Në ambientet e Akademisë së Shkencave sot u mbajtën homazhet në nder të akademikut Salvatore Bushati. Akademiku i nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 70 vjeçare.
Akademik Salvatore Bushati mund të konsiderohet si “babai” i gjeofizikës dhe gravimetrisë shqiptare. Ai ka drejtuar grupin kërkimor shkencor në studimet eksperimentale mbi mundësitë e përdorimit të metodave gjeofizike në kërkimin e mineralit të kromit në Shqipëri.
Studimet e tij u konkretizuan me projektime e zbulime të shumta të kromit në Shqipëri. Në vitin 1981 krijon dhe drejton departamentin e kërkimeve krahinore gjeofizike dhe gjeokimike dhe ndërmerr kryerjen e disa studimeve, që kryheshin për herë të parë në Shqipëri.
Gjatë viteve 1995–1999, drejton Qendrën e Kërkimeve Gjeofizike, Gjeokimike dhe të Mjedisit, të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke e fuqizuar atë në një institucion bashkëkohor.
Në vitin 2008 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndërsa në vitin 2010 anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, Austri.