Nga Qerim LITA
Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, tërheqjen e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e tokave shqiptare nga aleanca orthodokse ballkanike, rifilloi procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike, për në Republikën e Turqisë. Dokumentet e zbuluara kohët e fundit, hedhin dritë se brenda vitit 1912 – ‘13, ushtritë pushtuese serbo-malazeze dhe greke, dëbuan me dhunë mbi 200.000 shqiptarë, pjesa dërrmuese e tyre u vendosën në Stamboll, Anadoll dhe në vise të tjera të Turqisë. Ndërsa, sipas një llogaritjeje të bërë nga Legata Shqiptare e Ankarasë, në vitin 1928 në Turqi, gjendeshin 27 – 30.000 familje shqiptare, të shpërngulura nga Kosova, trevat Lindore dhe Çamëria, duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913.
Për sa më sipër, shihet qartë se me përjashtim të disa rajoneve në pjesën lindore të Maqedonisë së sotme, ku siç dihet banorët myslimanë i takonin kombësisë turke (turk-juruk), të gjithë rajonet e tjerë ishin të populluara me popullsi shqiptare. Burimet e proveniencës policore e ushtarake jugosllave bëjnë të ditur se Beogradi zyrtar nuk ishte i kënaqur me Konventën e sigluar, duke kërkuar që asaj t’i shtohej edhe shkëmbimi i popullsisë, përkatësisht dëbimi edhe i 100.000 shqiptarëve të tjerë për në Turqi dhe vendosja e elementit ortodoks nga Turqia në Jugosllavi.
Mirëpo, këto shifra nuk i kënaqnin apetitet e pushtetarëve serbomëdhenj, sepse, sipas tyre, dëbimi i 400.000 shqiptarëve nuk i plotësonte “interesat e tyre shtetërore e nacionale serbe”, e që ishte “dëbimi deri në shqiptarin e fundit” nga tokat e tyre etnike dhe kolonizimi me elementë serbë e malazezë, për arsye se numri i përgjithshëm i shqiptarëve nën pushtimin e tyre arrinte shifrën prej rreth 732.000 banorëve. Nisur nga kjo, ata planifikonin nënshkrimin e një konvente të ngjashme sikurse me Republikën e Turqisë edhe me Qeverinë Mbretërore të Shqipërisë, për shkëmbim të popullsisë, përkatësisht dëbimin e 100.000 shqiptarëve myslimanë në Shqipëri dhe sjelljen e 100.000 shqiptarëve të krishterë (ortodoksë), që ata i konsideronin “serbë”.
Për realizimin e këtyre planeve antishqiptare, qeveria jugosllave parashikonte themelimin e Inspektoratit Suprem, me qendër në Shkup dhe me dy qendra rajonale: në Prishtinë e Pejë. Themelimi i këtij inspektorati u iniciua nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila në elaboratin me titull “Problemet dhe metodat e shpërnguljes së shqiptarëve dhe turqve nga Serbia Jugore për në Turqi”, hartuar më 23 tetor 1938, veç tjerash potenconte: “…Që të mund të zbatohet me trazira sa më të vogla kjo punë e rëndë e delikate për interesin shtetëror e kombëtar, nevojitet që sa më parë, që në muajin janar, të themelohet Inspektorati Suprem për shpërnguljen e shqiptarëve e turqve për në Azi, me qendër në Shkup, i cili do të ketë dy qendra të veta rajonale: në Prishtinë dhe Pejë…”.
Pikërisht këto projekte antishqiptare, e nxitën parinë shqiptare në Kosovë dhe Qeverinë Mbretërore shqiptare, që të ndërmarrin masa urgjente për ta penguar zbatimin e tyre në praktikë. Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë Jugosllave, më 5 gusht të vitit 1938, përmes një shkrese, njoftonte legatën e vet në Ankara, se para pak kohësh, një delegacion shqiptar i udhëhequr nga Ferhat bej Draga dhe Maliq Pehlivani kanë udhëtuar për në Stamboll. Ata në Turqi kishin udhëtuar për të vepruar te “Qeveria turke” që së paku në Konventën e sigluar kohë më parë të mos përfshiheshin shqiptarët. Për këtë çështje, Draga, deputetëve turq iu kishte dorëzuar një memorandum, në të cilin ishin përfshirë pikëpamjet e parisë së atëhershme shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë Jugosllave.
