Ekskluzive/ Politikanët e djathtomajtës shqiptare (PD+LSI), nuk i kupton askush, se çfarë janë dhe kush janë, sepse janë si qenie pa fytyra, ose si fytyra pa emër, ose si askushi, ose si Polifemi… e ky është problemi i madh që kanë, e që nuk mund ta zgjidhin… identitetin. Ato, as nuk mund ta gjejnë, nëse e kanë humbur në vrimën ku janë futur, sepse aty ku janë, nuk ka fytyrë, por shpërfytyrim. As të majtë as të djathtë, ose djathtas-majtas dhe asgjëkund, sepse nuk ekziston djathtisti majtist!
E djathta e të djathtit, apo forcë politike e djathtë?! Por kjo na shfaqet çdo ditë, si një parti e ekstremit të majtë, e klasës punëtore, e të varfërve dhe luftëtare e madhe kundër atyre, që kontribuojnë dhe zhvillojnë shoqërinë, ndërkohë, që duhet të ishte si parti në mbrojtje të kapitalit, kapitalistëve dhe kapitalizmit dhe jo antikapitalizmin si djathtistë-marksist.
Mutacionin shqiptarë… e djathta majtiste, nuk e di se kush hoxhë e ka bindur, se”vetëm se e ke emrin Muhamet, je mysliman” dhe ato betohen se janë të djathtë, sepse ulen gjithmonë në kahun e djathtë, hanë në kahun e djathtë, flenë në kahun e djathtë, ecin në kahun e djathtë dhe veshin kollare blu.
Por, përpjekjet e vazhdueshme dhe sulmet butaforike kundër ndërtuesve, bankave dhe çdo biznesi apo biznesmeni, që tani u kanë prerë marrëdhëniet, janë shënjestra të luftës së tyre, tregojnë tjetër fytyrë të formacionit politik.
Këto, në fakt duken e nuk duken si djathtisto-majtist, që do të thotë… asgjë, as mish as peshk, as karrot e as presh, e mos paçin fatin e keq, që dalëngadalë tu harrohet emri dhe të thirren “Partia e Preshit”!
E djathta jonë, vetëm e djathtë nuk është dhe mund të meritoj të quhet me çdo emër, por kurrë nuk mund të quhet popullore, vetëm sepse e ka varur “distinktivin demokratik” në gjoks, kur të tillë kishte me shumicë në atë kohë. Do ishte shumë më përcaktues emri “Partia Komuniste e Paharruar”, sepse themeluesi i saj dhe drejtuesi kryesor, deri në vdekje, nuk do të ndryshonte dhe nuk ndryshoi kurrë.
Tani gjërat kanë ndryshuar dhe e “djathta majtiste” ka mbetur në mes të katër rrugëve, e duan ta marrin ato që flasin për revolucione dhe revolucionar. Megjithëse të plakur, ata nxitojnë që ta bëjnë edhe njëherë “tym e zjarr” Shqipërinë dhe as që u hiqet mendja andej, deri në vdekje, duke mos u frikësuar nga asgjë, sepse ndëshkimi u duket larg… me dylbitë e tyre.
Asnjë ndryshim mes mëndësisë, sjelljes dhe morisë pafund të krimeve, që i atribuohen partisë së vjetër, ku militoi udhëheqësi, deri kur ndërroi emrin dhe datëlindjen, e partisë së re, që ka një emër maskë… demokratike e SHQUP?!
Është trimëri e madhe të vraposh drejt vdekjes, si kaskador pa mjete, por nëse shteti do të bëhet shtet, partisë pa identikit do i harrohet emri, por jo SHQUP-it!
“Çekiçi” i ri, për t’i vënë me shpatulla për muri, ata që kanë shkelur 25 herë Kushtetutën dhe ata që bëjnë thirrje publike për rrëzime, përmbysje, marrje të pushtetit me dhunë, armatosje dhe tërheqje zvarrë të kundërshtarit, është i vetmi ngushëllim për ne dhe zgjim për ata./Ekskluzive.al