Komisioni i Venecias do të vendosë në mars për fatin e Ilir Metës. Në 30 dhjetor 2019, Kuvendi i Shqipërisë i dërgoi një letër Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, ku i parashtron të gjithë ato që kanë ndodhur me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe përzgjedhjen e kandidaturave për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa më pas i drejton edhe 6 pyetje, duke i kërkuar një opinion, në mënyrë që ta përdorë atë si busull për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Por duket se Komisioni i Venecias e ka vënë “ujin në zjarr” dhe do të diskutojë në muajin mars çështjet që lidhen me procedurat për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe rolin e Presidentit Ilir Meta. Ka qenë Thomas Markert, sekretar i Komisionit, i cili në letrën drejtuar dje kryeparlamentarit Gramoz Ruçi shkruan se Komisioni i Venecias do të diskutojë për një opinion në sesionin e marsit. Ndërkohë, para dhënies së opinionit, juristët e Komisionit do të vijnë në Tiranë për të takuar palët dhe për të mbledhur informacione.
Raporti brenda afatit të komisionit hetimor
Por ardhja e raportit për konfliktin në kushtetuese brenda muajit mars, duket se i shkon për shtat mazhorancës qeverisëse, e cila pritet që të mbyllë raportin, të cilin do t’ia dërgojë Kuvendit për votim, para se të skadojnë afatet e komisionit hetimor që po heton shkeljet e kryera nga presidenti Ilir Meta. Afati i komisionit hetimor skadon në 8 prill të këtij vitit. Kështu që, duke qenë se opinioni i Vencias, sa i takon gjashtë pyetjeve të drejtuara nga mazhoranca vjen para afatit të skadimit të komisionit, gjasat janë që votimi për shkarkimin e Metës të bëhet në fund të marsit ose në fillim të muajit prill. Pra, kjo lëvizje e Komisionit të Venecias pritet të fundosë presidentin Ilir Meta. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Mazhoranca sërish pyetje Venecias
Në datën 11 janar gazeta publikoi gjashtë pyetjet e mazhorancës drejtuar Komisionit të Venecias. Mes përgjigjeve që mazhoranca kërkon të dijë nga Venecia, është nëse emërimi i një gjyqtari kushtetues, që është Marsida Xhaferllari, jashtë afatit 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, cenon apo jo parimin e gjykatës së krijuar me ligj. “Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj”, siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore”, theksohet në pyetjen e parë. Më tej, pyetjet e riformuluara nga mazhoranca kërkojnë të dinë nëse situata me emërimin e Xhaferllarit dhe tejkalimi i afatit 30 ditor, ndikojnë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës, 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese”, thuhet në pyetjen e dytë dhe të tretë. Ndërkohë, pyetja e katërt drejtuar Venecias ka të bëjë me vendimin e presidentit Meta për të mos organizuar ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues. Mazhoranca në këtë rast kërkon të dijë nga Venecia nëse konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën. “A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën”, pyet Kuvendi i Shqipërisë.