Instituti i Studimeve Politike ka publikuar edhe këtë fillim viti raportin e analizës së punës së Kuvendit të Shqipërisë për periudhën shtator-dhjetor 2019.
Në këtë raport, është llogaritur se kush kanë qenë deputetët më efektivë për vitin që lamë pas.
Bazuar në metodologjinë e projektit, klasifikimi i nivelit të efikasitetit të deputetëve, bazohet:
· në vlerësimin e nismave ligjore të deputetëve (10 pikë),
· në vlerësimin e propozimeve për ndryshime ligjore gjatë debatit në komisione ose në seancën plenare (10 pikë),
· në vlerësimin e interpelancave të iniciuara nga deputetët (10 pikë),
· në vlerësimin e angazhimit në seancat plenare (20 pikë),
· në vlerësimin e angazhimit në komisionet parlamentare (20 pikë),
· në vlerësimin e votimit të akteve në Kuvend (10 pikë),
· në vlerësimin e aktivitetit parlamentar për kërkesa / informacion ose seanca pyetjesh (10 pikë),
· si dhe në angazhimin publik e në zonë të deputetëve (10 pikë).
Në vlerësimin e përgjithshëm kreu i grupit të PS Taulant Balla vijon të jetë deputeti me pikët më të larta në klasifikim. Ai ka iniciuar ligje, ka adresuar kërkesa për informacion, ka marrë pjesë në debatet plenare dhe në komisione (në dallim nga ish kryetarët e grupeve parlamentare në legjislaturat e kaluara, të cilët në mbi 90% të rasteve nuk merrnin pjesë në mbledhje të komisioneve), si dhe ka ushtruar në maksimum të drejtat e deputetit. Ai është i privilegjuar edhe për shkak se, si drejtues i grupit ka hapësirë, mundësi dhe mekanizma shumë më të mëdha për të qenë aktiv në jetën parlamentare.
Në katër deputetë me rezultatin më të lartë në klasifikimin e efikasitetit bën pjesë edhe deputetja Rudina Hajdari, drejtuese e Grupit “Demokrat”, e cila vijon të ruajë përfaqësimin sasior dhe të rrisë atë cilësor në raport me sesionin e kaluar parlamentar. Vlerësim të lartë ka edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë, ministri më i ri i kabinetit qeveritar, Arben Ahmetaj. “Surprizë” pozitive përbën angazhimi dhe rezultati i arritur në këtë sesion nga deputeti Artur Roshi, i cili renditet në vendin e katërt nga 112 deputetë (duke lënë jashtë klasifikimit ministrat dhe kryetarin e Kuvendit).
Në listën e 22 deputetëve më aktivë dhe efektivë në parlament bëjnë pjesë edhe deputetët e rinj Ralf Gjoni e Vasil Sterjovski, Kostaq Papa, Enver Roshi, Halit Valteri, Zef Shtjefni, Nimet Musaj dhe Edlira Hyseni, dy prej të cilëve përfitojnë edhe nga pozita e kreut të një grupi parlamentar ose një komisioni parlamentar. Në listën e më të mirëve bëjnë pjesë edhe deputetët tashme më përvojë dhe pjesë e tabelës vlerësuese në dy sesionet e fundit parlamentare, Ilir Beqaj, Antoneta Dhima, Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Elona Gjebrea, Evis Kushi, Ulsi Manja, si dhe hyrja “e re” Vullnet Sinaj.