Tre ditë më vonë, përkatësisht, më 8 gusht, MPJ jugosllave, legatës në Ankara ia përcolli një letër, që deputeti turk Sabri Beu nga Stambolli ia kishte dërguar një mikut të tij në Beograd, ku veç tjerash në të shkruante se “nga Jugosllavia” kishin arritur protesta të shumta. Njerëz të caktuar, të cilët kishin udhëtuar për në Ankara dhe Stamboll, gjatë kontakteve me ministrat e Turqisë, iu kishin dorëzuar një promemorie të gjatë, në të cilën ata shprehnin revoltën e tyre kundër fushatës së egër të qarqeve ushtarako-policore jugosllave kundër popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në rrethinën e saj, për t’i detyruar ata të shpërnguleshin për në Turqi, edhe pse zyrtarisht ende nuk ishte themeluar këshilli për shpërngulje. Parashtresa të ngjashme iu ishin dorëzuar edhe anëtarëve të Kuvendit të Lartë Kombëtar.
Po kjo ministri, më 19 shtator 1938, njoftonte se Qeveria e Mbretërisë shqiptare, kishte vendosur që brenda disa ditëve ta dërgojë Mehmet bej Konicën për në Ankara, me qëllim të ndërmarrjes së “një aksioni te Qeveria turke” kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Sipas një analize të hartuar në nëntor të vitit 1939 nga MPJ të Jugosllavisë, M. Konica në Ankara kishte udhëtuar me urdhër të Mbretit Zog, duke i dhënë atij dy detyre të caktuara: “E para, thuhet në Analizë, është e karakterit të përgjithshëm, ndërsa e dyta i përket pakicës shqiptare. Z. Konica është dashur të veprojë te Qeveria e Turqisë që me rastin e zbatimit të Marrëveshjes për shpërngulje të mos e pranojë popullsinë shqiptare dhe të kërkojë praninë e një përfaqësuesi shqiptar në Komisionin për shpërngulje…”.
Ndërkohë, i deleguari bullgar në Tiranë, Pejev, më 14 tetor të vitit 1938 i raportonte Sofjes, për një takim të tij me ministrin e Punëve të Brendshme të Turqisë. Gjatë bisedës së zhvilluar, ministri turk ia paska përcjellë shqetësimet e Ankarasë, rreth akuzave të Tiranës zyrtare “kundër Qeverisë turke sa i përket çështjes për arritjen e Konventës turko-jugosllave për shpërnguljen e 250.000 myslimanëve nga Jugosllavia për në Turqi…”.
Kjo marrëveshje, thuhej më tej në raport “nuk niset nga një bazë solide”, sepse Turqia nuk ka kërkuar nga ajo konventë ta keqpërdorë elementin shqiptar në Jugosllavi, por ka zbatuar politikë në “grumbullimin e popullsisë së vetë – turke”, sepse konsiderohej se në Jugosllavi së paku “ka 150.000/në vend të maksimumit 50.000 siç dëshmojnë faktorët relevant shqiptarë/”, dhe nëse “ato parashikime tregohen si të pabaza, nuk përputhen me realitetin, nuk do të pranohen 250.000 vetë, por më pak”. Në vazhdim, Pejev shkruante për pakënaqësinë e Ankarasë rreth alarmit në Tiranë, “i cili alarm dhe pakënaqësi e ka tejkaluar edhe mirësinë turke”, në radhë të parë nga personalitete gjysmë-përgjegjëse shqiptare, të cilët për të njëjtën çështje “kanë prezantuar memoare” dhe kanë vënë në pah “ndërkëmbëza dhe akuza” kundër Turqisë.
Lidhur me udhëtimin e Mehmet Konicës për në Ankara, Pejevi shkruante se bashkëbiseduesi i tij ishte i bindur “për një pritje të mirë të Konicës”, mirëpo me siguri se “personalisht ai”, do të përmbahet nga përpjekjet publike kundër konventës së njëjtë turko-jugosllave. Në fund të raportit, Pejevi informonte edhe për takimin e një dite më parë të tij me deputetë të shquar shqiptarë, të cilët e kishin informuar se për marrëveshjen e njëjtë “disa deputetë kosovarë /për shembull Jashar Erebara/ kishin planifikuar të diskutojnë në komisionet përkatëse parlamentare ose të bëjnë “interpelancë rreth këtij rreziku për elementin shqiptar në Jugosllavi…”.
