Nga Andis Gjoni
Në verën e vitit 1942, në lokalin “Flora” në Tiranë, hyri një zonjë me një kapele që e mbante drejt mbi kokë. Nga pamja dukej aristokrate. Ishte ndalur atje për të pë rshëndetur djalin e saj të dajës, Esat Dishnicën, i cili punonte në atë lokal. Në ato kohë atje qëndronte në ilegalitet edhe Enver Hoxha, të cilin autoritetet fashiste e kërkonin për veprimtarinë e tij komuniste. Ai me siguri e njihte zonjën, si gruan e një gjirokastriti të nderuar, inxhinierit Çefo Fico.
Pasi u përshëndetën e folën pak, Enveri ju drejtua zonjës: “Po nuk mbahet kapellua kështu, moj zonja Mebi – dhe me duar, ja uli pak nga njëra anë, duke bërë që streha e gjerë e kapelës, të merrte një kënd anësor, duke i dhënë një pamje më çapkëne aristokrates. Më pas ai vazhdoi – “Po kur të fitojë komunizmi, nuk do kesh më kështu kapelash”!
Aristokratja ishte Mebi Fico, gjyshja ime. Këtë ngjarje, ajo ma ka treguar vite më vonë, por interesant mbetet fakti, që fjala e atij që do bëhej njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë, nuk u vërtetua, pasi gjyshja ime, mbeti përherë një aristokrate edhe në vitet e komunizmit. Ajo, ndoshta nuk vuri më “kapella” me strehë, për ca kohë, deri kur erdhi në Amerikë, por me siguri di të them, që ajo gjithmonë mbeti një zonjë e madhe, edhe gjatë ditëve më të vështira.
Mebi Starova (Fico), lindi pikërisht sot 100 vjet më parë në Pogradec, më 14 Mars 1917, dhe ishte vajza e vogël e Hajdar Bej Starovës. Familja e saj e pasur dhe me shumë prona, i siguroi që në fëmijëri një jetë shumë të rehatshme, mes bollëkut dhe mirëqenies. Gjyshi i saj, Istref Starova, bëri të mundur hapjen e shkollës së parë shqipe në qytetin e tij.
Ai, ishte martuar me kushërirën e mbretit të Egjiptit dhe siç tregonte gjyshja, nusja kishte ardhur e shoqëruar nga dy shërbëtore zezake dhe dy kuaj race Egjypti, shumë të bukur, sepse nusja kish prurë edhe një pajë të madhe, transportuar me mushka të ngarkuara me qilima e hejbe, të mbushura me flori e stolira.
Babai i saj ishte një njeri largpamës dhe shumë inteligjent. Ai jo vetëm kishte trashëguar një pasuri të madhe por, e kishte shtuar edhe më tepër, duke e futur në punë shumë mirë paranë, me investime nga më të ndryshmet. Kështu ai ndërtoi tregun modern të qytetit, investoi në centralin elektrik, solli disa traktorë për punimin e tokave, ndërtoi kinema, në një kohë kur edhe qytete më të mëdha, si Durrësi dhe Vlora, nuk kishin kinema në atë kohë.
Gjyshi gjithashtu botoi gazetën e parë të qytetit dhe ndërtoi një hotel modern. Në të njëjtën kohë, ai mendonte edhe për popullin e atij qyteti dhe të mirën e përgjithshme, si në rastin e pajtimit të një inxhinieri francez, gjatë Luftës së Parë Botërore, me qëllim që të bënte planin rregullues të qytetit të Pogradecit.
Dëshira e Hajdar Starovës, ishte që; jo vetëm ai të prosperonte me pasurinë e tij, por i gjithë qyteti të lulëzonte, për këtë arsye pajtoi inxhinier Garrikun, një francez, që kish ardhur me trupat ushtarake franceze, gjatë luftës. Aq me vlerë ishte ky studim urbanistik, saqë baza e planimetrisë së francezit, u bë themeli i asaj që do ndërtohej në qytet, për gjatë gjithë shekullit të XX-të dhe veçanërisht e asaj shëtitoreje të bukur, që edhe sot admirohet nga qytetarët dhe vizitorët në qytetin e Pogradecit.
Që në fëmijëri, Mebi u dallua për një zgjuarsi të lindur. Kurdoherë e kishte përgjigjen në majë të gjuhës dhe gjithmonë dilte fjala e saj, në çfarëdo situate të ndodhej, me një vendosmëri e vullnet të hekurt, e arrinte atë që donte.
