Së fundmi, KLGJ dhe KLP, certifikuan edhe zyrtarisht nëpërmjet njoftimeve publike, se ndaj gjyqtarëve të GJKKO dhe prokurorëve të SPAK po ushtrohen presione dhe shantazhe edhe nga persona publikë, (Politikanë), si dhe segmente të medies për dosjet e nxehta që po hetojnë.
“Po nuk u blenë, ti shantazhojmë”
Publiku nuk di gjithçka që ndodh prapa skene me drejtësinë e re dhe veçanërisht, me prokurorët e SPAK dhe Gjyqtarët e GJKKO. Personat që ata po hetojnë si pjesë e krimit të organizuar dhe eksponentë nga politika e lartë e tranzicionit korruptiv, për mbi 30 vite e kanë pasur në xhep drejtësinë.
Sot që rrezikojnë jo vetëm burgun, por edhe sekuestrimin e pasurisë marramendëse që kanë vënë duke grabitur shqiptarët nëpërmjet pushtetit që ata u dhanë me bujari, po tentojnë me të gjitha mënyrat për të shpëtuar veten, familjarët, bashkëpunëtorët dhe plaçkën e vjedhur këto 3 dekada, e cila shkon disa dhjetra miliard euro.
Alarmi i fundit që ngriti KLGJ dhe KLP, u ndërlidh më së shumti me fushatën e paprecedentë të kohëve të fundit të Sali Berishës, (Pas masave të sigurisë), kundër SPAK dhe gjyqtarëve që kanë në dorë çështjen e tij dhe të dhëndrit Jamarbër Malltezi, por kreu i Rithemelimit nuk është i vetmi “peshk i madh” që ka llogari të hapura me drejtësinë e re.
Gjithashtu edhe ish-kryeministri dhe ish- presidenti, Ilir Meta, po hetohet për dy çështje të nxehta, (CEZ-DIA dhe lobimi me para të dyshimta), dhe pavarësisht se është paraqitur në SPAK sa herë që është thirrur, në mënyrën më “mafioze” u ka dërguar “porosi” prokurorëve që po hetojnë.
Në dalje të ndryshme televizive apo me shënime në FB, Meta, pas hapjeve të hetimeve ndaj tij, ka siluruar kreun e SPAK Altin Dumani dhe i ka quajtur prokurorët “krijesa të partisë në pushtet” dhe Prokurorinë e Posaçme, si “biznesin më të madh të qeverisë“.
Por më 31 Tetor të këtij viti pasi mësoj se hetimet ndaj tij janë drejt përfundimit, Ilir Meta shkoj edhe më tej. Në një dalje për mediet, ai ju dërgoj një mesazh të koduar të stilit “mafioz” prokurorëve të SPAK: Prokurorët kanë problemet e tyre, kanë familje, bashkëshortë, të afërm…
Çfarë ka dashur që të thotë me këto fjalë Ilir Meta: Që kushdo, edhe prokurorët e SPAK kanë pikat e tyre të dobëta?!
Pak ditë më parë drejtuesja e “Open Data Albania” dhe administratore e Webit, aplikacionit “#AksesDretësi”, Aranita Brahaj ka konstatuar një fakt teje interesant për prokurorin që po heton Ilir Metën, Sotir Kllapi. Ajo shkruan se në aplikacionin ku gjenden të gjitha të dhënat e hollësishme për njerëzit e drejtësisë, emri më i klikuar dhe i “investiguar” javën e fundit është pikërisht ai i prokurorit Kllapi.
“Javën e fundit prokurori Sotir Kllapi i njohur si Prokurori i SPAK për çështjen ndaj ish Kryeministrit dhe ish Presidentit Ilir Meta, ka qenë emri më i kërkuar dhe klikuar në web databazen Akses Drejtësi Regjistri i magjistrateve.
https://aksesdrejtesi.al/profil/106
Në këtë databaze është krijuar pasaporta e Magjistratit me të dhëna dhe dokumente për Karrierën, Profilin, Nivelin e Arsimimit, integritetin, Kualifikimet, Interesat Pasurorë”, konstaton gazetarja Aranita Brahaj.
Kush po gërmon dhe po mbledh këto kohë, informacion të hollësishëm për çdo aspekt të jetës dhe profesionit të prokurorit Sotir Kllapi?!
Dosja e nxehtë
Prokurori i SPAK-ut Sotir Kllapi ka në duar një nga dosjet më të ‘nxehta’ dhe të bujshme në tre dekadat e fundit, dhe rrjedhimisht fatin politik dhe juridik të Ilir Metës, një nga katër politikanët që ka dominuar politikën gjatë pluralizmit në Shqipëri.
Provat që konfirmojnë elementët e veprës penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit të formularëve dhe pastrimit të parave, janë flagrante. Janë zbuluar kontrata lobimi në SHBA me vlerë qindra mijëra USD nga Ilir Meta dhe LSI-ja në 2017, para të cilat janë fshehur, duke mos u deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKP. Si do që të jetë vendimarrja, Sotir Kllapi duket se po hetohet privatisht nga të implikuarit në këtë dosje të nxehetë, e cila sipas burimeve të Alfapress.al është drejt kopsitjes përfundimtare pasi janë thirrur si persona në dijeni ish-eksponentë të lartë të LSI si Petrit Vasili, Endrit Brahimllari, Luan Rama, ekonomistja e partisë, kontabilistë, e të tjerë.
Po kush është Sotir Kllapi?
Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Fillimisht ka nisur punën si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Më pas ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Sotir Kllapi ka drejtuar Prokurorinë e Pogradecit.
Ndaj Kllapit nuk është regjistruar asnjë masë disiplinore. Gjatë karrierës, prokurori është vlerësuar shumë mirë prej Prokurorisë Durrës për vitet 2012-2013, është vlerësuar shumë mirë nga prokuroria Progradec për vitet 2014, 2015 dhe 2016.
Në maj të vitit 2020, Kllapi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK, duke u vlerësuar me me 174 pikë, në krye të të gjithë kandidatëve, duke lënë pas Dritan Prençin, Vladimir Marën dhe Dorina Bejkon.
Procesi i vlerësimit të kandidaturave kanë marrë pjesë përfaqësues të SHBA-BE.
Pas emërimit në SPAK, Kllapi ka marrë pjesë në disa trajnime me ekspertë nga SHBA dhe BE.
Prokurori Kllapi kaloi me sukses dhe me lehtësi procesin e Vetingut në maj të vitit 2019. Kllapi u konfirmua në detyrë më 13 maj të vitit 2019, duke u vlerësuar pozitivisht në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.
Edhe pse është pjesë e organit të akuzës prej 13 vitesh, Sotir Kllapi nuk ka asnjë pasuri të palujtshme, të paktën deri në vitin 2018. Prokurori rezulton se ka jetuar me qira në Qytetin Studenti, duke lidhur një kontratë qiraje me Rezidencën Studentore Universitare Tiranë./Alfapress.al