Të dhënat e INSTAT kanë hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë së Shëndetësisë sa u takon deklaratave mbi vdekshmërinë e lartë nga virusi. Vendi është goditur nga pandemia e Covid-19, ku në muajt e parë që virusi u shfaq në vend, qeveria mori masa drastike, si izolimi i gjithë vendit, për të parandaluar këtë virus, si dhe bëri deklarata mbi rrezikun tepër të lartë nga Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë çdo ditë bën raportin mbi shifrat ditore të të infektuarve dhe atyre që humbin jetën, ku deklaron se virusi po bëhet më i egër dhe po merr shumë jetë njerëzish. Mirëpo sipas të dhënave të INSTAT mbi vdekjet gjatë vitit 2019, rezulton se vdekjet janë ulur me 3.5% në 6 muajt e parë të vitit 2020.
Sipas INSTAT 406 persona më pak humbën jetën në periudhën janar-qershor të vitit 2020, krahasuar me vitin 2019. Edhe pse vendi është i prekur nga pandemia që po shkakton vdekje, numri i këtyre të fundit nuk është rritur në 2020, por përkundrazi është ulur. Disa ekspertë të cilët kanë folur në lidhje me virusin dhe vdekshmërinë e tij, kanë deklaruar se nuk është një virus me vdekshmëri shumë të lartë. Sipas një epidemiologu kryesor në Universitetin e Oksfordit, virusi ka një nivel vdekshmërie me vetëm 0.05 përqind.
Të dhënat e INSTAT
Sipas të dhënave të INSTAT, në 6 muajt e parë të vitit kanë humbur jetën në vend 11,104 persona. INSTAT bën me dije se mesatarisht në vend kanë vdekur 61 persona në ditë. Krahasuar me periudhën janar-qershor të vitit 2019, sipas INSTAT numri i vdekjeve ka rënë me 3.5%. Në total janë 406 vdekje më pak. Sipas këtyre të dhënave, rezulton se ky është numri më i ulët i vdekjeve, që nga 6 mujori i parë 2016. Ndërkohë numri më i lartë i vdekjeve, referuar të dhënave të INSTAT, është regjistruar gjatë vitit 2017.
Gjatë vitit 2017 vendi u përfshi nga një epidemi e fortë gripi në muajt e parë, që detyroi dhe shtyrjen me disa ditë të fillimit të shkollës në janar. Por sakaq INSTAT vë në dukje se të dhënat mund të ndryshojnë, për shkak se raportimet e vdekjeve në Gjendjen Civile mund të mos tregojnë realitetin, si rrjedhojë e situatës së shkaktuar nga Covid-19.
Sipas rretheve, numri i vdekjeve është rritur vetëm në 3 prej tyre në 6 mujorin e parë, krahasuar me janar-qershor të një viti më parë. Konkretisht në Lezhë ka 17 më shumë, Gjirokastër 9 dhe në Elbasan 8. Ndërkohë, INSTAT thekson se rënia më e lartë e numrit të vdekjeve konstatohet në Berat ku ka rënë me 94, në Dibër me 84, në Korçë me 59, në Durrës me 50, në Shkodër me 43 dhe në Vlorë me 37. Në Tiranë ka pasur 2 vdekje më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Vdekjet Korrik-Gusht
Numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19 nisi të rritet në gjysmën e dytë të qershorit, po korriku dhe gushti kanë shënuar kulmin, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë. Nga shifrat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë deri me datën 11 gusht kanë humbur jetën 205 persona. Por ka dyshime se mund të ketë edhe persona të paraportuar.
Shifrat zyrtare marrin në konsideratë vetëm personat e vdekur, që janë diagnostikuar me tampon dhe kanë rezultuar pozitivë, por tani qindra qytetarë të prekur po marrin diagnozë me skaner pasi nuk mund të presin procedurat e zgjatura të tamponimit. Si pasojë në spitalet Covid 1 dhe Covid 2 ka shumë të shtruar me pneumoni bilaterale të shkaktuar nga Covid-19. Sipas informacioneve, në spitalin Covid 2 po trajtohen më shumë se 200 persona me Covid-19, por vetëm gjysma e tyre, ata që kanë bërë tamponin raportohen zyrtarisht.