Ilir Meta deklaroi sot se as Gjykata Kushtetuese nuk mund të zhbëjë vendimin e tij për anulimin e 30 Qershorit. Kreu i shtetit u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta legjitimojë 30 Qershorin. Sipas tij, çdo vendim i Kushtetueses për dekretet e Presidentit ka fuqi për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.
“Askush nuk duhet të ketë iluzione se cdo vendim i Kushtetueses kur të bëhet funksionale mund të japë legjitimitet 30 Qershorit. Dekretet e Presidentit janë në fuqi. Cdo vendim i Kushtetueses për dekretet e Presidentit ka fuqi për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, janë akoma në fuqi dhe nuk e kthejnë më 30 Qershorin e këtij viti.
13 Tetori është e vetmja datë Kushtetuese për zgjedhje vendore në Shqipëri. Përgjegjësinë për këtë e kam marrë unë. Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të legjitimojë 30 Qershorin, pas e ka të pamundur, pasi dekreti ka qenë në fuqi dhe 30 qershori ka ikur. Ajo mund të bëjë interpretimin si duhet apo mund të veprojë, dhe kjo ka efekt për të ardhmen” tha ai.
Ilir Meta deklaroi zyrtarisht se ka vendosur të rikandidojë për zgjedhjet presidenciale nëse do të zhvillohen më 13 tetor. Ai tha se nëse Rama pranon që në 13 tetor të bëhen 3 palë zgjedhje, atëherë është gati që të dalë në fushatë, jo si president duke liruar zyrën, por këtu kishte një kusht duke propozuar që të ulet në karrigen e tij, ish-presidenti Mejdani deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Ai u bëri thirrje palëve që të ulen për të zgjidhur krizën sa më shpejt. Meta i kërkoi kryeministrit që të mos pengojë procesin e përgatitjeve për 13 Tetorin, ndërsa referuar kushtit të Bashës për pjesëmarrje në zgjedhje nëse do të largohet Rama, kreu i shtetit tha se nuk do të detyrojë asnjë parti të futet në procesin zgjedhor.
Gati të takoj Ramën, jemi në krizë, po ikën me pushime janë të papërgjegjshëm
Presidenti Ilir Meta u shpreh se nëse liderët shumicës dhe opozitës do të ikin me pushime në gusht pa zgjidhur krizën do të ishte papërgjegjshmëri. Ai tha se është gati që të takojë Ramën në cdo moment, ndërsa shtoi se për vete do të bëjë ca pushime ku do të ngjisë Korabin.
“Nëse mendoni se drejtuesit e vendit do ia fusnin gushtit me pushime në këto kushte të krizës do të ishte kulmi i papërgjegjshmërisë. Shpresoj në reflektimin e kryeministrit, jam gati ta pres dhe takoj, gjithmonë në mënyrë publike dhe transparente, pasi po i afrohemi kundër kohës për perspektivën europiane të vendit. Nuk është në interesin e kryeministrit vijimi i kësaj situate, përfitojnë shumë pak njerëz.
Do të kemi shumë hapa përpara, e rëndësishme është që ky hap për celjen e negociatave të jetë një hap i sigurt, i qëndrueshëm dhe dinjitoz. Nuk mendoj se ka njeri të pagabueshëm, por e rëndësishme është të mos bëjmë faje. Kemi bërë të gjithë gabime dhe faje, përndryshe Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së, por kemi mundësi të reflektojë para se të kalojmë në kundërkohë për të shpikur fajtorët. Ju uroj pushime të mbara, edhe unë do të bëj ca pushime, por jam 30 minuta larg nga Tirana dhe Kukësi” tha ai.