Serie A e futbollit është në javën e 26-të. E diela sportive në Itali filloi në orën 12:30, aty ku Juventusi fitoi 3-2 me Frosinonen në një ndeshje dramatike. Po sot, në 18:00 Interi fitoi 0-4 ndaj Leçes në udhëtim, teksa Milan pret në “San Siro” Atalantën në 20:45.
Në Torino, Juventusi s’e pati të lehtë. Duhej Daniele Rugani dhe shumë raste të humbura që “Zonja” të mposhtet 3-2 Frosinonen. Bardhezinjtë shënuan pas vetëm tre minutave lojë me Vlahovic, para se Cheddira dhe Bresciani të përmbysnin ndeshjen. Te Juve sërish Vlahovic në minutën e 32 vendosi ekuilibrat për 2-2.
Fraksioni i dytë i lojës ishte dramatik, me vendasit që nuk mundën të shënonin deri në minutën e fundit të shtesës, paçka disa rasteve të pastra. Duhej mbrojtësi Daniele Rugani në të 90+5′ dhe pasimi final i Vlahovic që Juventus të gjente golin e fitores 3-2. Me 57 pikë Juventusi mban vendin e dytë, duke qenë në ndjekje të kryesuesve të Interit.
Cagliari dhe Napoli barazuan 1-1 në Sardegna. Paçka rezultatit të mirë kundër Barcelonës në Champions League (1-1), napoletanët me trajneri e ri Francesco Calzona në stol nuk shkuan më shumë se një pikë në udhëtim. Gjithçka u vendos në pjesën e dytë, aty ku Napoli shënoi me Osimhen në të 65 minutë.
Goli i barazimit u shënua nga Luvumbo në 90+6, duke bërë që napoletanët të kenë tre ndeshje pa fitore në Serie A. Napoli me 37 pikë mban vendin e nëntë, teksa Cagliari me 20 pikë ndodhet në pozitën e parafundit.
Në “Via del Mare” vendasit e Leçes u mposhtën 0-4 nga Interi. Kristjan Asllani e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe nuk zhgënjeu. Mesfushori i Kombëtares dhuroi asistin e golit të parë në minutën e 15-të, me Lautaron që zhbllokoi shifrat. Asllani veç asistit u ndëshkua edhe me karton të verdhë në minutën e 38-të.
Në pjesën e dytë Frattesi dyfishoi shifrat në minutën e 54. Vetëm një minutë më vonë, Inzaghi i bëri vend Barellas duke nxjerrë Asllanin, paçka se shqiptari ishte lojtari më i mirë i pjesës së parë. Më pas Lautaro në të 56 shënoi për dopietën dhe de Vrij në të 68′ i dërguan shifrat në 0-4. Te Leçe minutat e para këtë sezon mori edhe Medon Berisha (kapiteni i Shqipërisë U-21), që zëvendësoi Ylber Ramadanin në të 79 minutë.
Milan sërish nuk fiton. Këtë herë kuqezinjtë e Piolit u ndalën 1-1 në shtëpi nga Atalanta. Pas vetëm tre minutave lojë Leao shënoi golin e parë të ndeshjes, duke bërë që Milani të merrte avantazhin dhe të mendonte se përballja ishte e lehtë, por nuk ndodhi kështu. Duhej Koppmeiners që në të 42 minutë me penallti të vendoste ekuilibrat.
Serie A, raundi 26-të:
E dielë
12:30 Juventus 3-2 Frosinone
15:00 Cagliari 1-1 Napoli
18:00 Leçe 0-4 Inter
20:45 Milan 1-1 Atalanta