Për qytetarët e Kosovës duhet të jetë një moment për të reflektuar se pse Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nuk e takuan as për pesë minuta krerët më të lartë të shtetit amerikan, vlerësoi sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi.
Nga vizita e stërzgjatur e Kurtit në ShBA, Gjoshi konkludoi se mesazhi amerikan ndaj kryeministrit kosovar ishte injorim ose shpërfillje ndaj figurës së tij politike.
“Albin Kurti u largua nga Amerika me mesazhin e fuqishëm të këtij shteti mik e aleat strategjik i shqiptarëve: Nuk të duam!”, shkroi zyrtari i PDK-së.
“Vetëm para pak vitesh, liderët e Kosovës priteshin në takime në Shtëpinë e Bardhë. Albin Kurtin e pritën te shkallët. As Biden, as Harris, as Blinken, nuk patën kohë as 5 minuta për Kryeministrin e Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur pse ishte Kryeministri i Kosovës, por pse ishte Albin Kurti”.
Gjoshi konsideron se në një kontekst të tillë qytetarët e Kosovës duhet të konsiderojnë se “pse u injorua Kurti nga ShBA”.