Vendimi i mazhorancës për t’i shkuar deri në fund shkarkimit kanë vënë në alarm presidentin Ilir Meta. Ditën e djeshme kanë mbërritur në Venecia pyetjet sa i takon çështjes së Marsida Xhaferllarit për në Gjykatën Kushtetuese dhe në mars pritet që të merret një përgjigje për çështjen në fjalë. Venecia ka pranuar kërkesën e Kuvendit, pasi ka bërë dhe një publikim në faqen zyrtare në internet. Por kjo ka sjellë dhe sulmet e presidentit. Në një studio televizive ai kërkoi nga Venecia që të mos bëhet palë me PS.
“Nuk ka asnjë shans që Venecia të hedhë në kosh emrin e vet duke u përfshirë në këto lojëra të mazhorancës dhe për fat të keq disa ndërkombëtarëve që janë përfshirë në këtë çështje dhe i kanë dalë garant Dvoranit. Ata janë kapur në flagrancë. E gjykoj përpjekje për të mbrojtur një person që është në hetim nga prokuroria dhe krimet ligjore janë tepër flagrante. Presidenti është i vetmi institucion që ka përmbushur të gjitha detyrimet e ligjit dhe ka bërë përpjekje të sforcuar me institucionet në mënyrë që çdo gjë të bëhej në parametrat normalë. Gjithçka është një lojë politike, ta fusin Komisionin dhe unë do ti drejtohem për dy votimet që ka bërë Parlamenti. Unë flas me Kushtetutën e Shqipërisë, Kryeministri thotë kam folur me partnerët”, u shpreh Meta.
Meta sulmon Dvoranin
Kreu i shtetit vijoi më tej me sulme edhe ndaj kreut të KED Ardian Dvorani, duke e shantazhuar se në dorë ka edhe shumë video të tjera që po presin të publikohen.
“Videot do të vazhdojnë. Ka plot të tjera në pritje. Përderisa të tjerët dezinformojnë, unë jam i vendosur për të bërë transparence”, deklaroi presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit tha më tej se të gjitha gjykatat në vend që mbështesin veprimet e Ardian Dvoranit janë të kapura politikisht. Sipas tij palë janë dhe ambasadorët.
“Nuk do të shokohesha po të ndodhte dhe kjo gjë. Që nga zgjedhja e prokurores së përkohshme që u zgjodh me 69 vota në mënyrë të paligjshme këtu kanë ndodhur gjëra të çuditshme. E vetmja shpresë për mbrojtur këtë sistem demokratik dhe të drejtat e qytetarëve mbetet gjykata Kushtetuese. Çdo gjykatë që i jep të drejtë zotit Dvorani tregon se është e kapur politikisht dhe e korruptuar, po ashtu edhe çdo institucion ndërkombëtar”, tha Meta.
Akuza ndërkombëtarëve
Por sulmet e presidentit Ilir Meta vijuan edhe në drejtim të faktorit ndërkombëtar. Kreu i shteti i akuzoi ata se po ndihmojnë në shpopullimin dhe shfarosjen e vendit.
“Plani i integrimit në BE nuk është se do kishin bërë dialog politik, do ishin ndëshkuar çështjet e dosjeve si Dibra dhe Shijaku, reforma në drejtësi do të zbatohet sipas Kushtetutës. Do mbështetej iniciativa e presidentit për shfuqizuar 30 qershorin dhe zhvilluar zgjedhje gjithëpërfshirëse.Jo vetëm ky konflikt por dhe mungesa e dialogut politik, është e mjaftueshme për të mos hyrë në BE. Të gjithë ata që mbështesin këtë konflikt janë të interesuar për zhbërjen e Shqipërisë. Nuk kam shumë shpresë të ndërkombëtarët se kanë hallet e tyre. Pse është shpopulluar Shqipëria nuk është problem i madh dhe për Gjermaninë që kërkon fuqi punëtore. Edhe Kanadaja. Nuk është tragjedi e madhe për ta. Për ne është problem i madh, dhe nuk e dimë se çfarë do të na vijë se ky vend bosh nuk do të ndodhë. Vetëm ne do ta zgjidhim”, tha Meta.