Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbi godinën e shembur në bregdetin e Vlorës, ka sjellë edhe njëherë në vëmendje debatin mbi ligjshmërinë e ndërtesës të ofruar gjatë qeverisjes “Berisha” dhe urdhrin e prishjes të lëshuar gjatë qeverisjes “Rama”.
Që nga raportimi i qëndrimit të prerë të Strasburgut, janë sjellë edhe njëherë në arenën publike akuzat dhe kundër akuzat e palëve që kanë ndjekur prej afërmi zhvillimet rreth këtij objekti.
Nga njëra anë kemi akuzat për kryeministrin Edi Rama që e cilësojnë si shkaktar të një dëmi ekonomik prej 13 milion eurosh dëmshpërblim, dhe nga ana tjetër gjejmë akuzat e forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha për favore ndaj investitorit kryesor Xhaferr Isufi gjatë periudhës kur shërbente si ministër në kabinetin “Berisha”.
Pronari i 35 apartamenteve në godinën e prishur njihet si vjehrri i liderit të opozitës dhe sipas kalkulimeve do të përfitojë rreth 9.8 milionë euro dëmshpërblim.
Ndërkohë në tabelë e afishuar prej GJEDNJ-së, renditen edhe 18 pronarë të tjerë ku 16 prej tyre dispononin nga një apartament dhe që do mund të përfitojnë shumën dëmshpërblyese nga 90 deri në 200 mijë euro.
Pas “betejave” të gjata mes mazhorancës, opozitës dhe banorëve të Vlorës, janë qytetarët shqiptarë ata që do të duhet të paguajnë faturën e kripur prej 13 milionë eurosh e cila pritet të akordohet nga buxheti i shtetit.
Por çfarë fshihet mbrapa lejes ndërtuese pjesërisht mbi det, urdhrit të prishjes për t’i hapur rrugë “Lungomares së Vlorës” dhe cilat kanë qenë dinamikat e përplasjeve institucionale dhe politike nëpër kohë? Ne ju sjellim të pasqyruara më poshtë ngjarjet e njëpasnjëshme.
Fillimet e objektit
Nëse do të vërejmë hartat satelitore dhe do të shqyrtojmë dokumentacionin e kohës, gjejmë një projekt godine prej 3000 metrash katrorë ku kërkohet që zbatohet në një hapësirë rreth 600 metër/katrorë.
Megjithëse duket absurde në pamje të parë, ky projekt mundi të siguronte mes zhurmës mediatike dhe politike të gjitha lejet për të vënë në jetë zbatimin e tij.
Duke parë pozicionin e ngushtë ku do të ngrihej objekti, asaj kohe lindi nevoja nga ana e firmës ndërtuese për të zgjeruar hapësirën duke ngrënë në këtë mënyrë disa metra prej rrugës nacionale Sarandë-Vlorë dhe shkeljen e vijës detare. Fill pas kësaj Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë doli me një vendim ku legjitimoi katërkëndëshin e truallit nga 600 m2 në 1663 m2. Ndërkohë nga ana tjetër Zyra e Regjistrimit të Pronave dokumentoi menjëherë vendimin duke thjeshtuar procedurat e regjistrimit.
Ndërhyrjet në hapësirën ujore dhe rrugore, mund të vërtetohen thjesht duke krahasuar pamjet satelitore para dhe pas ndërtimit të objektit ku në det u hodhën masive të mëdha gurësh për të siguruar bazat e ndërtesës.
Edhe pse u kontestua dhe debatua shumë, kompleksi “Jon” mundi të ndërtohej mbi tokë dhe pjesërisht mbi ujërat e gjirit të Vlorës që ndryshoi krejtësisht gjendjen e tij.
Përplasjet në Bashkinë Vlorë dhe Shpëtim Gjika
Nëse i referohemi të gjithë dokumentacionit të publikuar në mediat e kohës, mund të konstatohet se objekti është ngritur mbi një skandal ku shkeljet ligjore shtrihen zinxhir nga institucioni në institucion.
Edhe pse përgjegjësia ka ngelur e pasuar nga njëri tek tjetri, për ndërtimin e këtij pallati janë shkelur thuajse të gjitha nenet e përcaktuara nga ligji për “Urbanistikën” veçanërisht neni 70 që nënvizon zonat turistike bregdetare, liqenore dhe kontinentale.
Që leja është marrë në mënyrë abuzive kjo tashmë është e vërtetuar mediatikisht por jo institucionalisht. Investitorët kanë mundur të sigurojnë të gjithë dokumentacionin përkatës pavarësisht shkeljeve ligjore nën “hundën” e drejtësisë e cila i ka lënë të veprojë duke përshkallëzuar skandalin.
