Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampioni i Bundesligës për sezonin 2023-24 edhe pse duhen pesë ndeshje deri në fundin e sezonit në elitën e futbollit gjerman. Pas 120 viteve nga krijimi i klubit (1904), “Aspirinat” shijojnë për herë të parë këtë trofe të lakmuar, duke shkruar historinë.
Duhej Xabi Alonso në stol, Granit Xhaka në regji dhe yje si Tah, Andrich, Tella, Hoffman, Boniface, Wirtz, Frimpong, Grimaldo dhe Schick me shokë që Leverkusen të shkruante historinë dhe të thyente dominimin 11 vjeçar të Bayern Munich.
Për javën e 29-të të sezonit, djemtë e Alonsos fituan 5-0 kundër Werder Bremen (Boniface, Xhaka, Wirtz (3x) autorët e golave) dhe me këtë sukses janë zyrtarisht kampionët e rinj në Gjermani. Tifozët ishin përgatitur për një festë të tillë, teksa dita e sotme ishte e veçantë për ta.