Ashtu siç qe paralajmëruar nga diplomati bullgar, më 16 nëntor 1938, Komisioni i posaçëm i zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Parlamentit Shqiptar, mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën u lexua mesazhi i Mbretit Zogu i I, me rastin e hapjes së “Sesionit të tretë të Legjislaturës së Tretë të Mbretërisë”, ku në mënyrë të qartë kundërshtohej Konventa Turko-Jugosllave e Stambollit. Pas kësaj para të pranishmëve foli deputeti shqiptar nga Dibra, Jashar bej Erebara, i cili, kërkoi si nga ana e qeverisë, po ashtu edhe nga populli “ta ushqejnë idenë e minoriteteve shqiptare” sepse siç vuri në dukje, numër i madh i shqiptarëve jetojnë jashtë Shtetit Shqiptar, të cilët “të paktën duhet të rrojnë si njerëz, të kenë shkolla shqipe e mos të merren nëpër këmbë…! Ata (serbët – Q.L.) punojnë për hesapin e tyne, se ashti i leverdisë dhe do t’i shkëmbejnë si turq, megjithëse mund të ketë edhe turq, po shumica janë shqiptarë. Prandaj mos të rrimë në gjum…”!
Fushëveprimi i Shtetit dhe i parisë shqiptare, krahas atij diplomatik u përqendrua edhe në aktivitetin e brendshëm i cili zhvillohej përmes mbledhjeve dhe tubimeve të ndryshme të organizuara anembanë trevave shqiptare nën pushtimin jugosllav. Tema boshtore e këtyre takimeve, siç bënin të ditur raportet ushtarake e policore jugosllave, ishte ndërprerja e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga vatrat e tyre. Armata III në Shkup, në janar të vitit 1938 i raportonte Komandës së Shtatmadhorisë në Beograd, për një propagandë të fuqishme që po zhvillohej në Dibër të Madhe kundër shpërnguljes.
Në referatin e hartuar në qershor të vitit 1938 nga Departamenti Informativ pranë Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, kushtuar aktivitetit të Komitetit të Kosovës, thuhej se anëtarët e dikurshëm të këtij komiteti: Maxhun Limani nga Krasniqja, Sali Mani nga Malësia e Gjakovës dhe Mehmet Alia nga fshati Vllahnje, kohët e fundit kanë mbajtur disa mbledhje, në të cilat “i kanë bindur qarqet e veta se së shpejti viset në Kosovë, me ndihmën e fuqive të mëdha, do të bashkohen me Shqipërinë”. Në qoftë se fuqitë e mëdha: “nuk do të arrijnë ta bindin Jugosllavinë që këto vise t’i jepen Shqipërisë”, atëherë në to, do të organizohej plebishit, me çka, përfundimisht do të realizohej kërkesa e kamotshme e shqiptarëve për bashkim kombëtar.
Ndërkohë, komandanti i Armatës III, Millan S. Jekmeniç nga Shkupi, e vinte në dijeni Shtabin e Përgjithshëm të Armatës, se Ferhat Draga kishte filluar një aksion në mbarë hapësirën shqiptare. Sipas vlerësimit të tij, nën ndikimin e aksionit të Ferhad bej Dragës dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare “propaganda shqiptare në Jug” asnjëherë nuk kishte qenë më e gjallë.
Veprimtaria atdhetare e Ferhat bej Dragës dhe bashkëveprimtarëve të tij, më së miri përshkruhet në Analizën me titull “Propaganda shqiptare”, hartuar më 12 mars të vitit 1939 nga krye-shefi i njësisë administrative në Shkup, Nik Dimitrijeviq. Në të, veç tjerash thuhej se pas vrasjes së Hasan Prishtinës, irredentizmit shqiptar i prinë Ferhat bej Draga, veprimtaria e të cilit “zbatohet përmes rrugës konspirative”.
