I shpallur “non grata” nga SHBA për “korrupsion madhor”, i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së, i braktisur nga deputetët dhe i spostuar në fund të sallës.
Nisja e legjislaturës së X e Kuvendit të Shqipërisë, ka qenë pa dyshim një prej seancave më të vështira për Sali Berishën, edhe pse më e shkurtra në kohë.
I vetmi deputet i parlamentit të ri që ka 9 mandate përfaqësimi në parlament, pavarësisht gjithë këtyre zhvillimeve të bujshme, Sali Berisha nuk u tërhoq.
Ai u shfaq sot në ambientet e Kuvendit, ku u prit nga një grup i vogël simpatizantësh, duke refuzuar presionin amerikan, si dhe të vetë partisë që ai themeloi.
Kush e mbështeti nga deputetët?
Ndryshe nga sa pritej, duket se vendimi i Lulzim Bashës nuk e ka përçarë PD-në, pavarësisht pretendimeve për ndikim të fortë të Sali Berishës në këtë parti.
Vetëm tre deputetë i bënë sfidë vendimit të Bashës dhe dolën të prisnin ish-kreun e PD-së.
Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Flamur Noka e shoqëruan Berishën përgjatë gjithë kohës, derisa ky i fundit zuri vend në Kuvend.
Berisha spostohet në fund
Pas ‘dëbimit’ nga Grupi i PD, Berishës i zunë edhe vendin në Kuvend. Ai nuk është ulur aty ku ka qëndruar zakonisht, por në rreshtin e parafundit të sallës së Kuvendit.
Vendin e tij e ka zënë nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj, ndërkohë që përkrah Berishës ishin ulur Tritan Shehu, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili.
Militantët dhe “funerali politik”
Ashtu si edhe në hyrje, edhe gjatë daljes nga Kuvendi, Berisha u prit nga simpatizantë të tij, të cilët nuk i kursyen as fyerjet ndaj Lulzim Bashës, duke e quajtur “agjent të Soros dhe qaraman.”
Militantët e PD i puthen dorën ish-kryeministrit dhe i mbushën makinën me lule, duke inskekuar si padashje, “funeralin politik” të idhullit të tyre.
Lufta për shkarkimin e Bashës
Në deklaratat që bëri në para futjes në parlament dhe pas përfundimit të seancës, Berisha sulmoi disa herë kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën.
Ish-kryeministri akuzoi kryetarin e Partisë Demokratike se është përfshirë në “pazare të fëlliqura” me Edi Ramën.
Ai parlajmëroi se Basha do marrë përgjigjen e meritur, duke konfirmuar kështu luftën e hapur ndaj tij.
“I vetmi që do të marrë përgjigjen që meriton është njeriu që shet PD me pazare të fëlliqura me Edi Ramën. Lëvizja ime e radhës do të jetë një lëvizje statutore e tëra e bazuar në rivendosjen e legjitimitetin dhe sovranitetit të PD, të grabitur poshtërsisht në marrëveshjen Rama-Basha”.
Berisha la të kuptohet se mund të ndërmarrë çdo nismë për largimin e Lulzim Bashës nga PD, ndërsa tha se vijon të jetë pjesë e grupit të PD.
“Do marr çdo nismë ligjore statutore brenda PD për rikthimin e saj në piadestalin që meriton. Unë jam ende anëtar i grupit të PD-së. Kompromisi Basha –Rama është nul, nuk ka mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale”, tha Berisha.
Pavarësisht se i pezulluar nga PD-ja, Berisha tha se mund të futet në selinë blu në çdo kohë.
“Në çdo kohë mund të hyj në seli dhe do jetë e afërt dita kur PD do fitojë legjitimitetin për të shporrur këtë klikë”, tha Berisha.(Shqip)