Ilir Meta edhe një herë ka treguar se mbi Presidencë fryn era ruse. Vitin që lamë pas janë publikuar me dhjetra fakte që tregojnë simpatinë e presidentit Meta për Rusinë, duke filluar nga intervista e tij për mediat ruse, te elozhet e portaleve të presidentit rus, Vladimir Putinit ndaj kreut të shtetit shqiptar.
Por ditën e djeshme Meta ka bërë një deklaratë jo të paqëllimtë, duke ironizuar ndërhyrjet ruse në Shqipëri. Edhe pse Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur disa herë se Moska po tenton destabilizimin, për presidentin Meta këto deklarata bëhen për të hequr vëmendjen nga aktualiteti dhe problemet reale me të cilat përballet sot vendi jonë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Meta ka ironizuar lobimet e Partisë Demokratike përmes rusëve dhe ka sfiduar Amerikën, teksa deklaroi se rreziku më i madh që i kanoset dhe që po përballet sot Shqipëria nuk është ndikimi rus, por shpopullimi i vendit, pasi sipas tij, kohët e fundit shumë qytetarë shqiptarë kanë ikur.
“Kambanat e alarmit po bien! Stop shpopullimit të Shqipërisë! Ky është “rreziku i vërtetë rus” që i kanoset vendit! Kjo është sfida më madhore që kërkon urgjent dialog, zgjidhje, dhe kthimin e shpresës për të gjithë shqiptarët! 9 kushtet e Bundestagut janë harta e rrugës së Shqipërisë europiane! Koha është tani! Nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë”, deklaroi kreu i shtetit, Ilir Meta. Pra, përmes kësaj deklarate, Meta ka treguar sërish se është krah Moskës. Sakaq, në artikullin që Meta i referohej, të cilin e ka shpërndarë në rrjetet sociale, në vija të përgjithshme, analiza thotë se në Shqipëri mund të mbeten 512 mijë shqiptarë në vitin 2100. Ndërkohë që, Meta ironizon, duke e cilësuar shpopullimin si rrezik rus.
Meta merr në mbrojtje Moskën
Por rasti i djeshëm nuk është i vetmi që presidenti Ilir Meta është rreshtuar krah Moskës. Gjatë vitit që lamë pas, kreu i shtetit shqiptar ka dalë hapur krah Rusisë, ndërsa ka sfiduar hapur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm. Në 19 mars të vitit 2019, gjatë një prononcimi për mediat, presidenti Meta shprehu bindjen se Rusia ka ndikim në vendet e rajonit, por jo në Shqipëri. Po ashtu, asokohe shefi i Presidencës shqiptare u shpreh se nuk fshihet Rusia pas problemeve politike në vendin tonë, ndërsa hoqi një paralele edhe me Shqipërinë komuniste, kur asokohe trumbetohej se problem ishte rreziku “anglo-amerikan”.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike, për fat të keq, të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e së kaluarës, për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”, deklaroi ai. Pra, po ta shikosh më vëmendje edhe këtë deklaratë të artikuluar nga presidenti Ilir Meta, tregohet qartë se ky i fundit ka marrë në mbrojtje Moskën, duke tentuar të tregojë se vendit nuk i vinë aspak dëmet prej saj, por duhet t’i shohim problemet mes nesh.