Rasti i parë që tronditi realisht opinionin publik dhe që u konsiderua si një akt hakmarrjeje kriminale ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, ndodhi më 19 shkurt 1999.
Viktima nuk ishte vetë një prokuror, por vajza e tij, Kozeta Hyseni, një studente 21-vjeçare, që u gjet e masakruar në Qytetin Studenti në Tiranë.
Babai i saj ishte prokuror në Vlorë, dhe pista kryesore e hetimit lidhej pikërisht me hakmarrje ndaj tij. Vrasja mbeti pa autor, por shënoi fillimin e një epoke të errët të frikës dhe kërcënimeve ndaj përfaqësuesve të drejtësisë.
Vetëm dy ditë më pas, më 21 shkurt 1999, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë në një atentat në Tiranë.
Ai u dërgua për kurim jashtë vendit, por ndërroi jetë pak ditë më vonë, në një avion drejt Italisë. Edhe kjo ngjarje mbeti pa përgjigje përfundimtare.
Më 30 shtator 2003, një tjetër viktimë indirekte e sistemit të drejtësisë u regjistrua në Tiranë: Genci Sina, shoferi i Prokurorit të Përgjithshëm të kohës, Theodhori Sollaku, u qëllua për vdekje në mes të ditës teksa shoqëronte familjen e tij.
Familjarët e viktimës deklaruan se ai nuk kishte konflikte personale, çka e bëri atentatin të lexohej si një mesazh i drejtpërdrejtë për Prokurorin e Përgjithshëm.
Por akti që paralajmëroi realisht se dhuna ndaj drejtësisë kishte kapërcyer çdo kufi ndodhi më 9 shtator 2011.
Gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi, u vra me eksploziv në makinën e tij teksa shkonte në punë.
Vrasja kishte të gjitha elementët e një atentati mafioz: e planifikuar, profesionale dhe shkatërruese.
Edhe pse u rihapën hetimet në 2013, autorët e kësaj vrasjeje nuk u identifikuan kurrë. Pista kryesore mbeti ajo e detyrës dhe çështjeve sensitive të pronësisë që kishte gjykuar.
Tetë vite më vonë, më 22 mars 2019, në një lokal në Elbasan, u vra me armë zjarri avokati Ravik Gurra, një figurë e njohur në rrethet gjyqësore.
Ngjarja ndodhi në një moment kur qyteti ndodhej në kulmin e tensioneve të grupeve kriminale dhe konfirmoi se edhe avokatët nuk ishin të përjashtuar nga vala e dhunës.
Asnjë person nuk u vu para përgjegjësisë për këtë vrasje.
Vetëm pak muaj më vonë, më 1 nëntor 2019, atentati në Shkozet ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja shënoi një tjetër akt të rëndë.
Në këtë ngjarje u vra shoferi i tij, Andi Maloku, dhe u plagosën vetë prokurori dhe një person tjetër në automjet. Edhe kjo ngjarje la më shumë pikëpyetje sesa përgjigje./Nga Klevis Hoxhaj