Moderatoren e emisionit “Jo vetëm modë”, Nevina Shtyllën, e pamë edhe në film. Në një rol, që megjithëse ishte i pari për të, ishte kryesor.
E çliruar nga emocionet prej moderimit, Nevina nuk u mendua fare për ta pranuar propozimin e Papadhimitri Production për të luajtur Lornën në filmin “Ti mund të më quash Xhon”.
Ama, u mendua dhe vendosi të mos i pranonte disa skena puthjesh që ishin parashikuar në skenarin e filmit.
Megjithëse është një kompromis absurd që regjisorët nuk kanë pse e pranojnë më, në këtë rast, marrëveshja u arrit. Nevina nuk ndihej gati ta bënte këtë, po, do të kishte qenë ndryshe në rast se do të kishte studiuar për aktrim dhe do të ishte çliruar nga disa ngurrime që në kohët ku jetojmë, nuk vlejnë as të përmenden.
Me sa duket, në këtë rast, ka mjaftuar bukuria! Nevina shpjegohet më gjatë, lidhur me këtë, në intervistën që ka dhënë për “Panorama”!
Kjo është përvoja jote e parë në një film, por ç’rrugë ke bërë në këtë fushë, qoftë edhe me role të vogla, për të mbërritur deri këtu?
Duke qenë se kjo ishte eksperienca ime e parë, do të thotë që rruga ime sapo ka nisur, pra, nuk kisha ndjekur as kurse e as kisha menduar ndonjëherë të vihesha në rolin e aktores. Sigurisht, si çdo person i apasionuar pas filmave edhe unë kam menduar se aktrimi është një përvojë shumë e bukur dhe më vjen mirë që tashmë kam përjetuar edhe vetë diçka të tillë.
A erdhi e gjithë kjo pas shijes së mirë dhe kënaqësisë që të dha titulli “Miss Shqipëria”, pra, a kërkuat që në një mënyrë a një tjetër të ishit gjithnjë e pranishme në ekran?
Ekrani gjithashtu nuk ka qenë një ëndërr e fëmijërisë për mua, ndryshe nga ç’ mund ta kenë pasur të tjera kolege të mijat. Por ishte një dashuri e papritur, nga e cila mendoj se do ta kem të vështirë të ndahem ndonjëherë, nëse ky moment do të vinte një ditë. “Miss Shqipëria” ishte dera e parë që më futi në këtë fushë dhe hapat e vazhdueshëm që kam hedhur, më kanë afruar gjithnjë e më tepër me atë synim që i kam vendosur vetes.
Tani që ke provuar filmin, modelingun e prezantimin në emisione, ku do të doje të përkushtoheshe më shumë?
E kam thënë që moderimi mbetet ajo pjesë e jetës time që i kushtoj më shumë vëmendje e mundohem çdo ditë të përmirësohem. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se të tjerat nuk janë të rëndësishme. Filmi është një fushë ende e re për mua, që më ka shtyrë të eksperimentoj edhe në pozicionin e asistente regjisores, në bashkëpunim po me Papadhimitri Production që menaxhon edhe studion e kastin AlbaniaCasting. Ndërsa modelimi është diçka që nuk më përket dhe nuk më karakterizon. Eksperiencat në këtë fushë i kam pasur shumë të pakta
Pse zgjodhe të studioje për shkenca ekzakte, kur në fakt je një vajzë e bukur që i qëndron shumë mirë ekranit?
Janë dy fusha që mund të ndërthuren lehtësisht dhe funksionojnë mirë bashkë. M’u duk një alternativë interesante, edhe përse të them të drejtën, nuk kam mundur shumë ta praktikoj për shkak të kohës së kufizuar. Në të ardhmen, ndoshta diçka do të ndryshojë.
A pate mëdyshje, nga pikëpamja profesionale, kur e pranove rolin në filmin “Mund të më quash Xhon”?
Jo, përkundrazi! Moderatoret, të cilat edhe mundet të aktrojnë, janë shumë të pakta. Ndaj, përfshirja ime në këtë projekt, për më tepër në rol kryesor, nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do të më plotësonte profesionalisht.
Na tregoni disa nga vështirësitë e para në sheshxhirim… Momente që mund t’i keni rixhiruar për shkak të një të qeshure, një batute… Nevina në paskuintë, si ka qenë në fillim dhe si u përmirësua?
Në dy muaj, momente të tilla kanë qenë disa, kjo është e kuptueshme. Për më tepër që u kthyem të gjithë në një familje për shkak të kohës së gjatë që qëndronim bashkë, kështu që të qeshurat nuk kanë qenë të pakta. Edhe pse këto kanë qenë të kufizuara më shumë gjatë provave. Në xhirim ishim të gjithë shumë seriozë dhe respektonim punën e njëri-tjetrit. Sa i takon përmirësimit tim, është diçka që edhe vetë e kam ndjerë, por kanë qenë regjisoret dhe producentët ata që kanë mundur ta vënë re më mirë këtë gjë. Kjo është arsyeja kryesore përse bashkëpunimi ynë vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Ke thënë në një intervistë se një farë problemi gjatë filmit kanë qenë skenat e puthjes. Si ishin parashikuar dhe çfarë u hoq prej tyre, pra, çfarë pakti bëtë me regjisorin?
Puthjet ishin pjesë e skenarit që në fillim, të gjithë ata që vinin në kinoprovë ishin shumë të qartë për këtë, kështu që nuk kishte vend për surpriza në këtë pjesë. Puthjet me një njeri të panjohur, për më tepër kur as nuk i takon aktrimit, pra, nuk ke as trajnimin e duhur qoftë edhe psikologjik, janë të sikletshme dhe kjo është më se e kuptueshme. Por nuk ishin diçka e jashtëzakonshme, gjithsesi. Skenat që janë shkurtuar kanë qenë disa që dukeshin më provokuese dhe që për mua, në këtë dalje të parë, plus edhe profili që ruaj, nuk ishin të përshtatshme dhe për këtë kisha mirëkuptimin e plotë të regjisorëve.
Përse nuk ishe e gatshme që të bëje atë që kërkohej?
Kam realizuar çdo gjë që shkruhej në skenar, përveç atyre skenave të pakta, për arsyet e sikletit që përmenda më sipër. Në projekte të tilla të dy palët shtrojnë kushtet dhe kërkesat e veta, dëshira për të punuar së bashku ishte më e madhe dhe më vjen mirë që mundëm të merreshim vesh.
A mendon se po të kishe studiuar për aktrim, do të ishe më e çliruar nga ky ngurrim?
Do të ndihesha më e qetë për ato skena që kam bërë dhe ndoshta do të pranoja dhe ato që nuk bëra, ku i dihet. Por të mos harrojmë, se ka aktorë që janë profesionistë në Shqipëri, por edhe kudo tjetër në botë, që zgjedhin të mos i pranojnë skena të njëjta. Prandaj, mendoj se ky nuk do të ishte faktor i madh ndikues edhe në rastin tim.
Cilin nga aktorët do të veçoje si më bashkëpunuesin dhe në ç’momente u gjende më mirë?
Mund të përmend Gezim Rudin edhe Gent Kamen. Dy aktorë të mirëfilltë, me të cilët pata fatin të punoj në disa prej skenave të filmit. Siguria e tyre në atë çfarë bënin, sikur me jepte edhe mua më shumë besim e lehtësi.
A do të të rishohim sërish në një film tjetër?
Patjetër! Datën ekzakte për momentin ende nuk mundem ta konfirmoj, por mund të them me siguri se do të vazhdoj ta testoj e sfidoj veten me role edhe më impenjative./Panorama