“Mijëra të rinj të tunduar nga paraja kanë kaluar Kanalin e La Mansh me gomone këtë vit, duke lënë shkretë fshatrat nga të cilat u larguan“- kështu shkruan media britanike “The Times”, përmes një artikull drejtuar dyndjeve të mëdha emigratore të shqiptarëve në Britaninë e Madhe, ku theksin e vë tek pasurimi i tyre përmes “trafikut të drogës”.
Mes rreshtave të shkrimit, “The Times” përmend emrin e Fation Dautit, një personazh jo pak i njohur për vendin tonë, pasi u pa krah ish-kryeministrit Sali Berisha duke shkelmuar derën e selisë së PD-së në protestën e 8 Janarit. Media britanike e përshkruan Dautin si “trafikanti i drogës që po bën bujë në politikën shqiptare”, referuar lidhjeve me Sali Berishën, në kohën kur ky i fundit së bashku me shpellarët e Foltores, tentoi të futej me dhunë në Kështjellën e demokratëve, ndërsa ajo drejtohej nga Lulzim Basha.
“Ndërsa Britania e Madhe rrit numrin e riatdhesimeve të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, një trafikant i dyshuar droge, të cilit tashmë i është ndaluar hyrja në Britani, po bën bujë në politikën shqiptare.
Fation Dauti, i cili drejtonte një Bentley, iu sekuestrua rezidenca në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019 pasi Agjencia Kombëtare e Krimit siguroi prova se ai ishte një lojtar kyç në biznesin e kokainës dhe kanabisit në Britani, i lidhur me trafikun e njerëzve dhe i akuzuar për dhunë. Megjithatë, avokati i tij, Hektor Lahi, tha për “The Times” se Dauti ka insistuar që është i pafajshëm dhe po kërkon të drejtat e tij.
Dhjetorin e kaluar, në Tiranë, Dauti u filmua përballë një turme mbështetësish të ish-kryeministrit Sali Berisha. Në video, ai shihet duke shkelmuar derën e një sallë takimesh në selinë e partisë së Berishës gjatë përleshjes mes fraksioneve rivale të partisë.
Në atë kohë, Partia Demokratike u nda në dy grupe rivale, njëra e udhëhequr nga Berisha, dhe kundërshtarët e tij që kishin mbyllur derën e sallës së mbledhjeve për të mos lejuar që mbështetësit e tij të mblidheshin atje. “Dauti nuk e përfaqëson partinë në asnjë mënyrë. Ai ishte atje si aktivist”, tha aso kohe një zëdhënës i Rithemelimit.
Vetë Berishës i është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA për dyshimet se ai është i përfshirë në korrupsion – pretendime që ai i mohon. Ai ka raportuar se Britania e Madhe e ka akuzuar atë për “marrëdhënie me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar” dhe se ai ishte i gatshëm t’i përdorte këto lidhje” për të çuar përpara ambiciet e tij politike”, shkruhet në artikull.
Vlen të theksohet se, Dauti rezulton si person me precedent penal, i cili ka ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër, i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave. 8 vite më parë ai u qëllua me 7 plumba në lokalin e tij, ndërsa sipas mediave britanike ai njihej me emrin ‘B9’ “Boss Krimi”, i akuzuar për ‘përmbytjen e vendit me hashash dhe kokainë’.