Nga Anri Bala
Lojrat “hidhe e prit” të strukturave të posaçme si GJKKO dhe SPAK, me një dosje korrupsioni si ajo e klubit Partizani, me një aferë prej 5 milion euro, ku askush nuk është i ndaluar përveç Abit, që siç duket e kanë lënë për të “pushuar”… duhet të ndalohen! Edhe një jurist mediokër, e kupton që familjes së Berishës, po i bëhen favore skandaloze.
Sot, sërisht, SPAK bëri një tentativë qesharake, që më tepër të ngjante me një “shfaqje” ligjore, sepse asgjë nuk pritej të ndodhte, pasi askush nuk do të guxonte ta kthente Berishën në arrest shtëpie, kur kjo masë shtrënguese pas mos paraqitjes, ishte e ezauruar dhe e kishte humbur fuqinë, sipas gjykatëses Davidhi.
Sali Berisha, e kishte masën detyrim paraqitje dhe kthimi në arrest shtëpie ishte një humor që të bënë për të qarë, duke mos patur asnjë provë detyruese. Berisha në fakt, nuk është gjykuar e as liruar, por është kthyer aty ku ishte para 1 viti, kur ngulte këmbë të arrestohej dhe të martirizohej, si një hajdut i akuzar politikisht.
Dosje si ajo e 21 Janarit, Gërdecit, CEZ-DIA, e vrasjeve të Tropojës… janë kalvari i gjatë ligjor përmes të cilit duhet të kaloi Sali Berisha, nëse ndonjë ditë “ASPAK”, sipas tij, do të guxonte ta hetonte.
Nëse dënohet ndonjë ditë dikush nga dosja “Partizani”, të gjithë do jenë të kënaqur me SPAK dhe GJKKO, sepse tashmë mbi 1 vit burg i ka kryer Berisha dhe me ritmin që po ecën organi i akuzës dhe provimi i tij i fajshëm deri në Apel, dhëndri, nëse shpallet fajtor, jo vetëm që e përfundon dënimin, por dhe duhet dëmshpërblyer.
Ndaj, SPAK si heroi i vitit që po lufton për shtetin ligjor, në realitet ka marrë në dorë shpatën për të kënaqur turmat, që hiqen si të etur për drejtësi, duke ulëritur në çdo cep e shesh për hakmarrje ndaj të “paudhëve” në pushtet, që çuditërisht janë qindra herë më pak fajtor se faqezinjtë, që sot vazhdojnë të rrinë shtruar këmbëkryq në sofrën e gostirave, nga ish pushteti i tyre krimnal.
Nëse, do bëhej sadopak drejtësi, secili prej tyre, duhet të ulëriste për atë që e pret… tmerri pa fund, nga frika e fundit të tmerrshëm dhe as të mos guxonte të ëndërronte se do të kthehej një ditë në pushtet me protesta imagjinare të mosbindjes civile, për të shpëtuar nga “diktatura” socialiste.
Por, këta as ulurasin nga frika dhe as tremben nga drejtësia, ndaj pëllasin kundër armikut SPAK, që në fakt duhet të jetë bashkëpunëtori i tyre, që nuk zbaton pikë për pikë kërkesat që kanë, e që u lodh duke ua pastruar jo vetëm rrugën,por edhe biografinë për pushtet, sa i ka lënë mangët… t’ia shtroj me lule./Ekskluzive.al