Ilir Meta pritet të shkarkohet brenda 8 korrikut nga posti i presidentit. Mazhoranca qeverisëse ka dorëzuar dje në Kuvend kërkesën për të nisur menjëherë procedurat e largimit të tij nga Presidenca, me argumentin se ka nxitur dhunë dhe destabilitet para zgjedhjeve.
Kërkesa është firmosur nga 49 deputetë dhe do të ndiqet e njëjta strategji si ajo e një viti më parë. Sot Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare dhe pritet të ngarkohet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar kërkesën nëse është brenda normave. Në dosjen që ka siguruar gazeta, jepen mbi 60 deklarata të Metës, ku sipas socialistëve, tregojnë se ai ka nxitur dhunë dhe urrejtje. Dje ishte kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili në një deklaratë për mediat e bëri fare të qartë se shkarkimi i Metës do të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar.
Seanca e fundit e Parlamentit do të jetë më 8 korrik 2020 dhe kjo do të thotë se Parlamenti do e shkarkojë Metën brenda kësaj date. Sa i takon rrugës që do të ndiqet, Komisioni i Ligjeve shqyrton fillimisht kërkesën dhe më pas i kërkon seancës ngritjen e një komisioni hetimor. Ky komision do të ketë mbledhje intensive për të shqyrtuar të gjitha deklaratat e Presidentit ndërsa mund të thirret dhe vetë Ilir Meta në komision për të dhënë qëndrimet e tij.
Komisioni do të hartojë një raport final, i cili do i shkojë seancës për votim. Ky raport kërkon 2/3 e votave, ose 94 vota, që të miratohet duke sjellë më pas shkarkimin e Metës. Raporti i dërgohet në fund Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse ka të drejtë apo jo Parlamenti.
Qëndrimi i PS
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat tha se këtë herë Meta do të shkarkohet, ndryshe nga sa ndodhi një vit më parë kur në fund nuk pati shkarkim. Sipas tij, presidenti nxiti dhunë para zgjedhjeve dhe duhet të ndëshkohet. “Duke u nisur dhe nga një rezolutë e mëparshme e Kuvendit që i kërkon presidentit të rikthehet në binarët e përcaktuara nga Kushtetuta, lidhur me ushtrimin e detyrës nga ana e tij, gjë që nuk ka ndodhur, pasi ai ka vazhduar edhe pas kësaj rezolute të kryejë veprime kundër ligjit.
Në këtë vështrim, Kuvendi do të shprehet me vendim në ditët në vijim, lidhur me këtë kërkesë, që plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi”, tha ai. Balla e bëri të qartë se gjithçka do të ketë përfunduar brenda datës 8 korrik. Po ashtu ai ka shpjeguar dhe anën procedurale. “Kjo kërkesë nga ana e kryetarit të Kuvendit do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Ligjeve, që brenda një afati duhet të shprehet nëse kërkesa i plotëson kriteret ligjore e formale e më pas do duhet të ngrihet Komisioni Hetimor, për të vërtetuar nëse qëndrojnë dyshimet e ngritura.
Besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më 8 korrik. Nuk do doja të bëja asnjë deklaratë tjetër përpara se Komisioni i Ligjeve ta shqyrtojë kërkesën, pasi nuk dua të ndërhyj aspak në mandatin që ka ky komision, por si një prej firmëtarëve besoj se në dokumentin shumë të plotë, që kemi paraqitur, janë të gjitha provat e nevojshme e të domosdoshme, që jo vetëm argumentojnë qëndrimin tonë, por që janë edhe provat e nevojshme për të iniciuar procesin e shkarkimit të Presidentit”, tha Balla.
Roli i Kushtetueses
Pasi mazhoranca të vulosë me votë shkarkimin e presidentit, në fund do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse largohet apo jo Meta. Momentalisht kjo gjykatë ka 7 anëtarë, një prej të cilëve i ka mbaruar mandati. 3 emrat e fundit që mungojnë janë propozime të Gjykatës së Lartë. Por duket se shumë shpejt Kushtetuesja do të jetë me 9 anëtarë.
Sot Kuvendi do të rrëzojë dekretin e presidentit për kthimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Me ndryshimet e fundit, Gjykata e Lartë mjafton të ketë 10 anëtarë për të propozuar kandidatët. Aktualisht ajo ka 7 anëtarë dhe 3 të tjerë janë në proces verifikimi. Pasi të plotësohet me 10 nisin procedurat për të emëruar 3 emrat e fundit dhe Kushtetuesja do të ketë 9 anëtarë për të vendosur për fatin e Metës.
Por ky është lajm i keq për presidentin, pasi me emërimin e 3 emrave të fundit largohet Vitore Tusha, e besuara e Metës. Nga 9 anëtarë, presidenti do ketë krah tij vetëm Sonila Bejtjen, pasi pjesa tjetër janë persona të paanshëm dhe me integritet.