Ilir Meta priti në një takim përfaqësues të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN).
Në këtë takim ata i paraqitën Metës gjetjet e raportit të tyre të tretë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020”, sipas konkluzioneve kryesore të të cilit: në 10 vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 140.390 të rinj dhe të reja, mbi 51% e rinisë në vend vuan papunësinë, ndërkohë që gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, 63% e të rinjve nuk kishin aspak besim aspak tek masat e Qeverisë për përballimin e vështirësive të shumta edhe ato financiare.
Duke komnetuar gjetjet e raportit dhe problemet më shqetësuese më të cilat përballet sot rinia shqiptare, Meta u shpreh se ka ardhur koha që rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të ardhmes së vendit.
“Ka ardhur koha për një restart, për një zgjim dhe shkundje të rinisë, për të marrë në dorë fatet e saj dhe të së ardhmes së vendit.
Për këtë është e domosdoshme që rinia të jetë e bashkuar, veçanërisht për refuzimin e falsitetit të këtij sistemi, që nuk i dëgjon, nuk i përfshin dhe nuk ju jep asnjë mundësi të rinjve.
Shqetësimi im i madh është shpopullimi i Shqipërisë, veçanërisht largimi i të rinjve, që përbën një kërcënim mjaft serioz për të ardhmen vendit dhe kombit tonë”,- tha Meta.
Ai tha se në çdo institucion të vendit duhet të merren vendime për të ardhmen e të rinjve. “Gjetjet e raportit tuaj janë vërtet tronditëse dhe unë jam i angazhuar për t’u dhënë së bashku me ju zgjidhje problemeve që ju ngrini. Është tepër e rëndësishme, që ju të përfshiheni në të gjitha institucionet vendimmarrëse, në Kuvend, Qeveri, Bashki dhe kudo ku merren vendime për të ardhmen tuaj.
Jo për të qenë thjesht “kukulla të partive”, por zë konkret dhe i fortë i denoncimit të problemeve të rinisë, që nga arsimi e deri tek punësimi i tyre dhe protagonistë të zgjidhjeve dhe mundësive të reja për bashkëmoshatarët e tyre.
Në funksion të këtij qëndrimi është tepër e domosdoshme edhe edukimi atdhetar, patriotik dhe me vlerat morale e shoqërore të rinjve.
Nëse 30 vite më pare, ne të rinjtë e Lëvizjes Studentore, do kishim dëgjuar apo pritur prindërit tanë, demokracia dhe pluralizmi ndoshta nuk do kishin ardhur kurrë.
Sot nga thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, jemi në stadin që “Duhet ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Kjo është një luftë që duhet ta fitojmë sepse nuk kemi rrugë tjetër”, u shpreh ndër të tjera Meta.