Presidenti Ilir Meta i është rikthyer luftës së dekreteve me mazhorancën qeverisëse. Ditën e djeshme, kreu i shtetit kthehu për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për rininë”, me argumentin se në gjendjen aktuale ligji i rinisë është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe fryma e këtij ligji nuk përputhet me interesat reale të të rinjve shqiptarë dhe për rrjedhojë, ky ligj nuk është në harmoni me interesin publik e kombëtar.
“Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 75/2019 “Për rininë”, Presidenti i Republikës vlerëson se ky ligj bie në kundërshtim me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe fryma e këtij ligji nuk përputhet me interesat reale të të rinjve shqiptarë; për rrjedhojë, ky ligj nuk është në harmoni me interesin publik e kombëtar. Presidenti i Republikës në vlerësim të të gjithë problematikave të rinisë shqiptare sot, krahasuar me mundësitë që ofron ligji nr. 75/2019, vlerëson se ky ligj nuk i përgjigjet nevojave të zhvillimit dhe pritshmërive të rinisë shqiptare dhe nuk garanton mirëqenien e tyre. Ligji jo vetëm që nuk sjell rregullimin e dëshiruar dhe të pritshëm, por për disa çështje thelbësore, ai bie ndesh me parimet dhe normat kushtetuese.
Ligji i miratuar evidenton se do të trajtojë edhe të rinjtë shqiptarë në diaspore, por nuk qartëson aspak në mënyrë reale dhe të vërtetë se si kjo normë e re ligjore do të ndihmojë këtë pjesë të rinisë shqiptare”, thuhet në dekret. Më tej Meta u shpreh se mazhoranca po tenton të kontrollojë politikisht grupimet rinore. “Në disa dispozita të tij ky ligj tenton vendosjen nën kontroll politik të organizimit rinor, gjë e cila do të përbënte cenim të rëndë të së drejtës të çdo të riu për t’u shprehur dhe për t’u organizuar lirisht. Cenimi i së drejtës së çdo të riu për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në mënyrë të lirë dhe jashtë ndikimit politik, do të përbënte në themel cenim të demokracisë”, thuhet në dekret.
Ja nenet ku u bazua Meta
Më tej, në arsyetimin e tij presidenti Meta u bazua në dy nene për rikthimin e ligjit “Për rininë”. Kreu i shtetit u shpreh se në nenet 9 dhe 10 të ligjit bien ndesh me parimet kushtetuese dhe krijojnë mundësinë e një varësie politike të drejtpërdrejtë të organizatave rinore, ç’ka rrjedhimisht do të përbënte shtrembërim të vullnetit të të rinjve shqiptarë dhe cenim të vetë demokracisë. “Kjo situatë e parashikuar me ligj, bëhet akoma dhe më e rëndë në kushtet kur, si rezultat i zhvillimit të një procesi antikushtetues votimesh në 30 qershor, sot si pushteti vendor, ashtu dhe ai qendror përfaqëson vullnetin politik vetëm të një partie politike.
Kjo situatë absurde e përfaqësimit politik dhe kjo skemë përfaqësimi e parashikuar në nenin 9 dhe 10 të ligjit nr.75/2019, do të sillte përfaqësimin e njëanshëm të interesave dhe aspiratave të të rinjve, duke iu dhënë hapësirë përfaqësuese vetëm asaj pjese që përfaqëson apo është pjesë organizative e forcës politike në pushtet”, tha Meta.
Frika e mazhorancës
Ilir Meta tashmë e ka kthyer në “modë” rikthimin e ligjeve në Kuvend për rishqyrtim, duke thyer çdo lloj rekordi gjatë 2 viteve në krye të Presidencës. Pas rikthimit të një sërë ligjesh, burimet i pohuan gazetës se mazhoranca i druhet bllokimit të buxhetit 2020 nga ana e kreut të shtetit, skenar ky i përdorur një vit më parë. Në vitin 2018 Meta bllokoi buxhetin 2019, duke lënë pa paga dhjetra institucione shtetërore. /Elisjeda Kiko