Ilir Meta gjithmonë pak ditë para zgjedhjeve “e heq publikisht” kostumin e Presidentit. Kjo lëvizjen vjen pasi zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit do të vendosin fatin e dyshes, Meta-Berisha, por edhe fatin e LSI-së.
Kjo ka bërë që të dy politikanët të lëvizin “çdo gur” që kanë në dorë. Prej muajsh qetësi, presidenti Ilir Meta është duke përdorur Presidencën, sërish për politikë.
Gazeta ka dalë në këtë përfundim, pasi ka bërë një vëzhgim të daljeve të presidentit Ilir Meta nëpër televizione ditët e fundit, por edhe doza e shtuar e sulmeve të kreut të shtetit ndaj qeverisë ‘Rama’ duke futur këtu dhe kryedemokratin Lulzim Basha, i cili mesa duket u prishi shumë plane me përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike.
Meta është shfaqur jo si president i vendit, por si kryetar i opozitës, duke sulmuar kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha.
Gjatë viteve të Ilir Metës në Presidencë, gjithmonë para zgjedhjeve, ashtu siç kërcënoi në 25 prill me prerje duarsh, sfurqe dhe sëpata, para 6 marsit ka ‘goditur’ Bashën në çdo intervistë televizive, duke e quajtur të dobët si drejtues nga vendimet që ka marrë, si djegia e mandateve, por edhe braktisja e zgjedhjeve.
“Lulzim Basha ka marrë vendime të rënda dhe të papranueshme kundër demokracisë dhe votës së lirë”, është shprehur Meta. Gjithashtu para pak ditësh, Meta ka ‘provokuar’ me reagimet për 2 Marsin, duke risjellë deklaratën e personalitetit të se drejtës Ledi Bianku.
“Një popull që fle në demokraci, ka rrezik që një ditë të zgjohet në diktaturë”. Po ashtu edhe rikthimi i sulmeve ndaj Ramës, për të cilin tha: Kryeministri ka cenuar interesat dhe sovranitetin e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe për këtë çështje ndarja me të është shumë e qartë.