Një bilanc për Lulzim Bashën, “fitues” në këto gjashtë vite si kryetar i Partisë Demokratike, asaj që ai e quan Republika e Re, por edhe opozitës në përgjithësi, është mjaft i thjeshtë. Mjafton të kthehesh pas në kohë, të renditim datat dhe ngjarjet për të parë të gjitha “fitoret” e tij. Këto “fitore” janë një bilanc i shtruar dhe i qartë, që askush nuk e mohon dot, megjithëse Basha asnjëherë të vetme nuk ka thënë se ka humbur.
Prandaj edhe ne në bilancin e tij po i quajmë të gjitha fitore dhe nuk po themi se ai ka dështuar ndonjëherë.
Në zgjedhjet e 22 korrikut, 2013 ai fitoi përballë të ndjerit Sokol Olldashi, por në fakt fitorja e tij ishte e neveritshme. Garën Sokol Olldashi e pati me Sali Berishën, i cili dhjetë ditët e fundit u sul në garë sikur të ishte vetë kandidat përballë rivalit Olldashi. Basha fitoi me kuti që mbusheshin plot e përplot, në Kamëz, Vorë e të tjerë. Me njerëz të kërcënuar nga vetë Berisha atëherë, nga militantët apo mbështetësit e tij, në dyert e shqyera të selive në Korçë, Durrës e gjetkë, me të përjashtuar e kështu me radhë.
Kjo ishte “fitorja” e parë e Lulzim Bashës, që do të sillte “fitore” të tjera, të njëpasnjëshme të tij.
Filloi një betejë kundër Ilir Metës, por atyre që kanë pak memorje politike, iu kujtohen akuzat në lidhje me ngjarjen e Tom Doshit. Basha në atë kohë akuzoi Ilir Metën si hajdut, se kishte frikë nga Kastriot Ismailaj, se PD nuk do ta falte skandalin e CEZ-OSHEE-së, që kishte bërë Edi Rama, me firmën e Ilir Metës, ku ky i fundit ishte zhytur atje brenda bashkë me LSI-në.
Por, sot e ka harruar. Kio ishte “fitorja” e parë e Lulzim Bashës si kauzë kundër korrupsionit, që në fakt u harrua dhe askush nuk e përmend më. Kastriot Ismailaj ndodhet në burg, ai kërkon të flasë. Askush nuk e dëgjon, megjithëse ka një përgjim me numrin e Ilir Metës, që i kërkon disa qindra mijëra euro.
Shkojmë më tej tek Reforma në Drejtësi, ku Lulzim Basha bërtiste dhe buçiste se nuk do ta votonte kurrë atë reformë, sepse nuk ishte e drejtë, se do të sillte një dështim dhe se ndërkombëtarët nuk kishin pse të merrnin sovranitetin e Shqipërisë.
Bën një hap fatal, duke e votuar me vrap Reformën, pa kaluar ligjet e tjera, të cilat i ngelën në dorë qeverisë, që më pas së bashku me LSI-në, bëri ndryshimet e nevojshme. Në atë kohë ishte edhe vetë Ilir Meta që qahej për Reformën, por “fitoren” e shpalli Lulzim Basha.
Më tej, shkojmë në zgjedhjet lokale të vitit 2015, ku PD-ja merr vetëm 14 bashki, duke e shpallur kështu fitore dhe duke thënë se kishte marrë më shumë vota se në vitin 2013.
Por, nga ana tjetër kishte braktisur dhe nuk kishte marrë pjesë, në mënyrë skandaloze, në Reformën Administrative, duke e shpallur edhe atë si fitore. Reformë e cila pasojat sapo i dha, edhe në zgjedhjet e 30 qershorit.
Më tej Lulzim Basha po merrej me riorganizimin e PD-së. e filloi në 2014-ën dhe ende sot që flasim apo shkruajmë, në vitin 2019, ka bashki ku PD nuk ka zhvilluar zgjedhjet. Ka seksione dhe grupseksione të cilat nuk ekzistojnë. Pra, strukturat në bazë janë thuajse inekzistente, në shumicë të paorganizuara, të shpartalluara dhe të pakontrolluara për të mbuluar njësinë përkatëse zgjedhore. Ç’ka do të thotë se kjo ishte një tjetër “fitore” e Lulzim Bashës.
Shkojmë më tej tek Çadra, tek parlamenti. Përpara vitit 2017. Beteja, përplasje, të gjitha “fitore” të shpallura të Lulzim Bashës, njëra më qesharake se tjetra, deri sa përfunduan në çadër.
Në rreth 100 ditë u bë një betejë e madhe, “Rama ik”, “ska zgjedhje me Edi Ramën”, “Ilir Meta hajde” , “Bujrem të presim në gjirin tonë”, megjithëse disa ditë më parë i thoshte “hajdut” dhe “batakçi”, por në finale përfundoi duke u ulur në prehrin e Edi Ramës dhe për tre orë i mbyllur në një dhomë i vetmuar, kujtoi se mori gjithçka.
Megjithëse pati një marrëveshje që kishte dy paketa. Njëra në shtator Lulzim Basha do të qeveriste bashkë me Edi Ramën dhe fituesi do të merrte shumicën, forca e dytë më pak dhe do të eleminoheshin partitë e vogla.
Asnjëra prej tyre nuk ndodhi. U bë një fushatë e vakët, ku Lulzim Basha shante vetëm Ilir Metën dhe nga fundi u detyrua të shante Edi Ramën, pas kërcënimeve të Sali Berishës.
