Rreth 73% e gjyqtarëve shqiptarë kanë mbi 100 mijë euro pasuri, vlerësonte një hetim i gjerë i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive mbi deklaratat e 399 gjyqtarëve të të gjitha shkallëve në Shqipëri.
Për këtë arsye dhe për shkak të humbjes së besimit të publikut te drejtësia, Reforma në Drejtësi u pa si domosdoshmëri edhe për integrimin e vendit. U shkrinë tre institucione të përcaktuara në Kushtetutë dhe u parashikua krijimi i të paktën 12 institucioneve të reja.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë është një institucion i ri, përgjegjës për verifikimin e ankesave kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë do të jetë përgjegjës gjithashtu për inspektimin institucional të gjykatave dhe zyrave të prokurorisë.
Emisioni “Stop” në Tv Klan sjell fakte, se si ILD ka funksionuar me dy standarde. Në rastin e ish-kryetarit të gjykatës Gjirokastër, ILD nuk ka konstatuar asnjë shkelje në vendimin e gjykatës për aferën seksuale të Guximtar Bocit, publikuar në “Stop”.
Nga ana tjetër ILD nisi hetim disiplinor për ish-kryetaren e Gjykatës Elbasan Enkeleda Kapedani, që u shfaq në rrjetet sociale me video provokuese në ambientet e Gjykatës.
ILD i kërkoi KLGJ-së shkarkimin e gjyqtares në fjalë.Kreu i Shoqatës së Avokatëve Saimir Visha thotë se ILD ka dështuar. Ky institucion, sipas tij, ka 150 punonjës me paga maksimale, por nuk ka sjellë progres në drejtësi.
Saimir Visha: Mua më vjen keq që Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, qofsh i gabuar ka 145 vetë që marrin pagën dhe rezultati është zero sepse ky Inspektoriat zëvendësoi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë që ishte pranë Ministrisë së Drejtësisë i cili na solli frytet e para pozitive por këtu duket janë punësuar disa njerëz, disa njerëz që shkojnë në mëngjes, pijnë kafe dhe nuk kanë asnjë lloj risie.
Arben Llangozi: Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë u krijua me shumë bujë sepse shtetasit prisnin më shumë nga ky institucion që të realizohej drejtësi, të ndëshkoheshin ata persona të cilët nuk kishin marrë drejtësi nëpër institucionet e sistemit të drejtësisë që ishin gjyqtarë dhe prokurorë, por na rezulton që kemi një institucion i cili në kuptimin e plotë të fjalës ka dështuar së funksionuari.
Pra, kemi një institucion i cili nuk bën detyrën e tij për të cilën është krijuar, favorizon në shumë raste subjekte të cilët ai ka pasur për detyrë t’i hetojë dhe njëkohësisht ka vepruar me dy standarde në shumë raste.
Avokati Arben Llangozi gjithashtu jep shembuj sesi ILD-ja ka favorizuar jo vetëm Guximtar Boçin, por dhe gjyqtaret Blerta Çibuku, Pajtime Fetahu, prokuroren Oli Visi, gjyqtarin Hektor Sinanaj e shumë shembuj të tjerë.
Arben Llangozi: Në lidhje me zotin Boçi, kemi një jetë të tërë që favorizohet, po bëhen rreth 10 vjet që Institucioni i KLD-së e mbrojti në atë kohë, por nuk e hetoi as Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. Me veprimet që ka bërë Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka legalizuar shtëpitë publike nëpër gjykata.
Në këtë farë feje ka arritur ky sistem drejtësie sepse që të arrijë një kryetar gjykate të kërkojë kryerjen e marrëdhënieneve seksuale në institucionin e gjykatës dhe të kërcënojë hapur vetëm sepse nuk pranoi një qytetare të kryejë marrëdhënie seksuale me këtë gjyqtar, kjo nuk mendoj se duhet të krahasohet me shkeljet që ka bërë kryetarja e gjykatës së Elbasanit.
Enkeleda Kapedani ishte gjyqtarja që publikoi në rrjete sociale video në shkelje të etikës, që sollën si pasojë një hetim disiplinor ndaj saj nga ILD.
Arben Llangozi: Vetëm fakti që një kryetar gjykate kërcënon me plumba një qytetar, është vepër penale që ka të bëjë me kanosjen e një qytetari dhe shpërdorim i detyrës është i dyti sepse një kryetar gjykate nuk duhet të kërcënojë një person, pra kemi dy vepra të konsumuara të konstatuara nga gjykata, por të mbuluara në mënyrë korruptive nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.
Pra nuk është vetëm ky rasti, kemi raste pafund që Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka favorizuar. Kemi rastin e gjyqtares Blerta Çibuku e cila u favorizua sërish nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, nuk u mor asnjë lloj mase vetëm për faktin se ajo kishte shoqen e saj të ngushtë e cila kishte ndikuar në këtë proces që quhej Marsela Pepi, që është aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Oli Visi ishte një prokurore e cila jo në pak raste është denoncuar nga ana e emisionit “Stop”, nuk është marrë asnjë lloj mase nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, madje-madje është favorizuar sepse nuk është se është vetëm një rast që është publikuar, por ka me dhjetëra raste dhe dhjetëra veprime të cilat kjo prokurore i ka mbuluar dhe nuk është marrë asnjë mase deri ditën e fundit që vettingu vendosi shkarkimin.
Pra është favorizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë apo me skandalin financiar që ka gjyqtari Hektor Sinanaj.
Ka filluar mjaftohet me “filloi një procedim”. Pse duhet të fillojë një procedim disiplinor pa u marrë masa më parë e pezullimit gna detyra për një magjistrat?
Pra filloi një procedim disiplinor për t’i mbyllur gojën mediave dhe nga ana tjetër lind dyshimi për të gjithë se ky institucion vepron në mënyrë korruptive duke i vënë gjobë gjyqtarit Hektor Sinanaj sepse ai është i pasur, rrjedhimisht lindin të gjitha dyshimet që ky do tentojë për të korruptuar këta inspektorë sepse ai është duke u hetuar në mënyrë disiplinore pa një masë konkrete, lindin të gjitha dyshimet për korrupsion.
Sipas statistikave që Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka publikuar në buletinin e ankesave, kuptohet që vetëm 2% e tyre kanë shkuar në destinacionin final ku janë marrë masa për gjyqtarë dhe prokurorë. Pjesa tjetër, mesa duket ka firuar duke etiketuar këtë institucion si të dështuar./tvklan.al