Nga Klea Petro
Komisioni Europian, duke pranuar perspektivën europiane të të gjithë vendeve të Ballkanit, duket se ka bërë një diferencim në afatet e anëtarësimit, duke vendosur 2025 si një afat “tejet optimist” për integrimin e Serbisë dhe Malit të Zi.
Për Shqipërinë nuk ka ende një datë të saktë për anëtarësimin përfundimtar dhe kjo ka mjaftuar për segmente të opozitës që të akuzojnë qeverinë për lloj-lloj mënxyrash.
Është fakt se ndërsa Shqipëria pret një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, Mali i Zi i ka nisur ato në vitin 2012, ndërsa Serbia në 2014-n dhe kjo bën që këto dy shtete të jenë disi më të përparuara në rrugën e integrimit.
Arsyet se përse Shqipëria ka mbetur pas dy fqinjëve të saj në hapjen e negociatave janë mbi të gjitha historike dhe lidhen, në një pjesë të madhe me vendime të gabuara të marra nga shumë qeveri në të shkuarën.
Megjithatë, ekzistojnë të paktën pesë arsye përse Bashkimi Europian e sheh Shqipërinë në të njëjtin stad si edhe Serbinë. E për të njëjtat këto arsye, ata që sot duan të shohin Shqipërinë si të “njerkës” në sytë e Brukselit gabohen rëndë.
Aksi Rama-Vuçiç
Prej disa vitesh tashmë, me bekimin e vetë Berlinit, aksi Rama-Vuçiç është shndërruar në aksin dominues të bisedimeve në Ballkanin Perëndimor. Nëse Bashkimi Europian do të shihte një lider inferior nga tjetri, me shumë gjasa nuk do të ishte angazhuar në këtë proces që shihet si thelbësor për të ardhmen e rajonit. Nga ana tjetër, nuk është qëllimi i Brukselit që të bëjë publicitet me këtë afrim. Për të, të dy vendet janë njësoj kandidatë për integrimin, pastaj kush më shpejt e kush më vonë kjo do të varet vetëm nga meritat personale.
Njohja e Kosovës
Integrimi i Serbisë është kushtëzuar nga njohja e Kosovës, një njohje që me hir ose me pahir do të merret nga Beogradi kur të kushtëzohet me integrimin. Kushtëzimi i perspektivës serbe të integrimit me faktorin shqiptar është një lëvizje kuptimplotë, me të cilën BE qëllon dy zogj me një gur. Së pari garanton që në të ardhmen, vendet anëtare të mos kenë probleme kufitare mes tyre dhe e dyta, shmang ndikimin rus në Ballkan, pasi sponsori i vetëm i madh i qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës mbetet Federata Ruse.
Reforma në drejtësi
Reforma në drejtësi nisi të diskutohej në Serbi dhe në Malin e Zi vetëm pas hapjes së negociatave. Në Shqipëri, kjo ka nisur të ndodhë që tani. Reforma në drejtësi është e rëndësishme vetëm për ato vende që BE i sheh si kandidatë imediatë për integrim. Një bisedë e tillë ende nuk ekziston në Bosnje apo në Kosovë, dy shtete që janë të fundit e klasës në procesin e integrimit. Arsyeja përse BE këmbëngul kaq fortë në Shqipëri lidhet me vetë perspektivën europiane të vendit tonë. Dhe fakti që këto bisedime kanë nisur që pa u hapur negociatat, bën që Shqipëria të ketë një avantazh dhe të avancojë potencialisht më shpejt kur kjo të ndodhë. Strategjia e BE është e qartë, duke negociuar që tani, i jepet kohë Shqipërisë që të kapë kohën e humbur pas hapjes së negociatave, pasi ndonëse Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur bisedimet më parë, zbatimi i reformës në drejtësi do të realizohet në mënyrë pothuajse të njëkohshme në të tre vendet tona.
Emri i Maqedonisë
Kjo nuk ka lidhje direkte me Shqipërinë, por rrëzon idenë se BE është e angazhuar për një proces selektiv anëtarësimi. Nëse do të ishte kështu, e gjithë diplomacia europiane nuk do të kishte vënë motorët në lëvizje për të imponuar gjetjen e një zgjidhje midis Shkupit dhe Athinës. E njëjta vlen edhe për bisedimet Shqipëri-Greqi për zgjidhjen e shumë çështjeve të mbetura pezull. Kjo ndodh vetëm sepse në Bruksel dinë shumë mirë dy gjëra, e para anëtarësimi i Ballkanit është një vendim politik, pasi asnjë prej vendeve tona nuk do të përmbushë kriteret maksimale edhe për shumë kohë dhe e dyta, një anëtarësim kolektiv parapëlqehet për të shmangur tensione në të ardhmen.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit nuk është një proces selektiv, por një proces gjithpërfshirës, që synon të përmirësojë marrëdhëniet fqinjësore dhe infrastrukturën në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe një herë më shumë, ky proces udhëhiqet nga dy shtetet me më shumë peshë në Bashkimin Europian, Gjermania dhe Franca. Nëse do të kishim një proces selektiv, BE do të ishte shumë më e prirur të investonte tek kandidatët imediatë, e jo tek një bashkësi vendesh me stade dhe qasje të ndryshme ndaj integrimit.