Renditja e gjyqtarit Ardian Dvorani mes 12 personaliteteve që kanë luftuar korrupsionin ka alarmuar Presidencën. Pak minuta pasi publikimit të lajmit nga ambasada amerikane pati një reagim nga zëdhënësi i presidentit Ilir Meta ku dukej si një përgjigje ndaj kryeministrit Rama, por që ishte sulm ndaj amerikanëve.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale ai u shpreh se në 25 prill reforma do të marrë goditje nga shqiptarët, ndërsa diplomatët i cilësoi si të korruptuar duke sulmuar kështu ambasadën e SHBA. “O faqezi, Ramaforma jote ngordh më 25 prill me 3 milionë shpulla dhe shkelma të shqiptarëve, kundër teje, oligarkëve dhe diplomatëve të korruptuar deri në palcë. Shqipëria e para dhe e pamposhtur”, shkruan Blushi.
Po ashtu, një reagim ka ardhur edhe nga presidenti Ilir Meta. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai u shpreh se shqiptarët në zgjedhje do të votojë kundër mafias ndërkombëtare dhe po ashtu ndaj oligarkëve. “25 prill, Shqipëria e shqiptarëve dhe kurrë e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare”, shkruan Meta.
Reagon gjyqtari Dvorani
Gjyqtari Ardian Dvorani në një intervistë televizive ka folur sa u përket përplasjeve me presidentin Meta që nga videoja e Dritan Priftit, ku ai ishte i vetmi që doli kundër pafajësisë së Ilir Metës dhe përplasjet për Gjykatën Kushtetuese. Dvorani u shpreh se ai ka bërë vetëm detyrën e tij pa u ndikuar nga opinionet dhe personat e tjerë. Ai theksoi se pavarësisht personave të përfshirë në çështjet që ka trajtuar theksoi se gjithmonë ka vepruar sipas ligjit.
“Unë gjithmonë kam bërë detyrën time, gjithmonë se më shumë se 15 vite në gjyqësor kamë mbajtur të njëjtin standard për këdo i fuqishëm apo i zakonshëm qoftë, kjo është e vetmja gjë që duhet të bëjë një gjyqtar, që të gjykojë çështjet sipas ligjit, pavarësisht interesave në lojë dhe pavarësisht personave të përfshirë në çështje që ke për të gjykuara. Çështjet nuk i zgjedhim ne na bien me short. Kam bërë detyrën tim sipas kuptimit që kanë pasur për ligjin pa u ndikuar nga askush”, tha Dvorani për “Report Tv”.
Sulmet e Metës
I pyetur për reagimin e presidentit Ilir Meta që foli për mafie ndërkombëtare pas vlerësimit të tij nga DASH, Dvorani u shpreh se nuk ka asnjë lloj komenti lidhur me këtë deklaratë. Për vlerësimin që iu bë nga ana e DASH ai është shprehur se ndihet krenar, ndërsa theksoi se ky vlerësim nuk është vetëm për të, por për të gjithë magjistratët e tjerë në vend që punuan për drejtësinë.
“Reagimet e personave të cilido qoftë do i lexoj po nuk kam ndërmend të bëjë komet për to. Mafia ndërkombëtare është diçka e pakomentueshme, ajo që mua më intereson është vlerësimi që kanë bërë SHBA të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi. Personalisht ndihem shumë krenar dhe i vlerësuar që një vlerësim i tillë më vjen nga DASH. Natyrisht që është vlerësim i lartë dhe mbi të gjitha unë do të thosha se nuk më përket vetëm mua personalisht, por e ndaj dhe i përket të gjithë magjistratëve të tjerë të cilët ndër vite nëpërmjet ushtrimit të detyrës kanë bërë maksimumin”, tha Dvorani.
Teksa foli në lidhje me reformën në drejtësi, Dvorani theksoi se ai ka qenë një ndër ekspertët që ka bërë hartimin e saj, ndërsa e cilësoi si një nga reformat më të mira hartuar në letër. Edhe pse sipas tij në zbatim reforma ka hasur disa problem, ai bëri me dije se reforma në drejtësi po ecën në mënyrë të suksesshme.
“Unë kam qenë një nga ekspertët e nivelit të lartë të grupit të ekspertëve të reformës në drejtësi, kam qenë njëri prej tyre nuk mendoj se kam ndonjë meritë të veçantë kam bërë detyrën time, kam bërë maksimumin e mundshëm, që reforma në drejtësi në letër të hartohej në cilëson më të mirë të mundshëm dhe tani ka disa vite që ka nisur zbatimin dhe po ecën në rrugën e duhur sipas mendim tim”, tha ai.