Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 4 vite burg Alqi Ballakon, i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit u dënua përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burg. Në përfundim GJKK ka urdhëruar shuarjen e masës së sigurisë dhe Bllako pritet të lirohet që sot. Lirimi vjen pasi i është shuar masa e sigurisë si për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
Gjithashtu Bllakos i hiqet e drejta për të mbajtur funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
SPAK kërkoi 5 vite burg për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, për inceneratorin e Tiranës.
Çështja e Bllakos u kthye në muajin korrik për rigjykim dhe SPAK kërkoi shpalljen e tij fajtor për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë në dy raste.
Vetë Bllako kërkoi të shpallet i pafajshëm, duke thënë se njërit prej fëmijëve po i rëndohet gjendja për shkak të mungesës së babit.
“I kërkoj gjykatës të mbajë parasysh edhe gjendjen time familjare sidomos të njërit prej fëmijëve ku sipas mjekëve mungesa e babait po rëndon gjendjen e tij”, tha Bllako.
Avokati mbrojtës Ilir Mustafai theksoi se Bllako nuk ka pasur asnjë ndikim apo rol në vendimmarrjen për inceneratorin e Tiranës dhe se detyra e tij ka qenë thjesht formale dhe administrative. Ai shtoi se Bllako, për shkak të detyrës së tij, ka përcjellë vetëm tre shkresa zyrtare dhe nuk ka pasur fuqi të ndërhyjë apo të vendosë për projektin.
“Në procedurën e inceneratorit të Tiranës, deri kur është krijuar ideja dhe është bërë kontrata, janë bërë 15 mbledhje dhe 16 procesverbale. Autori kontraktues është ministri dhe anëtarët koncesionit. Janë dy anëtarë të ministrisë së mjedisit, bashkisë e tjerë, Bllako në asnjë rast nuk është emri i tij i përfshirë. Bllako për efekt të punës ka përcjell 3 shkresa. Vendimmarrje me të rëndësishme kanë filluar pas mbledhjes së 11. Vë në dijeni gjykatën se pas mbledhjes 11 e mbrapa nuk ka qenë pjesë e ministrisë, por në Presidencë. Alqi Bllako është si kancelari i gjykatës që merr vendimet dhe ja çon palëve, por kancelari nuk ka përgjegjësi mbi vendimin e gjykatës. Alqi Bllako nuk ka pasur rol vendimmarrës te inceneratori i Tiranës”, tha mbrojtja e Bllakos.
Më 11 mars, Bllako u dënua me 4 vite burg nga GJKKO për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë në dy raste, dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuante 2 vite e 8 muaj burg. Por Apeli urdhëroi rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese.
Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej rreth 120 mijë eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.
Gjithashtu, Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit. Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Bllako akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësonte fiktivisht Bezhanin për të siguruar një pagë prej 7. 5 milionë lekësh të reja.
Sipas SPAK, gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos duke i siguruar të dhëna të marra nga Autoriteti Kontraktor.
Alqi Bllako është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në Shkallë të Parë.