Shenja të dukshme të veprimit të Dragës dhe miqve të tij, ishin “përpjekjet që shqiptarët të tubohen në radhët e ngushta, të zgjedhin njerëzit e tyre, të cilët do t’i përfaqësojnë në Kuvendin Kombëtar si dhe njerëzit e tyre në krye të administratave komunale”. Ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij ishin mësuesit e mësim-besimit fetar, hoxhallarët dhe zyrtarët e vakëfeve. Me qëllim “që kompaktësia të jetë sa më e madhe – thuhej më tej në analizë – ka ardhur edhe deri te pajtimi i gjaqeve e të kontesteve të tjera nga ana e parisë shqiptare”. Aktiviteti politik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përfshinte dy pika më të rëndësishme:
Sipas Konventës së sigluar, shpërngulja duhej të fillonte më 1 korrik të vitit 1939. Deri atëherë duhej të kryheshin të gjitha formalitetet e nevojshme si: nënshkrimi, përkatësisht ratifikimi i Konventës; hartimi i listave të popullsisë që parashikohej të shpërngulej në vitin e parë, sigurimi i mjeteve etj. Vdekja e kryetarit të Turqisë, Mustafa Qemal-Ataturkut (10 nëntor 1938) nga njëra anë, si dhe rënia e Qeverisë Stojadinoviq (mars 1939) nga ana tjetër, ishin shkaqet kryesore për vonesën e nënshkrimit të Konventës. Kjo çështje u aktualizua në pjesën e dytë të muajit prill 1939.
Ministri i Jashtëm jugosllav, Cincar Markoviq, më 20 prill 1939, i telegrafonte të deleguarit jugosllav në Ankara, Axhemoviq, për takimin e tij në Londër me homologun e tij turk, Rushdi Aras, i cili i paska deklaruar, se: “Turqia pas ngjarjeve të paradokohshme në Shqipëri”, nuk do t’i ndryshojë pikëpamjet e saj të mëhershme dhe se do të pranojë ta nënshkruajë dhe ta përfundojë Konventën. Një ditë më pas, Axhemoviq, pasi pajtohej plotësisht me C. Markoviqin, kërkonte që Konventa, të nënshkruhet dhe të ratifikohet sa më parë. Rrjedhimisht, më 25 prill 1939, Ministria për Punë të Jashtme e Mbretërisë jugosllave, përmes një letre të shifruar, autorizoi Axhemoviqin, që të bisedojë me autoritetet qeveritare turke për datën e nënshkrimit të atij dokumenti, si dhe ratifikimin e tij nga ana e dy parlamenteve.
Ky i fundit, më 4 maj 1939, i telegrafonte C. Markoviqit, se shefi i sektorit ballkanik pranë MPJ-së së Turqisë, i ka komunikuar me sa vijon: “…Qeveria e Turqisë është e gatshme ta nënshkruajë Konventën, mirëpo në situatën e tanishme është e detyruar të ndërpresë çdo aktivitet i cili nuk është në përputhje me mbrojtjen kombëtare. Për sa më sipër, pasi nuk ka mundësi ta zbatojë konventën, e ka patjetër ta shtyjë nënshkrimin. Mund të bisedohet vetëm nëse Jugosllavia është e gatshme ta rrisë kontributin e saj për financimin e shpërnguljes….”!
Në fakt, kërkesa më e re e autoriteteve turke, më së miri sqarohet në Promemorien që ata gjatë muajit korrik 1939 ia dorëzuan Legatës jugosllave në Ankara, përmes së cilës ata propozonin që “periudha e shpërnguljes totale”, të ndahej në dy pjesë, e jo në gjashtë, siç parashikohej me Konventë, dhe se: “shpenzimet totale të nevojshme për pjesën e parë t’i sigurojë tërësisht Qeveria jugosllave”, ndërkaq, Qeveria turke nga ana e saj: “të angazhohej për sigurimin e tërësishëm të shpenzimeve që kishin të bënin me transportin dhe vendosjen e gjysmës tjetër të të shpërngulurve …”.
Një kërkesë e tillë u refuzua nga ana e Beogradit, me çka përfundimisht dështuan planet ogurzeza shumëvjeçare të pushtuesve serbomëdhenj, të cilat parashihnin dëbimin, përkatësisht shpërnguljen e dhunshme të popullsisë shqiptare nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë politike për në Republikën e Turqisë, dhe kolonizimin e tyre me elementë sllavë, përkatësisht serbo-malazezë.