Marrëveshja kuptohet e diktuar nga ndërkombëtarët, i sollën Lulit lajmin e mirë, se ai në shtator do vinte në qeveri. Por, i mbyllur në dhomë, sërish i vetmuar, përgatiti një listë deputetësh të turpshme, skandaloze, klienteliste, me emra të shitur e të blerë, me pazare nga më të pistat. E ku përfundoi?!
Përfundoi në një tjetër “fitore”. Po, “fitoi” në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, duke marrë 230 mijë vota më pak se në 2013. Një katastrofë elektorale, të cilën nuk mundi ta justifikonte kurrë, pavarësisht se përpiqet tashmë të përdorë dosjen 339 apo të tjera raste të tilla, të cilat sado që të ndikojnë në zgjedhje, nuk mund të përmbysin 230 mijë vota, të cilat vinin për shkak të listës klienteliste të Bashës, dhe natyrës së tij shkatërrimtare politike, pas pazarit me Edi Ramën.
“Fitore” këto të paepura të Lulzimit dhe në përfundim asnjë ankimim i rezultatit.
Gjithçka mbyllet, në shtator fillon parlamenti dhe që në votimin e parë të parlamentit të ri të shtatorit të 2017-ës, një grup deputetësh të PD-së, të paktën gjashtë prej tyre, të vendosur në lista nga Lulzim Basha, shpallën “fitoren” tjetër.
Ata votojnë për zgjedhjen e Gramoz Ruçit, si kreu i ri i Kuvendit.
Gjendet sërish një justifikim, por “fitorja” ngelet e tillë. E kështu me radhë. Debate, gjoja përplasje derisa Lulzim Basha filloi një bojkot parlamentar dhe në mënyrën më qesharake, në momentin që studentët ishin në kulmin e protestës së tyre, Lulzim Basha nuk i dogji mandatet, por shpalli “fitoren” tjetër, rikthimin në parlament.
Së bashku me Edi Ramën dhe Ilir Metën, realizoi një “fitore” tjetër. Shpartalloi protestën e studentëve, pasi pa rrezikun që po i vinte.
Në 16 shkurt, pas një protestë të opozitës shpall “fitoren” tjetër. Djeg mandatet e deputetëve të PD-së, dhe fillon izolimin e madh ndërkombëtar të forcës më të madhe proeuropiane që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Ndërkombëtarët alarmohen, Luli mbyllet në zyrë, mandatet digjen dhe fillon një betejë protestash. Molotov, benzinë e zjarr mbi kryeministrinë, mbi institucionet, gaz lotsjellës mbi qytetarët. Përplasje të ashpra, dhe për rreth dy muaj Lulzim Basha u la i qetë të bënte çfarë të donte.
Por, më pas vjen “fitorja” tjetër. SHBA dhe BE e “kryqëzojnë”, Luli bën hapin pas. Sërish e shpall fitore, megjithëse kishte thënë se do të zgjidhte qëndrat e votimit, se nuk do të kishte zgjedhje në 30 qershor.
Së bashku me Ilri Metën shtynë datën e zgjedhjeve, si “fitoren” të re.
Por, çfarë ndodhi?
Zgjedhjet e 30 qershorit zhvillohen, përtej premtimeve të Lulit që nuk do të kishte zgjedhje. PS merr në tavolinë 61 bashki, nga të cilat 26 i kishte pasur opozita. 14 PD-ja, 11 LSI-ja dhe rreth 2 apo 3 aleatët e tyre në opozitë tashmë, por me mandate të marra kur ishin në koalicion me Ramën.
Pra, gjysmat e bashkive të falura në tavolinë. Por, sërish u shpall “fitore”. Zgjedhjet u quajtën nul, të pavlera.
Ndërkohë, Lulzim Basha ka filluar një tur takimesh në bashkitë e Shqipërisë, por dje u dorëzua Kavaja, pardje Devolli. Në vijim pritet të dorëzohet edhe Kukësi, Lezha e kshtu me radhë të gjitha bashkitë që drejtonte opozita.
Në fund, ky është bilanci i Lulzim Bashës. PD ka ngelur pa përfaqësim në parlament, ku ka edhe dy vite për t’u bërë zgjehdjet parlamentare dhe nuk ka deputetë të kësaj force politike.
Nuk ka asnjë bashki, zero përfaqësim në pushtetin vendor. Ka zero përfaqësi në Këshillat Bashkiakë. i vetmir institucion që i ka ngelur Lulzim Bashës është Avokati i Popullit, ku ka emëruar avokaten e tij personale, që fitoi 16 milion eurot e vjehrrit të tij në Strasburg.
Pra, ky është një bilanc i “fitoreve” të Lulzim Bashës me disa ngjarje specifike, apo më kryesoret e gjashtë viteve të fundit. që fillojnë që nga riorganizimi i PD-së, tek ngjarjet e famshme me Ilir Metën, më pas zgjedhjet lokale të 2015-ës, Reforma Administrative, lufta në parlament, çadra, zgjedhjet e 2017-ës, protesta e studentëve, djegia e mandateve dhe në fund bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit, që u shpallën një fitore e madhe e opozitës, nga Lulzim Basha dhe se 85% e shqiptarëve sipas llogarive të tij dhe këshilltarëve të tij janë pro Lulit.
Luli sot është fituesi i 85% të shqiptarëve dhe me bilancin që ne bëmë më sipër, tashmë nuk i ka ngelur gjë tjetër veçse të hyjë në zgjedhje dhe të shohim sesa vota do të marrë Lulzim Basha me këtë bilanc të “fitoreve” të njëpasnjëshme që ka regjistruar nga viti 2013 dhe në vazhdim. Një bilanc që zili do ta kishte edhe vetë Sali Berisha që nuk mundi dot kurrë të fitonte kaq shumë sa Lulzimi që vendosi vetë me dorën e tij në krye të PD-së./ CNA.al