Pa veprimin e organeve përkatëse, institucionet kanë luajtur “pin-pong” akuzash duke i krijuar ndërtuesve terrenin e përshtatshëm për të ndërtuar.
Akuza të forta u adresuan asaj kohe edhe ndaj Bashkisë Vlorë. Ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika e mohoi që të ketë dhënë leje ndërtimore për këtë objekt duke shtuar se ka qenë KKRT-ja e cila pajisi investitorët me një të tillë.
“Unë di që për këtë objekt, që informohem se është folur sot, është dhënë leje ndërtimi nga KKRT-ja e qarkut në vitin 2010, që asokohe përbëhej me shumicë anëtarësh nga Partia Demokratike. Unë kam ardhur në krye të bashkisë Vlorë në vitin 2011, dhe afër mendjes nuk kam asnjë lidhje me këtë objekt,”shprehej Gjika.
Vendimi i prishjes dhe Lungomare
Pas ardhjes në pushtet, kryeministri Edi Rama zgjodhi qysh në vendimet e para për të firmosur projektin e “Lungomares së Vlorës”, të cilin e kishte premtuar gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.
Pjesë e këtij plani ambicioz ishte edhe shembja e një sërë objektesh gjatë vijës detare ku sipas parashikimeve ligjore, të gjithë pronarët që dispononin dokumentacionin përkatës do të përfitonin dëmshpërblim.
“Për realizimin e projektit të Lungomares është e nevojshme të luftohet informaliteti, sa i takon ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare, si dhe të shmanget trafiku i madh. Projekti parashikon krijimin e hapësirave të gjelbërta, si dhe krijimin e vendeve të caktuara për parkimin e automjeteve,” -ky është një pasazh i shkurtër nga projekti i studios belge “XDGA” që u përzgjodh fituese për projektin e shëtitores.
Pjesë e skemës ishte edhe kompleksi i investitorit Xhaferr Isufi, ku në fillim do të aludohej politikisht si një hakmarrje e qëllimshme e shefit të qeverisë Rama ndaj kundërshtarit të tij politik Lulzim Basha.
Në raportin e parë për ndërtesat që do të prisheshin, vlera e këtij objekti u përcaktua nga vlerësuesit e shtetit 11 milionë euro, shumë kjo që duhej pagur si dëmshpërblim.
Investitorët e “Jon” nuk u pajtuan me këtë shifër dhe zgjodhën rrugën ligjore duke paditur shtetin shqiptar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nën pretendimin se shuma e akorduar duhet të jetë më e lartë.
Strasburgu dhe Avokatja e Popullit
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi që pala akuzuese të dëmshpërblehej me 13 milionë euro nga shteti. Pra rreth 2 milionë euro më shumë se sa shifra fillestare e përpiluar nga vlerësuesit shqiptar.
Strasburg ka gjykuar çështjen në bazë të dokumentacionit të paraqitur nga palët, por pa u marrë me hetimin se si ish-ndërtuesit i kanë përfituar ato.
Trupa gjyqësore në bazë të padisë, kishte për detyrë thjesht të shqyrtonte vlerën e dëmshpërblimit.
Partia Socialiste reagoi për këtë vendim përmes sekretarit të Përgjithshëm Taulant Balla, i cili adresoi një sërë akuzash ndaj avokates së popullit Erinda Ballanca që në atë kohë ishte avokate mbrojtëse e ish-ndërtuesve. “Vetëm sot e kuptova se arsyeja pse zonja Ballanca nuk e bëri betimin, lidhet me faktin se ajo ishte nisur për në Strasburg për të përfaqësuar si trupë mbrojtëse vjehrrin e Lulzim Bashës (dhe veten) kundër Shqipërisë, në ditën pasardhëse. Pra, më 23 Maj 2017 në Strasburg, në Gjykatë (GJEDNJ), gjendeshin përballë Avokatja e Shtetit në mbrojtje të Shqipërisë kundër Avokates së Popullit (të zgjedhur) në mbrojtje të interesave të Lulzim Bashës,” -u shpreh Balla.
Ndërkohë nga ana tjetër, kryedemokrati Lulzim Basha deri më tani nuk ka bërë asnjë koment lidhur me vendimin.
Siç duket ka pasur një koordinim të brendshëm për heshtje, pasi aktorët politik të Partisë Demokratike nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike mbi shumën e parave që shteti shqiptar i detyrohet kryesisht vjehrrit të Bashës, Xhaferr Isufi.
Vetëm ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar vendimin duke e cilësuar fajtor kryeministrin Edi Rama duke mos dhënë shpjegim mbi lejet e marra gjatë qeverisjes së tij.
“Nuk eshte 13 milione por 2 miliarde euro gjoba e urrejtjes patologjike te skizofrenit Edi Rama per shqiptaret!” shkruan Berisha në Facebook. /Andrea Dangellia