Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e rastit në homazhet e zhvilluara për shkrimtarin e madh Ismail Kadare në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Ai e nisi fjalim e tij duke shpjeguar se si lindi dekori me siluetën e Nënë Terezës në vendin ku po nderohet arkëmorti me trupin e pajetë të Kadaresë, duke theksuar se nën hijen e shenjtores së tij ai do të ndihej më i mbrojtur.
“Këtë hije të Nënës Terezë mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore. Ishte këtu. Kishte ardhur më parë.
Njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty, më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte. Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë.
Askujt nuk do t’i shkonte mendja çka rastësia e solli këtu, enkas për Ismailin dhe më mirë se sa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, assesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës.
Dhe duke e pasë njohur, e dita në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata shumë që s’e donin, po edhe nga ata jo pak që e donin po s’do t’i donte assesi rrotull, përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën”, u shpreh Rama.
by TaboolaSponsored Links