Sigurisht që njeriu më i pasur i qytetit, u kujdes që fëmijët e tij, të merrnin shkollimin më të mirë të mundshëm e, për këtë arsye, e dërgoi edhe vajzën e tij të mësonte në shkollën e Dakos në Tiranë, e cila ishte shkolla e famshme e motrave Qirijazi, që kishin hapur të parën mësonjëtore të gjuhës shqipe, në periudhën e Turqisë. Shkolla ishte vetëm për vajza.
Në atë shkollë, Mebi mësoi anglishten, italishten dhe frëngjishten, gjuhë në të cilat komunikonte lirshëm. Nën influencën e mësueseve amerikane dhe zvicerane, ajo mësoi edhe lëndët e shkencave dhe sidomos rregullat e sjelljes aristokratike në shoqëri.
Luante në piano (me katër duar) me shoqet e saj. Atje ajo zuri miqësi me shumë trashëgimtare të familjeve më të pasura e të nderuara të Shqipërisë, miqësi që do vazhdonin për vite të tëra, deri në ditët e sotme, ku familja jonë mban marrëdhënie të rregullta me nipat dhe mbesat e shoqeve të saj të shkollës.
Mbi të gjitha tek ajo dallohej një etje për të mësuar. E dashuronte artin e letërsinë dhe shijonte me kënaqësi të madhe ariet e operave, të cilat i dëgjonte në shtëpi me gramafon. Mbaj mend tek tregonte, se kur ishte pothuaj fëmijë, që të mos harronte titullin e operës së famshme të Puçinit “Toska” përsëriste me vete; “toskë dhe gegë”.
Në vitin 1938, u martua me inxhinier Çefo Ficon, të birin e diplomatit dhe shtetarit të shquar, Rauf Fico dhe menjëherë u nisën në një muaj mjalti, që në të vërtetë do zgjaste 4 muaj, nëpër kryeqytetet më të bukura të Evropës. Jeta e saj filloi në përkundjet e shëtitjeve me varkë, në “gjolin” e dashur të Pogradecit, dhe më pas vazhdoi me gondolat e Venecies dhe udhëtimet me vetura në bulevardet e Parisit, Berlinit, Londrës, Romës e, vite më pas, do të vazhdonte me udhëtimet me anije në Bahamas, Florida, Meksikë, Kanada, Nju Jork, e shumë qytete të tjera të SHBA-ve, ku ajo jeton prej 21 vjetëve.
Pas Luftës (1939-1944) do vinin ditë të vështira. Ajo nuk do kishte më shërbëtore, guvernante, kuzhiniere e shofer në shtëpinë e saj, megjithatë si zonjë e vërtetë, ju kushtua tërësisht familjes. Në vitet e persekutimeve të egra, shumë nga miqtë dhe farefisi, ja besuan pasuritë e tyre gjyshes tonë. Ajo i ruajti amanetet e tyre dhe pastaj ja u ktheu, kur kohët u qetësuan. Disa herë shkoi deri në një kamp internimi, e veshur si fshatare me shami në kokë, që t’i dorëzonte sendet e vyera që ja kishin lënë amanet për t’i ruajtur, disa kushërinjve që ishin atje.
Për vite me radhë, priti në shtëpinë e saj me ushqim e fjetje, gjithë kushërinjtë e persekutuar, në kohën kur farefisi i tyre, as nuk i përshëndeste në rrugë. Kur bashkëshorti i saj u sëmur rëndë, ajo shiti gjithë sendet e çmuara dhe xhevahiret, për ta shpëtuar dhe ju dedikua me vetëmohim shërimit të tij.
Ndoshta është rast unikal në historinë e komunizmit në Shqipëri, që në mes të Tiranës, në pallatin ku Mebi Fico jetonte përgjatë 45 vjetëve, banorët e shkallës 2, sigurisht nën ndikimin e aristokrates tonë, e thërrisnin njëri-tjetrin me; “Zoti” dhe “Zonja”.
Shtëpia e saj mbeti gjithmonë e zbukuruar nga qilimat persianë, abazhurët e floririt, tabakatë e argjendit dhe pikturat në mure. Çdo të enjte, kishte ditën e vizitave, ku priste e përcillte shoqet e veta, të cilave u shërbente gjithmonë çaj me biskota.
Të gjitha ngjarjet dhe faktet e mësipërme, përbëjnë në vetvete një lloj heroizmi, po të kemi parasysh se çfarë dënimesh e prisnin, në rast se emri i saj do vihej në rrethin e kuq. Edhe në këtë rast, kam përshtypjen që mirësjellja dhe jetëgjatësia e saj e shpëtoi, por veçanërisht respekti, që të gjithë kishin, për punën e palodhur të bashkëshortit të saj, inxhinier Ficos.
