Presidenti Ilir Meta ka bërë më në fund publike, arsyet se përse nuk e dekretoi Sandër Lleshin, si ministër të Brendshëm.
Ai e ka bërë këtë gjë, duke shtruar 14 pyetje publike për Lleshin.
Meta pretendon se Sandër Lleshi është ende ushtarak, dhe për këtë arsye ai nuk mund të emërohet ministër.
“Duke qenë se kandidatura e Sandër Lleshaj, vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues është autoritet civik, në zbatim të neneve 69,103,167/1 të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese.
Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhjen ose emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra.
Megjithëse kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues, sërish edhe në këtë propozim të ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë cështje dhe për pasojë të tjera që mund të lidhen me të.
Për më tepër, që në njoftimin fillestar të kryeministrit në rrjetet sociale të datës 27 tetor 2018, por edhe në dalje të tij publike, z.Sandër Lleshaj propozohet për emërim si ministër i Brendshëm, duke e trajtuar atë me gradën “Gjeneral””, thuhet në përgjigjin e Metës, të bërë sot publike.
Në 14 pyetjet drejtuar zotit Lleshi, Meta e pyet atë edhe pse ka ndryshuar mbiemrin.