Gjykata e Posaçme shpalli sot (16 prill) vendimin për Inceneratorin e Tiranës dhe dënoi me 3 vite burgim ish-ministrin e Mjedisit dhe deputetin e LSI-PS, Lefter Koka. Gjithashtu u shpallën fajtorë edhe 6 të pandehur të tjerë të dosjes, kurse për të shtatin u shpall pafajësia. për 4 nga 8 të pandehurit e çështjes masat u shuan pasi dënimi konsiderohet i vuajtur, për 2 nga të akuzuarat femra dënimi u kthye në shërbim prove dhe punë në komunitet publik. Gjithashtu zyrtarët, mes të cilëve edhe drejtori ttaulant Tushe i bashkisë së Tiranës, do qëndrojnë për 5 vite jashtë funksioneve publike.
Vendimi u shpall sot nga trupa gjykuese, teksa ish-zyrtari i lartë ishte hetuar, arrestuar, gjykuar dhe dënuar edhe për rastet e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Koka u shpall fajtor dhe dënua me 3 vite izolim, teksa përfiton edhe nga gjykimi i shkurtuar uljen e dënimit me një të tretën. Dënimi iu ul me 1 vit dhe për 2 vitet e mbetura izolimi rreth çështjes quhet i vuajtur. Në përfundim, duke përllogaritur kohën e paraburgimit dhe çështjes së arrestit, GJKKO vendosi shuarjen e masës së sigurisë për këtë dosje. Koka do qëndrojë edhe 5 vite larg çdo funksioni publik.
GJKKO shpalli fajtor dhe dënoi Bledar Karolin me 3 vite burg, 2 vite me gjykim të shkurtuar, teksa i shuhet masa e sigurisë dhe do qëndrojë 5 vite larg funksioneve publike; ish-drejtorin e Bashkisë Tiranë, Taulant Tushe me 3 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike, që gjithashtu i shuhet masa e sigurimit arrest në burg për rastin; Namik Simixhiu me 3 vite burg me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite dhe me shuarje të masës së arrestit dhe heqje e të drejtës për funksione të publike; Valbona Ballgjini me 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar, i cili konvertohet në shërbim prove, sa dyfishi i mbetur i pjesës së shlyerjes së dënimit; Sidita Kopliku me 1 vit e 6 muaj burg, me gjykim të shkurtuar në 1 vit burg, i cili konvertohet në punë në të mirë publike, si dhe 5 vite pa të drejtë funksionesh publike, Fatjon Murati, me 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike. Kurse për Jetmir Llapaj u shpall pafajësia.