Drejtësia duket se është makthi më i madh i presidentit Ilir Meta. Gjatë 20 viteve të fundit, ai ka qenë gjithmonë në qendër të skandaleve dhe ka arritur të mbijetojë duke bërë pazare herë me PS dhe herë me PD. Por jo pak habi ka sjellë një status dje i presidentit Meta në nder të ikonave të drejtësisë italiane, Giovani Falkone dhe Paolo Borsellino.
Dje ishte përvjetori i vdekjes së këtij të fundit nga mafia italiane. Ndërsa Meta në rrjetet sociale është shprehur: “Në funeralin e Giovanni Falcones, Paolo Borsellino iu drejtua prokurorëve më të rinj: “Unë e di se kush do të jetë i vdekuri i radhës, por unë i kam dhënë fjalën Falcones. Lum ata njerëz që luftojnë për ide të cilat më pas ecin me këmbët e të tjerëve”. Ja përse Borsellino është i pavdekshëm”.
Por kjo deklaratë e presidentit duket se është me shumë mesazh. Pse pikërisht Meta ka zgjedhur pjesën kur Borsellino flet se e di kush do jetë i vdekuri i radhës, pra kur ai paralajmëronte fundin e tij. Apo po bën dhe presidenti të njëjtën gjë? Duket sikur edhe ai po paralajmëron se duan ta vrasin qarqet mafioze.
Hipokrizia e Metës
Meta flet për dy ikona drejtësie dhe luftë ndaj mafies, por ndërkohë faktet tregojnë se ai është politikani që është akuzuar më shumë dhe ja ka hedhur paq përmes pazareve. Gjithçka filloi me historinë e floririt të Kërrabës, ku edhe pse emri i tij u përmend shumë, Metës nuk i hyri gjemb në këmbë. Më pas ishte Dritan Prifti që plasi bombën e videos 700 mijë euro. Edhe këtë herë Meta doli i palagur. Një ditë para vendimit ai dhe Berisha drekuan te vila në Gjirin e Lalëzit, çka tregon se pakti ishte mbyllur.
Por Berisha iku dhe në pushtet erdhi Rama. Por drejtësia ka vijuar të jetë makth për presidentin dhe sërish nuk kanë munguar pazaret. Në 2016 u miratuan ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi. Pavarësisht se askush nuk e donte këtë reformë, të gjithë u ulën në gjunjë para amerikanëve dhe e miratuan. Por edhe kjo reformë nuk qëndroi dot larg pazareve. Nëse kthehemi pas në kohë, gjatë diskutimeve të paketës shoqëruese të Kushtetutës, pati një debat për nenin 449 të Kodit të Procedurës Penale, i cili amniston të gjithë të dënuarit. Në këtë nen tashmë të miratuar, thuhet: “Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit”.
Por ndryshimi i këtij neni duket se u bë i gjithi për Ilir Metën. Në atë kohë presidenti hezitonte të miratonte ndryshmet kushtetuese dhe kërcënoi madje me dorëheqje. Por gazeta ka mësuar se janë bërë pazare në atë kohë. Neni 449 ka ndryshuar posaçërisht për Metën. Frika e kreut të shtetit ka qenë videoja me Dritan Priftin, ku kërkon 700 mijë euro për një tender. Në atë kohë çështja shkoi në gjykatë dhe Meta doli i pafajshëm. Por sot kuptohet se si ka dalë vendimi, pasi gjithë trupa gjyqësore ka dhënë dorëheqjen nga vetingu. Me Kodin e vjetër ekzistonte mundësia që më reformën në drejtësi e SPAK çështja të rihapej. Por pas ndryshimeve në nenin 449, tani është e pamundur që ajo çështje të rishqyrtohet.
Bërja president
Një tjetër pazar në kurriz të drejtësisë është emërimi i Metës president. Të gjithë e mbajnë mend shoun në seancën parlamentare mes Ruçit dhe Metës dhe ku kreu i LSI në atë kohë u vetëofrua si president me argumentin se nuk kishte emra të tjerë dhe kjo do sillte destabilitet politik. Por emërimi i Metës president ishte një skenar më i thellë, pasi me kalimin në Presidencë, Meta fitonte 5 vite amnisti nga drejtësia. Sipas ligjit, presidenti nuk mund të hetohet.
Ndërkohë momentalisht Meta ka filluar pazaret me shpresën për të fituar dhe një 5-vjeçar tjetër, pra duke synuar një mandat tjetër. Plani i tij mund të rrënohej nga PS, e cila nisi një proces shkarkimi. Mirëpo të premten socialistë u tërhoqën përballë presidentit duke e amnistuar atë nga çdo lloj ndjekje penale.