Ditën e sotme kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka publikuar detaje nga padia që do të depozitojë në SPAK kundër qeverisë për aferën me inceneratorët. Sipas saj 24 kompani kanë bashkëpunuar me inceneratorët duke sjellë 189 milionë euro evazion fiskal.
“Pjesa më e madhe e kësaj afere korruptive që nuk është e vetmja, por ky është rasti më flagrant ku kryeministri është kapur me presh në dorë. Këtu nuk ka asnjë lloj investimi nga ai që kemi dëgjuar prej kohësh 128 mln euro dhe qeveria paguan 20 euro tonin e mbetjeve për të mbledhur mbetjet që janë në Tiranë, investim prej vitesh që mban peng shqiptarët.
Besoj të gjithë e mbani mend që në dhjetor të vitit 2021 ne si lëvizje i kemi shtuar kallëzimit tonë evazionin fiskal që ka ndodhur me kompanitë e Klodian Zotos, 30 mln dollarë fiktive, veç konsulencave që kishte konsultuar vetveten. Të gjitha biletet e avionit që në periudhë pandemie kishte kryer udhëtime jashtë shtetit kur e dinim që mbi qiellin shqiptar nuk bëheshin fluturime.
Ajo që kemi është evasion fiskal 189 mln dollarë. Në pamje të jashtme mund të duket si diçka normale me 24 kompani që kanë bërë një punë të ndershme. Dihet që në çdo biznes atë që do të japësh do e kesh të magazinuar. Në librin e blerjeve kanë rezultuar se kompania e parë ka kryer blerje rreth 18 mln dollarë produkte dhe pjesa më e madhe janë fruta ekzotike dhe ujë i pijshëm, deri këtu është në rregull. Kur vijmë në shitjet 718 fatura që janë në librin e shitjeve. Frutat janë shkëmbyer në interte, shishet janë kthyer në beton.
Pjesa më e madhe e këtyre kompanive… unë do të tregohem diskrete se do t’i drejtohem SPAK. Kompanitë fiktive shkëmbejnë fatura me njëri tjetrin, janë fatura nën 3 mln lekë që mënyra e lëvizjes të jetë në cash dhe shitje nga fruta ekzotike në beton me fatura bankare dhe pagesa bankare nuk është kryer dhe ajo çka bën në dilemë kompanitë që kanë bërë blerje marrin dhe rimbursimim e TVSH-së”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi më tej duke dhënë detaje të disa prej kompanive të krijuara të cilat kanë kryer evasion fiskal, tregoi edhe rastin kur një çift 94 dhe 95 vjeç, kanë blerë një biznes 30 milionë dollarë.
“I gjithë sitemi ka funksionuar me një mbikëqyrje perfekte mga kryeministri. Nëse do kishim hetim tatimor që do hetonte do shikonte që frutat ekzotike janë shndërruar në asfalt. Të gjithë materialin ia kemi bërë gati prokurorisë së posaçme. Për të 24 kompanitë do të informojmë prokurorinë në mënyrë që ata të mos bëjnë asgjë tejtër, por vetëm të verifikojnë. Të verifikojnë edhe këta 94-95 vjeçarët që kanë blerë biznese 30 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.
Sipas saj “Në ministrinë e financave ekziston drejtoria e koncensioneve që kontrollon investimin e çdo koncensioni. Qeveria paguan prej 2017 një koncension të lidhur me kontratë në mënyrë të paligjshme. Kjo drejtori ka për detyrë të investojë ku janë 128 milionë euro investim”.