Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg vlerëson se procesi gjyqësor ndaj Arben Frrokut ka përmbajtur shkelje të të drejtave të tij dhe, si i tillë, duhet të rigjykohet, të paktën nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Mbrojtja e z. Frroku, përfaqësuar nga avokati Tonin Prendi, paraqiti një ankim në Strasburg për disa shkelje në çështjen Frroku. Më 14 janar të këtij viti, Gjykata dha verdiktin e saj.
Dispozitivi që pranon ankimin obligon Gjykatën Kushtetuese shqiptare të rigjykojë çështjen. Përveç arsyetimit të përmbajtur në pikën 22, ku sugjerohet gjyqësori shqiptar të shqyrtojë edhe një herë tërësinë e problemeve ligjore të ngritura nga mbrojtja, ky vendim përbën një dështim të gjykatave shqiptare në sigurimin e drejtësisë në rastin Frroku.
Dënimi i Arben Frrokut është konsideruar i padrejtë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duke e bërë rihapjen e çështjes një mundësi objektive për zgjidhjen përfundimtare të saj.
Ngjarja e ndodhur 12 vite më parë
Arben Frroku akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt 2013. Më 29 qershor 2015, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.
Më herët, në prill të po atij viti, pesë gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda e shpallën të pafajshëm Frrokun, duke e konsideruar të manipuluar dëshminë e të mbrojturit të drejtësisë.
Në qershor 2015, vetëm dy ditë para vendimit të Apelit, Frroku u arratis nëpërmjet Malit të Zi. Fillimisht u ndalua nga policia malazeze në kufirin me Kroacinë për arsye verifikimi, por më pas u la i lirë.
Më 6 mars 2016, ai u arrestua në Holandë, ku qëndronte i fshehur me një pasaportë greke të falsifikuar, me identitetin e Renato Tsepa. Fillimisht u ndalua për falsifikim dokumentesh, por pas verifikimeve rezultoi se ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.
Frroku kundërshtoi ekstradimin në Shqipëri, duke argumentuar se ndaj tij ishte zhvilluar një proces i padrejtë dhe se jeta e tij ishte në rrezik.