemi në Shqipëri thotë se në vend të yndyrave duhet të përdorim margarina të lehta. Margarinë ??? Kush nga ne thotë jemi vend mesdhetar, kemi vaj ulliri ekstra të virgjër, një nga ushqimet më të mira të botës, ik pir.. o njeri, ha margarinë. AKU publikon pothuaj rregullisht njoftimet e RASFF lidhur me Shqipërinë, por nuk ka pothuaj asgjë për kontrollet në Shqipëri. Dy raste bllokimesh janë të vitit 2022. Insitituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë shërben më shumë si duket të çertifikojë postimet në Facebook të Ministrit, të cilat i rishpërndan rregullisht. Në një postim të tillë ata thonë se kanë analizuar gjatë viti 2024, 8353 kampionë.
Në Mbretërinë e Bashkuar një lajm i bujshëm ishte se aplikimet për degët bujqësore në universitet e UK janë rritur së fundmi me 20 %. Këtë ato e shpjegojnë me efektin Clarkson, ose më mirë të serialit “Clarkson’s Farm”, i cili po shtyn më shumë të rinj të bëhen fermerë, agronomë e veterinerë. Në Shqipëri edhe pagesa 40 mijë lek në muaj, më shumë se një rroge minimale nuk i shtyn të rinjtë të studiojnë në UBT . Madje fermerët thonë pse të prodhojmë më, kur prodhimi nuk shitet e ne akuzohemi “si helmues”, e blerësit pse të blejmë mall vendi, kur social media mbushen me matje të pamatshme.
Autoriteti Europian ka dhënë normat, me laps e letër, ose me inteligjencë artificiale siç e bëra unë, po inteligjence artificiale falas është edhe kalkulatori në celular, duhen bërë pak llogari me laps e letër, të lexojmë pak më shumë nga ata që kane vendosur rregullat e normat që kërkojmë, përpara se të perdorim tastierën, aparatin, apo ekranin – si të jemi të sigurtë për dietën lidhur me nitratet në perime, pjepër, ujë, e po të doni dhe ajër.
Një mënyrë edhe më e mirë për kontrollin e nitrateve dhe të ndotësve të tjerë në ushqime janë praktikat e duhura bujqësore. Për këtë duhen edhe më shumë fonde për fermerët, më shumë edukim e informacion, më shumë vemendje nga politika e shoqëria për problemet reale të ushqimit e bujqësisë.
Nga Fatos Fico /Ekspert i Zhvillimit Rural