Natyrisht se, rol të rëndësishëm për mos ratifikimin e këtij dokumenti, pati edhe udhëheqja politike dhe diplomatike e Mbretërisë Shqiptare, e cila siç u theksua më lartë, menjëherë posa u informua për Marrëveshjen e arritur në Stamboll, e shtoi dukshëm veprimtarinë e saj politike dhe diplomatike. Në Kongresin e Lidhjes Botërore për ndihmë ndërkombëtare të Kishës, i cili u mbajt gjatë muajit gusht 1938 në Lavrik të Norvegjisë, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Visarion, me urdhër të Mbretit Zog, Komisionit të Lidhjes së Pakicave i dorëzoi një Promemorie, në të cilën vihej në dukje brenga e Qeverisë shqiptare, me rastin e zbatimit të “Marrëveshjes për shpërnguljen e turqve nga Jugosllavia” të mos shpërnguleshin edhe shqiptarët.
Më tej, në promemorie kërkohej të ndërmerreshin të gjitha masat e duhura, për ta penguar atë shpërngulje të shqiptarëve, ndërsa zbatimi i Konventës “t’i besohet një komisioni neutral”. Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, më 9 nëntor 1938, i shkruante Legatës së saj në Ankara, për jehonën e madhe në Kosovë, me rastin e emërimit të Xhuxhulit, për ministër i plotfuqishëm dhe i dërguari i jashtëzakonshëm shqiptar në Ankara: “Ministria e Punëve të Jashtme, thuhet në shkresë, është informuar se me emërimin e ish-konsullit shqiptar në Shkup, z. Xhuxhulin, si i deleguar fuqiplotë në Ankara, te popullsia shqiptare në Serbinë Jugore (Kosovë dhe Maqedoninë e sotme të Veriut – Q.L.) ka shkaktuar një jehonë të madhe pozitive dhe shpresë se, me ndërmjetësimin e tij, shpërngulja e popullsisë myslimane nga territori ynë do të hiqet nga rendi i ditës.
Popullsia shqiptare konsideron se Xhuxhuli është caktuar si i deleguar me qëllim që Qeverisë turke t’ia sqarojë dhe të dëshmojë se popullsia myslimane, jo vetëm në zonat kufitare me Shqipërinë, por edhe pjesët tjera të Serbisë Jugore, është e përkatësisë etnike shqiptare dhe jo turke. Prandaj, pranimi i atij elementi, i cili as për nga gjaku e as për nga gjuha nuk është i afërt me turqit, për Turqinë do të paraqiste një barrë, i cili vetëm se do të pengonte në riatdhesimin dhe organizimin që tash po kryhet në Turqi”.
Komanda e Xhandarmërisë së Divizionit të Qarkut të Vardarit në Shkup, i raportonte MPB në Beograd, për një mbledhje të parisë shqiptare të mbajtur më 20 mars të vitit 1939 në Tiranë, në të cilën është konstatuar se “Jugosllavia nuk do të mund të bëj shpërnguljen e shqiptarëve sipas Konventës së aprovuar ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë”, duke e pasur parasysh rënien e qeverisë së Millan Stojadinoviqit, dhe se edhe deri më sot, Parlamenti jugosllav dhe ai turk nuk e kishin marrë në shqyrtim atë Konventë e ajo as që ishte zbatuar.
“I deleguari shqiptar në Ankara, thuhet më tej në raport, me urdhër të Qeverisë shqiptare, ka ndërmarrë hapin e duhur te faktori kryesor i Turqisë për ta penguar zbatimin e asaj konvente, hartuesit kryesor të së cilës janë Qemal Ataturku dhe Stojadinoviqi. Qeveria shqiptare ia ka dërguar udhëzimet e nevojshme kryekonsullit shqiptar në Shkup, për ta njoftuar popullsinë shqiptare myslimane në Kosovë, se plani rreth shpërnguljes së popullit shqiptar ka rënë”!
Marrë në përgjithësi, nëse do t’iu referohemi burimeve diplomatike shqiptare të kohës, atëherë numri i shqiptarëve të shpërngulur nga Kosova, trevat lindore (Maqedonia e sotme Veriore), Lugina e Preshevës (Kosova Lindore), trojet shqiptare në Malin e Zi dhe Çamëria për në Republikën e Turqisë, nga luftërat ballkanike e deri në shpërbërjen e Mbretërisë Jugosllave, arrinte shifrën prej rreth 350.000 banorëve. Memorie.al