Në emisionin “Rudina”, këtë pasdite ishte e ftuar politikania e njohur Jozefina Topalli. Ajo është e martuar me Ndoc Topallin dhe kanë dy fëmijë, vajzën Megin dhe djalin Genarin.
Vajza Megi është bërë nënë e një djali të quajtur Nikolas në 16 gusht të vitit 2019. Gëzimi dhe lumturia në familjen e saj është e madhe dhe Nikolasi është një bekim dhe dhuratë nga Zoti, që i ka bërë ditët e tyre edhe më të bukura.
“Është një gëzim dhe një emocion shumë i veçantë, është një dhuratë e Zotit dhe unë e ndjej veten e privilegjuar që po shoh fëmijët e fëmijëve të mi. Djali i vajzës është kënaqësia dhe dashuria e madhe në familjen tonë”.
Në studio, Topalli tregon se ka përjetuar gëzim dhe dhimbje kur ka sjellë në jetë vajzën e saj, Megin, sepse babai i saj kishte ndërruar jetë dhe arkivoli i tij kalon para maternitetit ku ajo po lindte.
“Unë kur kam lindur Megin kam pasur edhe një histori të veçantë në fakt dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk kam qenë shumë e qetë. Sepse ditën që ka lindur Megi është bërë varrimi i babait tim.
Domethënë lindja është përshpejtuar për shkak se disa orë më përpara më vdiq babai. Dhe kujtoj që kur unë po lindja, kur Megi po lindte në maternitet, tamam tek rruga përballë maternitetit po kalonte arkivoli, kështu që ai ka qenë një moment me emocione tepër të forta, sa dhimbje aq edhe gëzim.
Por e di Rudina që këto ngjarje tepër të veçanta, që asnjeri nuk do donte t’i ndodhnin në jetë, të shënjojnë fort dhe të bëjnë të mendosh më shumë mbi jetën, gëzimin e një buzëqeshjeje, mbi rëndësinë e përqafimit brenda familjes, mbi rëndësinë e mirëkuptimit brenda nesh.
Sepse në fund të fundit, jeta është një spektakël i vërtetë dhe nuk duhet të humbim asnjë çast nga çdo ditë që ne e jetojmë atë”.
Topalli rrëfen edhe momentin kur ka mësuar për ardhjen në jetë të nipit të saj. Emocioni dhe gëzimi ka qenë i madh, aq shumë sa ajo nuk i ka mbajtur dot lotët:
“Atë ditë u ngatërruan përsëri gjërat. Unë kam marrë nënën nga Shkodra dhe e mbaj në apartamentin tim në Tiranë dhe kujdesem për të, sepse është shumë e sëmurë.
Ajo në përgjithësi është në shtrat dhe ne përpiqemi ta marrim dhe ta vendosim në karrocë, por nuk lëviz.
Dy ditë përpara filloi i hipi temperaturë e madhe, mjekët nuk dinin çfarë të bënin dhe thanë të bënim analizat. Ndërkohë që Megi u shtrua në maternitet, unë po vrapoja në spital për të bërë analizat për nënën.
Pastaj meqë analizat dolën mirë kam vrapuar në maternitet, kam shkuar 2-3 orë para se të lindte dhe kujtoj telefonatën.
Ishte një doktoreshë, më mori në telefon, por nuk më foli ajo, më nxori zërin e një fëmije që po qante dhe unë fillova të qaja bashkë me të. Ishte gjëja më e bukur”.