Kreu i SPAK, Altin Dumani paralajmëroi ditën e djeshme se shumë shpejt do të kemi lajme të bujshme në lidhje me aferën CEZ-DIA, pasi Prokuroria e Posaçme do të fillojë me “prerjen e kokave”. Dumani tha se kjo është një dosje prioritare në mesin e të gjitha çështjeve që ka në dorë Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion. Burime bëjnë me dije se dosja është qepur nga SPAK dhe në vijim pritet kërkesa për gjykatë.
“Peshku i madh”që rrezikon arrestimin është ish-presidenti Ilir Meta, i cili u thirr për herë të parë më 22 shkurt të vitit 2023 brenda Prokurorisë së Posaçme dhe u pyet për tre orë. Ai dyshohet se ai është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash, duke gllabëruar paratë e qytetarëve shqiptarë gjatë kohës kur kreu aktual i partisë së Lirisë ka qenë ministër i Ekonomisë në qeverinë “Berisha 2” gjatë viteve 2009-2011.
Mes shumë personazheve, kryesori që është pyetur për çështjen është Kastriot Ismailaj, i vetmi i arrestuar dhe i vetmi i dënuar për akuzën e mashtrimit. Ismailaj u dënua me 11 vite burgim, ku u lirua para disa javësh pas kryerjes së dënimit. Ndërkohë, Romeo Karaj ka dorëzuar një kallëzim tjetër penal që për shkak të kompetencave përfshiu SPAK jo vetëm për dyshimet se aty mund të jetë kryer korrupsion, por për shkak të emrave të ish-funksionarëve të denoncuar, midis tyre ish-kryeministri Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Reagimi i Metës dhe detajet nga dosja e SPAK
Meta u shpreh në shkurt se ka dhënë sqarime që në vitin që është hapur kjo çështje. “Nuk kam asnjë lidhje me marrëveshjen. Dosja aktivizohet sa herë që PS është në krizë”, tha Meta. Por si e lidh prokuroria çështjen CEZ-DIA me emrin e tij? “Me portalet e Endri Fugës. Po bëhet një proces fare absurd”. I pyetur nëse i druhet arrestimit Meta u përgjigj “Po mos mër”.
Pyetjes nëse kishte ose jo besim te SPAK-u, Meta zgjodhi të mos përgjigjej duke qeshur me ironi. Dyshimet që çuan Ilir Metën në SPAK lidhen me akuzat e ngritura në media përmes shkrimeve të ndryshme, se ish-Presidenti ka qenë pas Ismailajt. Ilir Meta nuk i mohon udhëtimet me këtë person, por tha se kanë qenë në kuadër të punës, detyrës shtetërore. Një tjetër dëshmi ku mbështetet SPAK është edhe Elvis Mata, ish-kryetar i LRI-së dhe ish-drejtor Ekzekutiv i kompanisë “DIA”. I pyetur për këtë person dhe faktin që mund të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë për këtë dosje, Ilir Meta e quajti Matën mashtrues. “Mashtrim ordiner, është përjashtuar nga LRI”.
Mesazhi që fundos Metën
Kastriot Ismailaj ishte në përgjim për këtë skandal prej vitit 2008, prokurorisë i ka rënë në dorë edhe një SMS-je e marre nga Ismailaj, (i akuzuar për pastrim të rreth 7 milionë eurove), nga një numeë telefoni (0682031701) qe dyshohet te ishte në përdorim te ilir Metës. Më datë 22 qershor të vitit 2009, dy ditë para zgjedhjeve, sipas Artan Hoxhës, ky biznesmen ishte kontaktuar nga Ilir Meta, i cili i kishte kërkuar 200 mijë euro. SMS është dërguar më 22 qershor 2009 ora 17:27: “Nesër në darkë (më 23 qershor), duhet të takohemi patjetër.
Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. “Dosja 978″ kishte mbi 8 mijë faqe me përgjime që nisnin që në vitin 2008, ku ishin të përfshirë gazetarë, botues mediash, politikanë dhe biznesmenë. Ka pasur madje plane sesi do të vinin lekë nga Afrika dhe do të pastroheshin në Shqipëri.
Biznesmeni i përgjuar është kontaktuar nga Ilir Meta dy ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2009, dhe i ka kërkuar plot 200 mijë euro”, tha Artan Hoxha. Ai tha se përgjimet janë asgjësuar në datë 27.10.2010, me vendim të gjykatës. “Materialet dhe përgjimet e zbardhura duheshin asgjësuar, por nuk jam i sigurt çfarë ka ndodhur. Në vitin 2016, unë nxora pjesë të dosjes që ende nuk është fshirë”, u shpreh më tej Artan Hoxha disa kohë më parë.
Dëshmia që e fundos
Një dëshmi të fortë që fundos Metën ka dhënë dhe gruaja e Kastriot Ismailajt, e cila tregon lidhjet e presidentit, në atë kohë ministër, me aferën CEZ-DIA.” “Kastrioti e kishte mik Ilir Metën dhe deri në fund të vitit 2012 marrëdhëniet e tij me Ilir Metën kanë qenë tepër të ngushta. Qysh në kohën para se të bëhej Kryeministër apo dhe person i rëndësishëm në politikë, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë. Kemi kaluar shumë dreka dhe darka së bashku: Ilir Meta i kishte forcuar lidhjet me Kastriotin që në kohën e krijimit të FRESH-it. Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Ilir Metës me Fatos Nanon dhe ky është një fakt i njohur publikisht. Për t’ju rikthyer historisë së CEZ-it, po sjell vetëm një shembull: ka qenë pikërisht Ilir Meta, që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit që t’u kërkonte çekëve që ta shpërblenin atë, pra Ilirin, me pretendimin se ai i kishte bërë të fitonin miliona euro”, ka thënë Vojsava Ismailaj pak kohë pas arrestimit të burrit të saj.