Gatimet e saj legjendare, të krijonin ndjenjën e një kënaqësie dhe bollëku të veçantë, edhe në vitet më të vështira të shtrëngesave ekonomike, ajo gjithmonë kishte të ruajtura “zahiretë”, si një nikoqire e përsosur. Me mua kishte një marrëdhënie të veçantë, përgjithësisht nuk më thërriste në emër, por thjesht “djali”, të gjithë e dinin mirë kuptimin, djali ishte mbi të gjithë.
Që në moshë të njomë më dhuroi një lugë, një pirun dhe një thikë argjendi, që kur të ulesha në tavolinë, të haja “si princ”, siç thoshte ajo. Dhe unë kam patur dhe ende kam, një lidhje të veçantë me të, çdo mbrëmje shkoj e takoj dhe kam kënaqësi të shkëmbej disa fjalë me të e, në fund me një puthje, t’i uroj një natë të mirë.
Mebi, gjithë jetën u dallua për një karakter të fortë, ishte elokuente dhe i shprehte shumë bukur mendimet, në sajë të botës së madhe shpirtërore që e karakterizon. Ajo kishte një kulturë të gjerë dhe një etje për të mësuar, madje edhe sot. Disa vjet më parë, kur ishte rreth moshës 90 vjeçare, e gjej një ditë të mërzitur. E pyes përse dhe m’u përgjigj: “Jam mërzitur, sepse kanali televiziv Francë Internacional, nuk flet më frëngjisht. E kanë kthyer në anglisht. Më parë e kisha mirë, sepse dëgjoja dhe e praktikoja frëngjishten”!
Sot ajo mbush 100 vjeç dhe sigurisht disa gjera kanë ndryshuar, por deri pak kohë më parë, kishte një regjim ditor të përkryer, me aktivitete, lexime dhe informacion të gjerë. I ndiqte lajmet përditë, në tre gjuhë të ndryshme e, po ashtu çdo ditë, për një ose dy orë, lexonte libra dhe revista. Dinte të “llafosej” me përpikëri, për çdo lloj teme. Nga ajo kemi patur gjithmonë se ç’të mësojmë. Çdokush që e ka njohur dhe ka folur me Mebi Ficon, ka mbetur i habitur dhe i kënaqur me bashkëbisedimin.
Miqtë e saj kishin vlerësimin maksimal, si në rastin e senatorit amerikan, Jeff Klein, i cili ndalonte makinën në rrugë që ta takonte dhe çdo vit, nuk harron t’i dërgojë kartolinë urimi, me rastin e ditëlindjes. Ajo di të të bëjë për vete, dhe gjithmonë ka zënë miq, me lehtësinë më të madhe, kudo dhe në çdo kohë. Një koncentrat mençurie dhe përvoje në marrëdhëniet njerëzore, që të habit me mprehtësinë e mendimit.
Sot sjell ndër mend me kënaqësi, që liria që fituam në vitin ’90-të, i zbukuroi jetën edhe gjyshes tonë aristokrate, e cila pati ditë dhe energji, të shijonte edhe një here, udhëtimet nëpër botë. Ajo është pjesëtare aktive e komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe gjithmonë ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, ekspozita, koncerte, ekskursione e veçanërisht, në festimet e ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, që e do aq shumë.
Mebi Fico, shëtiti shumë dhe pa shumë, u gëzua me fëmijë, me nipër e me mbesa e stërnipër. Ajo diti të ndërtojë një familje të mrekullueshme, edukoi tre breza dhe la një trashëgimi për t’u pasur zili. Ajo jetoi gjithmonë si një zonjë e nderuar dhe e respektuar.
Në këtë përvjetor të madh, ashtu si çdo vit në ditën tënde, që është edhe dita e verës, që në kohët që s’mbahen mend, ne do vemë në duar veroret e, do ndajmë kulaçin, që këtë herë do ketë një monedhë floriri brenda. Do qeshim e do gëzojmë, se kujt do t’i bjeri fati, që të marrë floririn këtë here, ashtu siç kemi bërë për vite me radhë, dhe për një gjë do jemi të sigurt, sot gjyshja jonë, i fryn qirinjtë e tortës së 100 pranverave, e lumtur, që të gjitha dëshirat ju plotësuan!
Mebi Fico, është dhe do mbetet një aristokrate e vërtetë shqiptare, jo vetëm sepse ishte e pasur materialisht, por sepse gjithmonë, pati pasurinë shpirtërore, më të madhe të mundshme, dashurinë për njerëzit. Gëzuar aristokratja jonë!