Ish-deputeti Demokrat Astrit Patozi, i lënë larg posteve të rëndësishme në opozitë ka ironizuar deklaratat e sotme të kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili i kërkoi ndjesë të persekutuarve të regjimit komunist për gabimet e Partisë së tij dhe u premtoi se partia që ai drejton do ta shembë shumë shpejt komunizmin e sotëm.
Nëpërmjet një postimi me sarkazmë të thellë në Facebook, Patozi e ka falënderuar “nga zemra” Bashën, duke e thumbuar pa mëshirë për të gjitha ato që sipas Patozit kanë qenë gabimet e Bashës dhe që e kanë rrënuar Partinë Demokratike.
Në postimin në fjalë, Patozi ka vendosur një foto ku shihen edhe Ridvan Bode, Majlinda Bregu dhe Genc Ruli, të mbeturit e tjerë jashtë PD-së.
Statusi i Astrit Patozit në Facebook
E falenderojmë nga zemra Lulzim Bashën se qenka treguar shpirtdhembshur dhe na paska dhënë mundësi të reflektojmë dhe kërkojmë falje publikisht që nuk kemi bërë të njëjtën gjë me të, kur na ka ardhur rasti.
Gabimet tona të mëdha kanë sjellë pasoja të rënda për Partinë Demokratike, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2015 e deri tek marrëveshja e famshme e 18 majit, e cila u pasua me humbjen katastrofike të 25 qershorit.
Për gjithë sa ka ndodhur dhe për suksese të ngjashme në të ardhmen ne sigurisht që duhet të mbajmë përgjegjësi të plotë.
Por nganjëherë ndodhka që disfatat zgjedhore nuk qenkan e keqja më e madhe për një forcë politike.
Sot arritëm, më në fund, të kuptojmë se të mos i japësh tjetrit mundësinë për të reflektuar, dhemb shumë më tepër se çdo humbje elektorale.
Ndaj të prekur në thellësi të ndërgjegjes sonë, pasi dëgjuam fjalën e kryetarit të Partisë Demokratike para të përndjekurve politikë, i japim atij fjalën e nderit se nuk do ta përsërisim më kurrë fajin tonë, që i ka shkaktuar atij aq shumë vuajtje shpirtërore.
Për të mos thënë pastaj, që shumë prej nesh janë që tani të gatshëm të japin edhe jetën vetëm që Lulzim Basha të reflektojë i qetë dhe i pashqetësuar për mëkatet tona të vazhdueshme.
Duke falenderuar edhe një herë Zotin që na e mundësoi ta kishim në krye, mbetemi me shpresë se ndjesa dhe lutja jonë një ditë do të pranohen.